Harta e re gjyqësore, Llagami: Më pak gjykata dhe më shumë cilësi
Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, teksa prezantoi propozimin për hartën e re gjyqësore, u shpreh se koncepti është që të ketë më pak gjykata dhe më shumë cilësi.
Llagami u shpreh se “këtë vit bashkë me Ministrin e Drejtësisë kemi bashkëpunuar dhe sjellim para jush një version të dakordësuar nga grupi i punës të hartës së re gjyqësore”.
“Prej 2 vitesh këshilli ka vendosur në funksion mekanizmat e emergjencës si me rritjen e kotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës të cila për një periudhe 3-5-vjeçare do të sjellin një përmirësim të situatës ne gjykata e shkallës se parë ashtu me caktimin gjyqtareve për plotësimin e trupave gjyqësore, ku vetëm për periudhën janar-nëntor të 2021 kemi caktuar një numër të madh gjyqtarësh. Ky numër pritet të jetë më i lartë dhe me thellimin e vakancave në shkallën e parë dhe apel ku sot kemi 1/3 e trupës që duhet të kishim në organikë”, tha ajo.
Po ashtu, Llagami shtoi se “aktualisht jemi duke shkuar drejt një drejtësie ambulante dhe është një kosto e madhe për sistemin, dhe jo vetëm financiare por me cilësinë e mohuar të shërbimeve dhe motivimit të gjyqtarëve të cilët duhet të mbajnë ngarkesën e kolegëve të larguar brenda gjykatës por dhe në gjykata e tjera”.
“Nëse i referohemi ngarkesë së gjykatave këtë vit kemi shkuar në një mesatare 640 çështje për gjyqtarë pa përfshirë këtu ngarkesën që ka Gjykata e Lartë. Gjithashtu kemi gjykata që kemi mbi 3 mijë çështje siç është Gjykata Administrative e Apelit për gjyqtarë por dhe Gjykata e Apelit Tiranë që ka shkuar 2500 çështje për gjyqtarë. Kosto më e madhe është morale e besimit që kërkojnë qytetarët te reforma në drejtësi, kambana ka kohë që po bie. Prej një viti e kam ngritur këtë shqetësim në Kuvend dhe publikisht. Diskutimi nuk është të fitosh apo të kesh të drejtë, sot në fakt, jemi shumë vonë, madje dhe harta e propozuar nuk do të jetë e mjaftueshme për të stabilizuar humbjet që ne kemi në sistem. Ndërhyrje të tjera duhet të tjera duhet të artikulohen sa më shpejt dhe do të jetë e nevojshme për të shmangur kolapsin. Megjithatë duhet të shohim përtej emergjencës. Na duhen zgjidhje të mundshme, të besueshme, zgjidhje optimale ku fitojnë të gjithë dhe mbi të gjitha fiton qytetari”, u shpreh Llagami.
Llagami shtoi se kjo situatë është krijuar për 30 vite dhe nuk mund të adresohet përmjet gjykatave.
“Përtej hartës gjyqësore ftoj si Ministrinë e Drejtësisë dhe partnerët të kontribuojnë në një strategji të aksesit në shërbime përfshirë dhe ato ligjore të cilat nuk do të përqendrohen vetëm te gjykata por dhe ngritja e një rrjeti shërbimesh, mjeteve alternativës së zgjidhjes së heshtjeve. Koncepti ynë është më pak gjykata, më shumë cilësi. Qytetarët do na përkrahin në këtë reformë që t’i shkojmë deri në fund. Mendoj se fakti se jemi këtu të gjithë së bashku tregon se jemi të hapur për të diskutuar shqetësime që janë parimore, por nuk duhet të na pengojnë në gjetjen e zgjidhjeve. Këto vendime të vështira duhet t’i marrim të gjithë bashkë. Jemi të hapur për të diskutuar këtë propozim që grupi i punës e ka bërë për të rritur eficiencën në gjykatat tona”, u shpreh ajo.
Fraksion.com