AktualitetPolitikëTë fundit

Rama dorëzon çelësat e 153 banesave të reja në Kavajë

Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në Kavajë ku dorëzoi çelësat e 153 banesave në pallatet e reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Kryeministri u shpreh se programi i rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit në kthesë transformimi.

Ai tha se sot, në këtë prag të Vitit të Ri, dorëzojmë 153 banesa në pallate të reja, në Kavajë më të bukura, më të mëdha, më të forta për ata që humbën strehën në tërmetin e 26 Nëntorit.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se, më vjen shumë mirë që pas pak do mund t’ju them mirë se ju gjeta në shtëpi pas një periudhe jo të shkurtër. Dy vjet pa shtëpi janë shumë për jetën e një familje por besoj se për dy vjet për të rindërtuar shtëpitë e mijëra e mijëra familjeve janë një kohë goxha e shpejt, po të keni parasysh se jo shumë larg po matanë detit këtu në një vend që është fuqia e pestë ekonomike e botës dhe që është goditur nga shumë tërmete sot që flasim ka shumë familje enden në kabina dhe rulota, presin të kthehen në shtëpi pas tërmetit që i nxori jashtë 10-12 dhe 15 vite më parë. Pra, duke bërë këtë krahasim dhe duke shtuar që mund të kishim qenë më të shpejt nëse një fatkeqësi e madhe do na kishte hyrë në mes dhe na ka bllokuar përkohësisht pandemia. Sidoqoftë sot duke parë kaq shumë familje duke u kthyer në shtëpi duke gëzuar Vitin e Ri më fëmijët në një strehë të re është një burim energjie, një burim optimizmi, kuraje dhe një burim krenarie me thënë të drejtën.

“Është një nga ato arsye që të jep politika për të vazhduar të merresh me të dhe për të mos u neveritur deri në pikë që t’i kthesh asaj kurrizin duke i lënë njerëzit vetëm për shkak të atyre që asnjëherë që mundojnë në një komunitet apo në shoqëri dhe që fjalën e keqe e kanë si ajrin që nxjerrin. Është një nga ata momentet që të gjithë duhet të shohin se sa e rëndësishme është që politika të bjeri në duar që bëjnë punën e duhur dhe sot unë jam shumë i lumtur që shoh gjithë këta fëmijë dhe gjithë këta të moshuar që pas një periudhe të vështirë dhe pas asaj goditje psikologjike të humbjes së shtëpisë kthehen të buzëqeshur në shtëpi që janë shumë më të mira, më të forta dhe më të bukura dhe mbi të gjitha janë pjesë e këtij komuniteti në një bllok banimi me standarde optimale, njësoj si të ishte një bllok banimi për ata që i kanë mundësitë të blejnë shtëpitë të reja në Tiranë. Një bllok banimi me hapësira për fëmijët, për të moshuarit me parkingje nëntokësore. Një bllok banimi me mundësinë që të gjithë të ndihen pjesë e një komuniteti dhe mbi të gjitha pronarë legjitim me një titull pronësie që trashëgohet brez pas brezi dhe është falas”, tha Rama.

Rama tha se, ky është një program rindërtimi i pangjashëm me programet pas tërmeteve në vende të tjera sepse është i pari program rindërtimi pa asnjë lekë të vënë në dispozicion nga familjet e prekura.

“Sigurisht është një kontribut i buxhetit të shtetit, një kontribut solidariteti i partnerëve tanë i atyre që na u gjendën në atë ditë të vështirë dhe i atyre që na u bashkuan në atë konferencën e donatoreve, por në fund të ditës është një kontribut solidariteti pa asnjë ngarkesë financiare nga ata që u goditën nga tërmet dhe pa asnjë barrë ndaj familjeve të tyre për të shlyer çfarëdo qoftë kredie sado të butë. Pra nga momenti që hyni në shtëpi jeni pronarë të shtëpive. Duke qenë se këtu jemi në një zonë me përmbajtje demokratike në aspektin politik, maksimumi që mund t’u ndodh në të ardhmen është që t’u ndërrojnë bravën. Por ngjyrën e bravës se çelësit nuk ua marrin dot. Askush më pas nuk mund t’ju vij e tu thotë se për këto shtëpi që ka bërë shteti, se të gjitha këto janë kontribut i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit ju do paguani diçka, nuk jua bëjnë dot. Këto shtëpi janë tuajat dhe askush nuk vjen dot të pretendojë asgjë. Janë tuajt për t’i trashëguar, lënë me qira, për t’i shitur, si të gjithë pronarët e ligjshëm në Shqipëri”, theksoi Rama.

Rama theksoi se,  në programin e Rindërtimit kontributin kryesor e ka qeveria shqiptare.

Rama theksoi se, “në fakt, ky program rindërtimi nuk është një program rindërtimi thjesht tek pjesa e ndërtimeve, por është program rindërtimi qysh ditën e parë, ndërkohë që filluam punën për të identifikuar hapësirat ku do ndërtonim blloqet e reja të banimit, për të zgjidhur çështjet e pronësisë, për të zgjidhur çështjet e financimit, për projektet etj etj, duke i dhënë të gjithëve mundësin që 24 orë pas rënies të tërmetit, të jenë në një strehë të ngrohtë, me ushqim të ngrohtë, pa ndërtuar kampe, me kabina, me rulota, me çadra”.

“Menjëherë të gjithë familjeve, me mijëra e me mijërave u dha bonusi i qirasë dhe të gjithë të tjerët që presin për të marrë banesën e re sot qëndrojnë në shtëpi me qira të paguara nga qeveria për të vazhduar jetën normalisht. Dhe ata 100 familje që janë akoma në çadër janë në çadër sepse duan të rrinë tek toka dhe gjëja e gjallë dhe nuk u shkon llogaria, por dhe ata marrin bonusin e qirasë çdo muaj nga qeveria. Tjetra që është e rëndësishme të thuhet se këto nuk janë lekët e botës siç përsëritet dhe përsëritet, lekët e botës. Jo, këto nuk janë lekët e botës. Në të gjithë programin e rindërtimit kontributin kryesor e ka qeveria shqiptare dhe ne jemi shumë krenar për këtë”, theksoi Rama.

“Partnerët tanë kanë kontribuar dhe kontribuojnë për një pjesë të shkollave, BE, për lagjen e re në Laç Republika e Turqisë dhe për lagjen e re në Spitallë portofoli i Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara. Gjithçka tjetër është kontribut i taksapaguesve shqiptarë dhe shtoj këtu, përsëri për të qenë të qartë të gjithë, që për sa i përket lekëve të botës, se janë ata që akuzojnë “ku i çuat e si i morët, me këto do kishit ndërtuar Shqipërinë dy herë”. Bota që na ka ndihmuar, lekët nuk na i jep ne, i bën vetë projektet, i cakton vetë kompanitë, i paguan vetë për çdo punë që bëjnë dhe i përmbyll vetë ndërtimet. Ajo që bën qeveria në këto procese është vetëm monitorimi i procesit dhe vendimmarrja për projektet, për standardet, për të gjitha. Gjithçka tjetër e bëjnë vetë partnerët. Të gjitha shkollat që ndërton Bashkimi Evropian, i ndërton Bashkim Evropian, pra projektet, kompanitë, supervizionin, të gjitha i paguan vetë Bashkimi Evropian, nuk është një thes apo një valixhe që u mbush me para në Bruksel apo u mbush me para në Stamboll apo u mbush me para në Abu Dhabi dhe erdhi këtu, jo. Ata kontribuojnë sipas asaj pjese të programit të rindërtimit që ne i ju kemi dhënë për të kontribuuar”, shtoi Rama.

Rama vijoi se, “tjetra që është shumë e rëndësishme, sepse disa thonë që “këto u bënë me borxhe e tani borxhet do t’i paguajmë ne”. Edhe kjo është e pavërtetë. Ky është kontribut i buxhetit të shtetit, për ata që janë më në nevojë, e kjo është filozofia jonë. Ne jemi këtu në radhë të parë për ata që kanë më shumë nevojë”.

“Ne jemi këtu në radhë të parë për të lehtësuar ata që gjenden më shumë në vështirësi dhe natyrisht që punën çdo qeveri e bën me taksat, se thonë disa që “pse krenoheni sikur e keni bërë me lekët tuaja”. Qeveritë, që ku kanë lindur e deri më sot, në historinë e njerëzimit, këtë punë kanë bërë të administrojnë taksat dhe dallimin mes qeverive nuk e bën fakti se kush i bën me lekët e këtij apo me lekët e atij, por e bën fakti se kush bën punën më të mirë, duke administruar kontributet e qytetarëve e natyrisht që ne bëjmë detyrën se të gjitha qeveritë për detyrën zgjidhen, nuk zgjidhen për të bërë vezë të kuqe ama dhe këtu dallimin e bën se kush e bën më mirë detyrën dhe unë besoj që pavarësisht të gjitha dobësive, të metave, gabimeve, ne detyrën dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër në këtë vend”, u shpreh ai.

Rama tha se, “e fundit që kam është për ata që sot shohin këtu këto familje që do të hyjnë në shtëpi dhe ende presin. Ky është një bllok më i madh se kaq sepse shtrihet dhe në anën tjetër dhe puna vazhdon intensivisht që brenda janarit, edhe ana tjetër e bllokut të dorëzohet dhe edhe ato familje në krahun tjetër të futen në shtëpi. Kështu, këto 153 familje që janë gati të hyjnë së bashku me ato familje që janë në anën tjetër, do të bëhen një komunitet i madh dhe do të trashëgojnë një kompleks, i cili është një kompleks me standarde si të çdo kompleksi nga ato që blejnë njerëzit që kanë mundësi të blejnë shtëpi në mes të Tiranës”.

Ai theksoi se, “ndërkohë që, dy janë pikat ende në proces sepse janë edhe pikat me intensitetin më të madh të punës që na është dashur të kemi shumë më tepër punë përgatitore e të tjera e të tjera, që janë lagjet e mëdha të 5 Majit e të Kombinatit në Tiranë, lagja e re në Spitallë të Durrësit”.

“Objektivi ynë është që brenda vitit 2022 të gjitha gjurmët e tërmetit të jenë zhdukur e kudo ku tërmeti hapi një plagë, të ketë një shtëpi të re, të ketë një familje të gëzuar, të ketë fëmijë, gjyshër e gjyshe që kujtimin e tërmetit e ruajnë si momentin e kthimit të një të keqeje në një mirësi të madhe, sepse 99% e njerëzve që humbën shtëpitë nga tërmeti, falë punës së bërë së bashku do të gëzojnë shtëpi më të mira, më të bukura e më të forta se ato që kishin para se të binte tërmeti dhe pjesa më e madhe e këtyre familjeve kurrë nuk do kishin mundësi të arrinin të blinin të paktën për dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet shtëpi si këto”, tha Rama.

“Kështu që me shumë kënaqësi ju them t’i gëzoni! Është vërtetë e jashtëzakonshme që të marrësh rrugën për të ardhur në këto takime të fund vitit sepse është njësoj si të shkosh diku e të furnizohesh me energji pozitive, që është energjia e zemrave plot të të gjithë juve dhe të të gjithë atyre njerëzve që u gjendën papritur e pa kujtuar vetëm nën qiellin e hapur e pastaj falë këtij solidariteti, filluan pak nga pak të besojnë e tani po prekin realitetin e një zotimi të madh, solemn, të mbajtur, që ne nuk do lëmë askënd vetëm sepse në atë moment kur ra tërmeti, edhe ju dhe unë dhe të gjithë menduam se kjo ishte një goditje nga e cila nuk do ta merrnim dot veten, se ne nuk jemi një vend i pasur dhe as një shtet i super fuqishëm, por ja që ne ia dilkemi dhe po ju them, kur ia kemi dalë kësaj vështirësie siç ia kemi dalë jo keq deri më tani dhe vështirësisë me pandeminë, nuk ka asgjë që na ndalon t’ia dalim dhe të gjitha vështirësive të tjera. Siç ishte ky proces rindërtimi është dhe i gjithë procesi i rindërtimit të shtetit tonë. Ka vështirësitë e veta, ka momentet e veta të vështira, ka pengesat e veta, ka gabimet e veta, ka edhe rëniet momentale, por ne do të vazhdojmë të ngjitemi”, përfundoi Rama.

Blloku i banimit në Kavajë për 153 familje, obelisk solidariteti

Zv.kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj i pranishëm në këtë ceremoni tha se, që ditën e parë ishim shumë të qartë dhe të vendosur që do kishim shumë shpejt ditë si këto.

“Ja ku jemi në një bllok pallatesh, janë 153 familje që futen në shtëpitë e reja falas që trashëgohen brez pas brezi. Në një debat në Golem, ai i kryetarit PD-së që lëshonte fjalë se ju komunistët do bëni shtëpi për vete dhe do na lini në rrugë. Çelësin e parë e mori ai për të treguar se procesi i rindërtimit është një proces shpirtëror solidariteti i një qeveri e një kryeministri e një mazhorance për një popull të tërë pa dallim krahinash dhe pa asnjë dallim”, tha ai.

Ahmetaj shtoi se, në këto 153 familje jo të gjithë kanë votuar Edi Ramën, ama sot janë të bindur se ky kryeministër dhe kjo qeveri e mban fjalën dhe nuk lë askënd mbrapa.

“Ky bllok është shumë interesant, është një obelisk solidariteti që mban emrin e këtij kryeministri për Kavajën dhe të gjithë Shqipërinë. Unë po e përjetojë këtë pjesën e festave më emocion shumë të veçantë sepse dhënia e shtëpive për familjet apo kthimi i familjeve në shtëpitë e tyre është një nga kënaqësitë më të mëdha të punës time si punonjës publik”, tha ai.

Ahmetaj u shpreh se, në bllokun tjetër janë 130 apartamente të tjera që në fund të janarit do të kemi edhe 130 familje të tjera që do të hyjnë në shtëpitë e reja.

“Në bllokun tjetër janë 76 apartamente që do futen në shtëpi të reja falas. Kjo po ndodh edhe në 11 bashkitë dhe procesi i rindërtimit do të ngelet në historinë Shqipërisë si një nga momentet ku politika reflektoi, politika bënë atë që të gjithë presin nga politika. Kryeministri tha nuk do lemë askënd vetëm dhe askënd mbrapa dhe në këto dy vite nuk është lamë askënd mbrapa dhe askënd vetëm”, tha Ahmetaj.

 

Fraksion.com