Frika se kriza e emigrantëve në kufirin Poloni-Bjellorusi mund të zgjasë
Gjatë vitit 2021 bota u bë dëshmitare e një krize të re emingrantësh në kufijtë e Evropës, pasi mijëra azilkërkues nga Lindja e Mesme dhe Afrika shkuan fillimisht në Bjellorusi prej nga u munduan të kalojnë kufirin me Poloninë, me synimin për të hyrë në Bashkimin Evropian.
As temperaturat nën zero nuk i ndalën përpjekjet e emigrantëve për të kaluar kufirin e Polonisë. Ky grup u shpëtua në një moçal nga ushtarët polakë, për të cilët mjekët thanë se ishin me fat që mbijetuan.
Prej kohësh, Evropa është përballur me kriza emigrantësh. Por kjo në kufirin polak ishte e fabrikuar, thonë analistët, sepse emigrantët u përdorën si armë nga Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.
“Kjo ishte hakmarrje për mbështetjen që vendet e Bashkimit Evropian u dhanë kundërshtarëve të tij politikë, si dhe për sanksionet e vendosura nga BE ndaj Bjellorusisë pas zgjedhjeve të manipuluara më 2020”, thotë Agneszka Kubal, ekserte e të drejtave të migrimit.
Presidenti Lukashenko lehtësoi procedurat e marrjes së vizave për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Azia jugore – duke përfshirë Irakun, Sirinë dhe Iranin.
Evropa e akuzon zotin Lukashenko se po i josh emigrantët në Bjellorusi, për t’i dërguar ata më pas drejt kufirit të BE-së. Lukashenko i mohon akuzat.
Emigrantët e parë kaluan kufirin me Lituaninë në korrik. Në gusht, një numër shumë më i madh emigrantësh u mblodh në kufirin polak.
Autoritetet polake reaguan me shpejtësi për të siguruar kufirin, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe duke bllokuar qasjen për gazetarë dhe grupet humanitare.
Emigrantët, që synonin të kërkonin azil në Poloni, u kthyen mbrapsht, shpesh herë me dhunë, nga autoritetet polake, por, ushtarët bjellorusë i detyronin përsëri të kalonin kufirin pëpr në Poloni. Shumë prej tyre thonë se janë rrahur dhe kërcënuar, ndërsa nuk kishin nga të shkonin.
“Pothuajse të gjithë po vdesin nga të ftohtit, uria dhe gjithçka”, thotë një emigrant.
Polonia akuzon Bjellorusinë për luftë hibride.
“Ne e dimë se ky është një operacion i menduar mirë, që ka për qëllim dëmtimin e sovranitetit tonë. Regjimi i Lukashenkos po përdor njerëzit si armë në një luftë hibride”, thotë Kryeministri polak Mateusz Morawiecki.
Polonia miratoi ligje emergjente për të tejkaluar krizën.
“Ligjet e reja i dhanë përparësi largimit të njerëzve në drejtim të kufirit, para njohjes së kërkesave të tyre për azil. Nga njëra anë, Evropa duket si fener i të drejtave të njeriut dhe demokracisë, por nga ana tjetër sheh këto praktika ligjore shumë të dyshimta”, thotë ekspertja Kubal.
Evropa vendosi më shumë sanksione ndaj Bjellorusisë.
Ndërkohë, Rusia i dha mbështejte Presidentit Lukashenko ndërsa fajësoi Evropën për krizën humanitare.
Pas mbylljes së rrugëve efektive drejt Evropës, numri i emigrantëve ka rënë. Qindra persona janë kthyer në vendet e tyre. Megjithatë, analistët nuk besojnë se kriza është afër fundit.
“Lukashenko do të përdorë strategjinë që funksionoi gjatë verës dhe vjeshtës, futja e grupeve të vogla të njerzve përmes kufirit malor”, thotë analistja Kubal.
Tensionet gjeopolitike dhe fluksi i emigrantëve formuan një krizë të re në krahun lindor të Evropës, që duket se do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022./voa
Fraksion.com