A është e dënuar të zhduket specia njerëzore?
Po. Raca njerëzore është e destinuar të zhduket një ditë. Sado e trishtë që mund të tingëllojë kjo, kështu do të shkojnë gjërat, çfarëdo që të bëjmë ne. Dhe këtë na e tregon edhe historia: shumica dërrmuese e specieve të gjalla që kanë banuar në planetin tonë – mbi 99.9 për qind e tyre – janë zhdukur.
Pasi ta kemi pranuar këtë me qetësi, mund të kalojmë në pyetjen tjetër:Kur do të zhdukemi? Këtu gjërat bëhen interesante, dhe hyjmë në fushën e përgjigjeve më pak të qarta. Çështja është shumë komplekse, pasi faktorët dhe variablat e përfshirë janë të shumtë dhe të lidhur me njëri-tjetrin, në një mënyrë që nuk është lehtësisht e kuptueshme, dhe të paktën pjesërisht e paparashikueshme.
Për t’u orientuar, hapi i parë i komunitetit shkencor është sërish duke parë se çfarë ka ndodhur me speciet e tjera. Për shembull, paleontologu dhe biologu evolucionar Nikolas R. Longriç e përmblodhi këtë në një ese të botuar në “The Conversation”. Cilat janë tiparet e specieve tona? Çfarë na bën më të prekshëm, apo më rezistencë se të tjerët?
Gjaknxehtë dhe gjakftohtë
Sipas Longriç një element i rëndësishëm, lidhet me të qenien si specie të mëdha dhe me gjak të ngrohtë. Kafshët me gjak të ftohtë mund të mbijetojnë për muaj me radhë pa ushqim. Më të mëdhenjtë, si njerëzit apo dinozaurët, kanë zakonisht një metabolizëm më të shpejtë. Për rrjedhojë kanë nevojë për sasi të mëdha ushqimi që duhen konsumuar vazhdimisht, gjë që i bën ata veçanërisht të ndjeshëm edhe ndaj ndërprerjeve të shkurtra në zinxhirin ushqimor.
Jetëgjatësia dhe ngadalësia riprodhuese
Një faktor tjetër, lidhet me jetëgjatësinë e species sonë dhe mundësinë për të pasur vetëm një pasardhës në të njëjtën kohë (përveç lindjes së binjakëve, që në çdo rast janë ngjarje të rralla). Një riprodhim i tillë i ngadaltë, e bën më të vështirë rikuperimin pas një rënieje të mundshme demografike, dhe mbi të gjitha i jep fund përzgjedhjes natyrore.
Kjo do të thotë se speciet tona, nuk janë veçanërisht të shpejta në përshtatjen ndaj ndryshimeve mjedisore. Henri Gi, biolog evolucionar që është marrë shumë me këtë temë, thotë se popullsia njerëzore është rritur shumë shpejt dhe rezultati i këtij bumi demografik, është një ndryshueshmëri e vogël gjenetike midis individëve.
“Ka më shumë ndryshueshmëri gjenetike tek disa bashkësi shimpanzesh, sesa në të gjithë popullatën njerëzore. Dhe kjo mungesë e ndryshueshmërisë gjenetike, nuk është asnjëherë mirë për mbijetesën e një specieje”- thekson ai.
Jemi të shumtë në numër (të paktën tani për tani)
Sipas vlerësimeve më të fundit të OKB-së, popullsia e Tokës do të arrijë në 11 miliardë njerëz deri në fund të këtij shekulli. Biomasa jonë e tejkalon atë të gjithë gjitarëve të egër. Edhe nëse një luftë pandemike apo termonukleare do të eliminonte 99 për qind të popullsisë së tokës, miliona njerëz do të mbijetonin, një numër ky i mjaftueshëm për ta ripërtërirë specien tonë.
Por sa të besueshme janë këto shifra? Sa do të zgjasë rritja e popullsisë? Gi argumenton se në kundërshtim me vlerësimet e shumta, popullsia globale mund të nisë të bjerë së shpejti, për shkak të një përzierje faktorësh ekonomikë (produktiviteti ka ngecur prej rreth 20 vjetësh, burimet natyrore nuk janë të pafundme), sociale (gratë priren të shtyjnë gjithnjë e më vonë momentin e lindjes fëmijë) dhe kujdesit shëndetësor (i ashtuquajturi spermokalips, pra rënia progresive e pjellorisë mashkullore për shkak të ndotjes, ushqyerjes së dobët dhe stilit sedentar të jetesës. Këto të dhëna- thotë shkencëtari – tregojnë se “njerëzimi po shkon drejt zhdukjes”.
Ne jemi kudo, dhe jemi “gjeneralistë”
Fatmirësisht ka ende diçka që funksionon në favorin tonë. Për shembull, fakti që ne jemi praktikisht të kudondodhur në Tokë. “Organizmat e shpërndarë mirë gjenetikisht, janë më të afta të përballojnë fatkeqësitë. Një përhapje e madhe gjeografike, do të thotë të mos i kesh të gjitha vezët në një shportë. Nëse shkatërrohet një habitat, speciet mund të mbijetojnë në një habitat tjetër”- shkruan Longriç.
E njëjta gjë vlen edhe për dietën tonë ushqimore. Fakti që ne nuk varemi nga një burim i vetëm ushqimor, mund të na ndihmojë që të mos zhdukemi kaq shpejt. Në varësi të disponueshmërisë së ushqimit, ne mund të jemi barngrënës, peshkngrënës, mishngrënës, dhe gjithçka-ngrënës.
Ne kemi “kulturën e përshtatjes”
Megjithatë, faktori më i rëndësishëm është një tjetër, dhe ai ka të bëjë me atë që Longriç e quan aftësia jonë për t’iu përshtatur nëpërmjet evolucionit kulturor. Është e vërtetë, që nga pikëpamja gjenetike jemi shumë të ngadaltë në evoluim. Por kjo ngadalësi kompensohet nga një shpejtësi ekstreme të evolucionit kulturor.
“Balenave iu deshën miliona vjet për të evoluar hidrolokatorin, pendët dhe dhëmbët; ndërsa neve vetëm disa mijëvjeçarë për të ndërtuar varka. Ndërkohë, evolucioni ynë e kulturor tejkalon edhe atë të viruseve. Gjenet virale evoluojnë brenda pak ditësh, ndërsa njerëzve u duhen vetëm disa sekonda për të larë duart”-thotë Longriç.
Çfarë duhet të presim
Ne kemi qenë në “kreshtën e dallgës” për më shumë se 250.000 vjet. Nga sa kemi parë, mund të mbetemi atje për një kohë të gjatë. Por ndoshta, në këtë pikë, do të ishte e përshtatshme t’i bënim vetes një pyetje tjetër:Si duam të mbijetojmë? A na mjafton thjesht mbijetesa, apo duam diçka më shumë?
A ndihemi gjithsesi mirë me idenë e të jetuarit në një mjedis armiqësor, post-apokaliptik, ndoshta duke u zhvendosur nën tokë, për t’i shpëtuar rrezatimit të një lufte bërthamore, apo për t’u strehuar nga një klimë gjithnjë e më e keqe? Duhet të mendojmë seriozisht mbi këto, para se të jetë tepër vonë. /Wired, Bota.al
Fraksion.com