Sali Berisha: Nëse Basha nuk largohet, në 8 Janar protestë kombëtare. Marrim ndërtesën e PD
5 Janari 2022 është afati i fundit që Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i ka lënë Lulzim Bashës që të largohet nga zyra pas referendumit për shkarkimin e tij.
I ftuar në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, Berisha u shpreh se nëse Lulzim Basha nuk largohet nga zyra më 5 Janar 2022, atëherë në datë 8 Janar do të ketë protestë kombëtare ku do të marrin pjesë 44 mijë anëtarët që votuan në referendum për shkarkimin e Bashës.
Më pas, 44 mijë anëtarët, shpjegoi Berisha, do të marrin në dorëzim selinë e Partisë Demokratike.
Ish-Kryeministri i ka bërë thirrje Lulzim Bashës që të respektojë vendimin e anëtarësisë që votoi në referendum për shkarkimin e tij.
“Në qoftë se i ka ngelur një nanogram në koshiencën e tij, ai nuk e pret atë datë por respekton vendimin e 40 mijë anëtarëve, po s’e bëri, data 8 do jetë datë proteste e fuqishme, është përcaktuar datë proteste kombëtare, 44 mijë anëtarë të Partisë Demokratike që firmosën të bëjnë historinë do të marrin në dorëzim ndërtesën e Partisë Demokratike. Kjo nuk ka asnjë lloj diskutimi.
Nuk ka njeri që këtë vendim mund ta pengojë, e vetmja gjë që bëmë ishte që shtymë në kohë, i dhamë kohë, por vendimi dhe ekzekutimi i vendimit është pa apel, e ka vetëm anëtarësia. Referendumi ka vendosur që Lulzim Basha është thjesht deputet i Partisë Demokratike, uroj që ai ta lexojë këtë mesazh siç e kanë lexuar gjithë shqiptarët. 44 mijë anëtarë do të vijnë në Tiranë te selia për të shpëtuar pluralizmin. Në qoftë se 44 mijë anëtarë vendosin shkarkimin e kryetarit dhe atë e mban Edi Rama… Ky është një revolucion, ata që mendojnë ndryshe e kanë gabim”, u shpreh Sali Berisha.
“Megaskandali Ramagate shënon rrënimin e shtetit shqiptar. Shqipëria sot për mua shëmbëllen një ndërtesë të cilën zotërit e saj vodhën gjithçka të brendshme, u kthye në fund vodhën trarë dhe tjegulla dhe e kanë lënë atë në natyrë. Ky është skandali më i madh në botë kur një shtet të gjithë databazën e tij dixhital e vë në dispozicion të krimit, duke terrorizuar çdo qytetar me këtë akt.Po marrim rrogat. Rroga dëshmon së pari që ky është thjesht një piramidë e vërtetë ku dominon fund e krye mashtrimi. Nxjerrja e rrogave në shesh mbjell sherrnajën më të madhe në familjet shqiptare. Sepse familjet sot janë realisht me kontributorë si aksionerë, ku anëtarët nuk dëshmojnë se sa marrin por përcaktojnë kuotën që japin, por kjo është shumë e rëndë. Kjo ngjall një sherr të përgjithshëm brenda familjeve.
Fraksion.com