AktualitetBota+Të fundit

VOA: Afrimi me Rusinë, largon Turqinë nga ShBA

Takimi i 29 shtatorit mes presidentëve të Rusisë dhe Turqisë vuri në dukje angazhimin e të dyja palëve për të thelluar marrëdhëniet. Por afrimi i Stambollit me Kremlinin mund të ketë kosto të lartë për lidhjet e Turqisë me aleatin e NATO-s, Shtetet e Bashkuara.

Në takimin e tij të fundit me Presidentin rus Vladimir Putin, Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan njoftoi se vendi i tij është gati të rrisë blerjet ushtarake ruse dhe ndoshta të bashkëpunojë për prodhimin e nëndetëseve dhe raketave.

“Në të kaluarën marrëdhëniet e Turqisë me perëndimin, janë përkeqësuar ndjeshëm. Ndoshta në pesë vitet e fundit, Truqia e ka edhe më të vështirë të marrë teknologji dhe pajisje nga kompani ose vende perëndimore”, tha për Zërin e Amerikës analisti i çështjeve të mbrojtjes Arda Mevlutoglu.

ShBA e përjashtoi Turqinë nga programi i saj i avionëve luftarakë F-35, pasi Ankaraja bleu sistemin kundërajror të raketave S-400 nga Rusia dhe i vendosi kufizime për blerjen e pjesëve rezervë. Uashingtoni thotë se blerja e sistemit rus minon sistemet mbrojtëse të NATO-s.

Ndërsa rivali i Turqisë, Greqia kërkon modernizimin e forcave të saj ajrore me avionët e fundit luftarakë evropianë dhe amerikanë, Ankaraja thotë se embargoja e Uashintonit po e detyron atë të drejtohet nga Rusia.

Pas takimit me Putinin, Presidenti Erdogan duket se është gati t’i acarojë më tej marrëdhëniet me Uashingtonin, duke sugjeruar blerjen e raketave të tjera S-440 nga Rusia, një lëvizje që Uashingtoni thotë se mund të shkaktojë sanksione të mëtejshme.

“Kjo është bërë një çështje krenarie publike, duke pohuar pavarësinë dhe sovranitetin e Turqisë, se Turqia nuk është peng i Shteteve të Bashkuara, ose nën mëshirën e NATO-s”, tha për Zërin e Amerikës Sehat Guvend nga Universiteti Kadir Has.

Një anije luftarake ruse kthehet në atdhe përmes Stambollit, pas operacioneve në mbështetje të regjimit sirian. Mbështetja e Turqisë për rebelët sirianë, është një tregues, se ekzistojnë dallime të rëndësishme midis Moskës dhe Ankarasë.

Rivalët historikë, Turqia dhe Rusia, janë palë kundërshtare edhe në konfliktet e Ukrainës, Kaukazit dhe Libisë. Por analistët thonë se rëndësia që Erdogani ka për politikën e Putinit mund të ndryshojë qasje.

“Erdogani është lojtari më i përshtatshëm që Putini mund ta përdorë kundër Perëndimit. Putini dëshiron krijimin e përçarjeve mes Turqisë, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara dhe Erdogani e luan këtë rol shumë mirë“, thotë kolumnisti i portalit të lajmeve Duvar, Ilhan Uzgel.

Ndërsa marrëdhëniet e Erdoganit me Putninin thellohen, shtohen pikëpyetjet mbi angazhimin e Turqisë ndaj aleatëve të saj tradicionalë perëndimorë.

 

Fraksion.com