AktualitetTë fundit

“Të dhënat mbi pagat e 637 mijë shqiptarëve”; Zëri i Amerikës: Në fokus Drejtoria e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve shoqërore

Prokuroria bëri të ditur se ka nisur menjëherë hetimet. Qeveria nga ana e saj tha se nuk rezulton të ketë ndodhur ndonjë eksport dixhital i bazës së të dhënave, duke folur megjithatë për një “ndërhyrje kriminale në bazën e të dhënave të pagave. Presidneti Ilir Meta e cilësoi publikimin e të dhënave një shkelje flagrante dhe një skandal të përsëritur, duke kujtuar publikimin e të dhënave personale të mbi 900 mijë qytetarëve pak para zgjedhjeve. Ndërsa Partia Demokratike është e bindur se dhe të dhënat që po qarkullojnë së fundmi kanë qenë pjesë e strategjisë së qeverisë për qëllimet e saj elektorale

Materiali që po qarkullon lirisht nëpër telefonat e qytetarëve të shumtë përmban të dhëna personale si numrin e kartës së identitetit, e gjthashtu numrin e identifikimit të shoqërisë ku janë punësuar, përfshirë dhe pozicionin e punës.

Prokuroria e Tiranës, bëri të ditur se ka nisur hetimet. Në fokus janë Drejtoria e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve shoqërore, dy institucionet që i zotërojnë këto të dhëna.

Zëdhënësi i Qeverisë Endri Fuga bëri të ditur se “analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar – prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim”dhe se ky dokument rezulton të jetë “një bashkim i disa copave të ndryshme”, duke qenë se disa formulime nuk i korrespondojnë formatit zyrtar. Megjithatë në deklaratën e qeverisë flitet për “ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve” gjë për të cilën njoftohet se Ministria e Financave po përgatit denoncimin në Prokurori.

Mbi qarkullimin e këtyre të dhënave u shpreh dhe presidenti Ilir Meta. Ai foli për “shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës” e duke e cilësuar “një rast paligjshmërie i përsëritur, pas skandalit të patronazhistëve”.

Para zgjedhjeve të 25 Prillit portal Lapsi.al, zbuloi se të dhënat personale të 900 mijë qytetarëve, kishin përfunduar në duart e Partisë Socialiste për qëllime elektorale. Për hetimin e nisur mbi këtë rast nuk ka ende asnjë informacion. Socialistët i dolën në mbrojtje skemës së patronazhistëve, ndërse vetë kryeministri Edi Rama, nuk e konsideroi problem publikimin e të dhënave personale. Kjo çështje ishte një nga shqetësimet e ngritura dhe në raportin e vëzhguesve ndërkombëtar për zjedhjet e 25 prillit.

Partia Demokratike u shpreh sot e bindur se dhe kjo listë, që i përket Janarit të këtij viti, është sipas saj pjesë e strategjisë së parties në pushtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale. Nënkryetari Enkelejd Alibeaj tha se “pagat dhe të dhënat sensitive të qytetarëve janë tanime në pazar, në duart e keqbërësve” dhe se përgjegjës për atë që e cilësoi “skandal të përmasave të jashtëzakonshme” është kryeministri Rama.

 

Fraksion.com