Shqipëri, konfirmohen dy rastet e para të variantit Omicron
Në Shqipëri autoritetet njoftuan sot se janë konfirmuar dy rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit. Bëhet fjalë për një grua dhe fëmijën e saj të infektuar nga kryefamiljari, pas një vizite që ky i fundit kishte kryer në Zagreb. Në fakt kanë qenë autoritetet kroate që kanë njoftuar palën shqiptare, pasi kanë zbuluar kontaktet e një qytetari të tyre të prekur, mes të cilave kishte qenë dhe një grup shqiptarësh.
Konfirmimi për dy rastet e para erdhi nga një laborator reference në Gjermani, ku deri më tani janë dërguar 221 mostra të dyshuara. Të dy personat e prekur nga Omicron, rezultojnë të kenë qenë me simptoma të lehta. Sipas asaj që bëri të ditur sot kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, “në Shqipëri vijon të jetë mbizotërues variant Delta”.
Pavarësisht konfirmimit të pranisë së variantit Omicron, autoritetet bënë të ditur se nuk do të ketë një ashpërsim të masave kufizuese, përkundrazi, për natën e ndërrimit të viteve do të hiqet ora policore.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Eugena Tomini, tha sot se javët e fundit ka patur një rënie të rasteve. Incidenza dyjavore, ka zbritur nga 171 në 140 raste për 100 mijë banorë. Edhe në spitale gjendja paraqitet e qëndrueshme, me një mesatare prej 140 pacientësh. Sipas drejtoreshës së spitalit Infektiv, Najada Çomo 70 përqind e rasteve janë me forma të mesme dhe të rënda të sëmundjes, dhe vetëm 20 përqind, janë në gjendje kritike. Ajo që bie në sy është se 30 përqind e të shtruarve janë të moshës 19-45 vjeç. Ndërkohë 90 përqind e atyre që përfundojnë në spital rezultojnë të pavaksinuar.
Për këtë arsye autoritetet përsëritën sot me forcë rëndësinë e vaksinimit. Aktualisht në nivel popullate rezulton që 40 përqind e saj të ketë marrë të paktën një dozë. Ndërsa pjesa mbi 16 vjeç, arrin në 50 përqind me të paktën një dozë. Në muajt tetor dhe nëntor u rregjistrua një rënie e fortë e ritmeve të vaksinimit, ndërsa në dhjetor po vërehet një rritje e lehtë, por që mbetet ende shumë larg mesatares ditore në muajt gusht dhe shtator.
Fraksion.com