AktualitetPolitikëTë fundit

Publikimi i të dhënave për pagat, Rama: Prokuroria të hetojë

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot Prokurorisë të hetojë imtësisht çështjen e  publikimit të pagave të qytetarëve.

Në një konferencë për shtyp, Rama u shpreh se, “do të dëshiroja të flisja për një vendim shumë të rëndësishëm që kemi marrë lidhur me një nismë të re të qeverisë për të rritur dhe çuar në një nivel tjetër ndërveprimin me qytetarët, por sot duke pasur parasysh edhe ngjarjen e daljes në kanalet e komunikimit whatsapp të të dhënave mbi pagat, e kam shumë të qartë që nisma do të humbte në vëmendjen tuaj dhe ndërkohë, me plot të drejtë opinioni publik do të dijë qëndrimin tim dhe të qeverisë lidhur me këtë çështje sensitive. Prandaj nesër me gjasë do të bëjmë një komunikim për nismën”.

“Ndërkohë që sot ju kemi ftuar për të folur për ngjarjen e qarkullimit në rrjetet e whatsapp të të dhënave mbi pagat e qytetarëve të Republikë së Shqipërisë”, tha Rama.

“Në radhë të parë dua t’u kërkojë një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe ndërkohë, dua ta nënvizoj që në fillim se kjo është një ngjarje, e cila meriton të hetohet imtësisht”, u shpreh Rama.

“Uroj, shpresoj dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatues, prokurorisë që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre. Dhe nga ana tjetër dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim, nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar, për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që s’është e para. Dhe duke pasur parasysh, edhe deklaratat e bëra nga Foltoret e Kuvendeve të antiKuvendeve, mund të mos jetë e fundit”, nënvizoi Rama.

Prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “thirrja ime për prokurorinë është që të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen, jo vetëm të gjithë, pa përjashtim, inspektorët e tatimeve, të cilët kanë akses në sistemin e pagave, për arsye të punës. Ata që aktualisht punojnë në këtë sistem apo të tjerë që mund të jenë larguar ndërkohë nga ky sistem, në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri sot, por edhe ata që nga Foltoret e Kuvendeve të antiKuvendeve paralajmërojnë zymtira të tjera”.

Rama tha se, “dëshiroj të sqaroj se këtu kemi të bëjmë me një ndërhyrje, e cila natyrisht duhet hetuar deri në fund për prejardhjen e saj, por që nga analiza paraprake, ngjan shumë më tepër si një ndërhyrje nga inflitrimi i brendshëm dhe jo nga inflitrimi i jashtëm, në formën e një sulmi kibernetik. Gjë që ndodh edhe kjo”.

“Nuk jemi ,as të parët, as të fundit, nëse i referoheni vetëm periudhës së fundit kohore. Pra le të themi, viteve 2019-2020-2021. Ngjarje të tilla kanë ndodhur në shumë vende me kapacitete shumë të larta edhe të mbrojtjes kiberentike, që nga SHBA-të, Rusia, nga Britania e Madhe në Kanada, e me radhë, e me radhë. Dhe kjo është një sfidë e re e kohës”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri u shpreh se, “dëshiroj të theksoj një fakt që është shumë i rëndësishëm, sepse sot qytetarët dëshirojnë me të drejtë të dinë sa të sigurta janë ndërveprimet e tyre me sistemin tonë të ndërveprimit digjital, që në rastin konkret me sistemin e tatimeve, kemi të bëjmë me një program dhe me një sistem digjital të krijuar më shumë se 8 vite më parë. Me një kredi të butë të një vendi të BE-së dhe ku janë angazhuar forca teknike të përbashkëta, të atij vendi dhe të vendit tonë që janë qysh në krye të herës, administratorë të këtij sistemi”.

“Pse e them këtë? Në asnjë mënyrë për të hedhur hije dyshimi mbi ta, por për të thënë që ky sistem si dhe ndonjë sistem tjetër i përkasin një trashëgimie me të cilën po punohet vijimësisht në një proces integrimi të plotë, të sistemit të mbrojtjes, që nuk është diçka e lehtë për t’u bërë”, tha Rama.

“Prandaj kam ardhur këtu me Drejtoren e AKSHI-t, sepse ajo disponon të gjithë njohurinë teknike për të sqaruar opinionin publik përmes pyetjeve tuaja për integritetin e plotë të sistemit të të dhënave të AKSH-it, i cili është një sistem ku kryhen miliona e miliona ndërveprime, i cili është një sistem që rrit përditë garancinë e integritetit të të dhënave”, u shpreh  Rama.

Këto dy aspekte, shtoi kryeministri, “aspekti i punës dhe i gjithë ndërveprimeve të AKSHI-t me aspektin që lidhet me ngjarjen dhe me sistemin e tatimeve nuk janë në asnjë formë teknikisht të lidhura me njëra-tjetrën. Kjo për të siguruar të gjithë qytetarët për integritetin e plotë të të dhënave”.

“Thënë kjo, siç thashë dhe më parë, kur solla shembullin e vendeve të tjera, ne jemi të ekspozuar, siç janë të gjithë të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike dhe AKSHI që është një institucion që funksionon me tre shtylla, programimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, kërkimin shkencor dhe kjo në funksion të programimit, por edhe mbrojtjen kibernetike, që është pjesë e punës së AKSHI-t, përballet rregullisht në mënyrë të përjavshme, për të mos thënë të përditshme me sulme kibernetike që nuk bëhen publike, por janë të gjitha në protokollet e AKSHI-t”, tha Rama.

“Për të forcuar sistemin tonë të mbrojtjes, ne po punojmë në bazë të marrëveshjes me qeverinë amerikane të tetorit për të përfshirë në këtë sistem një prej forcave më të mëdha të ekslencës të mbrojtjes kibernetike që është General Jones, kompania që mban emrin e krijuesit të saj gjeneralit Jones, që ka qenë drejtues i të gjithë forcave të NATO-s dhe eventualiteti i një sulmi kibernetik është minimal, për të mos thënë zero, se s’mund të përjashtojmë asnjëherë deri në fund. Dhe eventualiteti i një ndërhyrje nga brenda në sistem, pra ai një inflitrimi përmes individësh është shumë i lartë”, u shpreh kryeministri.

Kështu që, shtoi kryeministri, “ndërkohë që përforcimi i mureve mbrojtëse të këtyre sistemeve vazhdon në mënyrë sistematike, në këtë rast është jashtëzakonisht e rëndësishme që të bëhet një hetim i thellë. Një hetim me ekspertë të fushës, sepse nuk është një hetim i zakonshëm dhe të thirren dhe të pyeten dhe të merren në hetim të gjithë inspektorët, siç thashë, që kanë akses në sistem. Sepse ky është një sistem i hapur, është një sistem pune dhe nuk mund të imagjinohet ndryshe përveç se si një sistem i hapur pune për ata që aksesojnë”.

“Duke qenë se sistemi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që lë gjurmë për çdo ndërhyrje dhe duke qenë se nuk dallohen gjurmë në sistem, atëherë mundësia e infiltrimit dhe e shfrytëzimit kriminal të sistemit, përmes veprimeve mekanike, është shumë e lartë. Që do të thotë, këtu kemi të bëjmë me faktorin njerëzor. Dhe duke qenë se sistemi gjithsesi është një sistem relativisht i vjetër, atëherë ky ekspozim është më i lartë”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë që AKSH-i sot ka hyrë në një fazë të re duke filluar të përdorë teknologjinë block-chain, që është një teknologji shumë më e avancuar, e cila e bën krejtësisht të pamundur çdo lloj veprimi edhe manual mbi sistemin, pra mekanik, pasi jo vetëm, çdo veprim digjital lë gjurmë, po dhe çdo futje e çdo personi në momentin që futet në sistem është e regjistruar. Dhe çdo lloj lëvizje e mausit, e miut digjital, është e regjistruar dhe çdo lloj tërheqje e të dhënave është e pamundur. Nuk ka mundësi, që me USB-ra dhe me historira të tilla të tërhiqen”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com