AktualitetTë fundit

Skandal me të dhënat private, pagat e mbi 637 mijë shqiptarëve dalin në publik!

Një skandal ka ndodhur me të dhënat private të shqiptarëve ku janë publikuar pagat e tyre, krahas së cilës tregohet edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë. Pagat e mbi 637 mijë punonjësve në sektorin publik dhe atë privat kanë rrjedhur në rrjetet sociale duke bërë që çdokush të ketë akses në të dhënat personale të tyre.

Lista e pagave, një dokument në formatin “excel” është duke qarkulluar në “Whats App” duke përbërë një shkelje flagrante të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë. Fraksion.com siguron listën e këtyre të dhënave, por që ka zgjedhur të mos e publikojë për ruajtjen e të dhënave personale.

Kjo ka bërë që Prokuroria e Tiranës të nis menjëherë hetimet për Drejtorinë e Tatimeve nga dyshohet se mund të ketë rrjedhur informacioni. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që të jetë ndërhyrë nga jashtë në serverat e këtyre dy institucioneve, por që pritet që gjithçka të zbardhet nga hetimet. Në rast se verifikohen ndërhyrje në servera, ato do të sekuestrohen.

Rrjedhja e këtyre të dhënave rrezikojnë dhe vjedhjen e identitetit apo abuzimet në rrjetet financiare apo bankare para keqbërësve dhe hakerave.

Lista i përket muajit janar 2021, ku nga të dhënat rreth 40 mijë persona kanë të ardhura nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë në muaj, 59 të tjerë kanë rrogë nga 2 milionë deri në 4 milionë lekë, ndërsa 23 persona kanë pagë nga 4 milionë deri në 50 milionë në muaj.

Qeveria mohon që ky informacion të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë dhe se dokumenti që ka rrjedhur nuk ka të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon kjo ministri, nuk përmban emrin e plotë dhe se është bashkim i disa copave të ndryshme.

Për skandalin me publikimin e pagave reagoi edhe presidenti Ilir Meta dhe Partia Demokratike. Meta e cilësoi publikimin e këtyre të dhënave personale akt kriminal që rrezikon paqen sociale, ndërsa PD ia faturoi qeverisë duke thënë se është pjesë e skemës së patronazhimit.

 

Fraksion.com