AktualitetPolitikëTë fundit

VOA: Në nismën Ballkani i Hapur, komisioneri europian Varhejli ftoi të bashkohen edhe tre vendet e tjera

Përfaqësues të lartë shtetërorë e qeveritarë të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut po zhvillojnë në Tiranë Takimin e radhës së Nismës “Ballkani i Hapur”.

Ata nënshkruan 5 marrëveshje, që lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve mes tyre, lehtësira kufitare për identifikimin e udhëtarëve, sigurinë ushqimore të mallrave që shkëmbejnë mes tyre.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedon Zoran Zaev ftuan edhe 3 vende të tjera, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, që t’i bashkohen kësaj nisme.

Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhejli, mori pjesë përmes internetit në Takim, duke i nxitur këto tre vende që ta vazhdojnë këtë nismë.

Ai tha se gjithmonë ka qenë shumë pozitiv ndaj kësaj nisme, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë, njëlloj si në BE.

Zoti Varhejli tha se tre politikanët me nismën e tyre e kanë kuptuar rëndësinë e integrimit rajonal dhe kjo mund të përshpejtojë integrimin ekonomik me BE.

“Kjo nismë tregon se rajoni është gati për integrimin dhe po e bën këtë. Çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur në të mirë të Ballkanit dhe të BE-së. Ftoj edhe 3 partnerët e tjerë të bashkohen në këtë nismë, e cila shton punësimin, ekonominë dhe mirëqenien” – tha zoti Varhejli.

Ai shtoi se vetëm nga ky bashkëpunim dhe përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal mund të rritet me 1/3 Prodhimi i Brendshëm Bruto për secilin vend.

Zoti Varhejli tha se janë mjaft të dobishme lehtësirat kufitare, njohjet e diplomave dhe dokumente të tjerë.

“Nuk ka kuptim që të lidheni me rrugë e trena dhe të ndaloni gjatë në çdo kufi. Ju nxis të vazhdoni dhe shpresoj që edhe të tre partnerët e tjerë t’iu bashkohen. Nuk e fsheh keqardhjen time që ende nuk kemi bërë konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ka ardhur koha që kjo të ndodhë dhe të sjellim në tryezë gjithë marrëveshjet” – theksoi komisioneri Varhejli.

Në hapje të takimit kryeministri Edi Rama përsëriti thirrjen për tre vendet e tjera në këtë “nismë tërësisht përfshirëse”, sepse injekton dinamizëm në bashkëpunim rajonal.

“Ballkani i Hapur është një aspiratë më shumë se sa një nismë. Çdo marrëveshje këtu i afron vendet tona me BE, ndaj vendet e tjera të Ballkanit perëndimor duhet të na bashkohen” – tha zoti Rama.

Ai tha se marrëveshjet e sotme për lehtësimin e eksporteve, kafshëve të gjalla, shkëmbimin e lirë të punëtorëve dhe mallrave janë një tjetër hap do të garantojnë 4 liritë europiane.

Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se kjo nismë është shumë më e madhe se ne të tre së bashku.

“Kjo është një nismë, që do të përgatitë të ardhmen e fëmijëve tanë, të lidhim qytetarët tanë me njëri tjetrin, ata që deri dje kanë menduar më shumë për të shkuarën se sa për të ardhmen”.

Edhe ai theksoi se ky është një proces gjithëpërfshirës dhe vendet e tjera janë të mirëpritura.

“Nëse duan, ata janë të mirëpritur, por nuk kemi pse t’u kërkojmë ndjesë atyre pse ata nuk duan. Ata duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre pse nuk janë këtu. Kur të shohin përfitimet ata do të vijnë” – tha zoti Vuçiç.

Kryeministri Zoran Zaev tha se së bashku janë hedhur hapa të dukshëm, ndonëse shprehu shqetësimin pse ende nuk janë zhvilluar konferencat ndërqeveritare me BE-në.

“Gjatë kësaj nisme kemi theksuar se kjo është e hapur për të gjithë vendet në rajon. Ne në Ballkanin perëndimor dimë të punojmë së bashku dhe dimë të arrijmë suksese” – tha zoti Zaev.

Përkrahës të opozitës zhvilluan një protestë para selisë së qeverisë një natë më parë kundër Nismës Ballkani i Hapur.

Folësit kryesorë pohuan se ajo është në dëm të Shqipërisë dhe Kosovës dhe i shërben vetëm mbizotërimit serb në rajon.

 

Fraksion.com