AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Rama: “Ballkani i hapur”, nismë gjithëpërfshirëse

Kryeministri Edi Rama përsëriti sot thirrjen ndaj të gjitha vendeve të rajonit që të bëhen pjesë e “Ballkanit të hapur”, pasi është një nismë tërësisht përfshirëse.

Në fjalën e hapjes së seancës plenare të samitit “Open Balkan”, që po zhvillon punimet në Tiranë, kryeministri Rama u shpreh se “sot është një moment kyç i procesit, sepse marrëveshjet që do të nënshkruhen, do të përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm para drejt objektivit tonë për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve”.

“Më lini që të kaloj nëpër secilën shtyllë të ‘Ballkanit të hapur’, duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë, pasi është një nismë tërësisht përfshirëse dhe, sigurisht, duke inkurajuar të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekje. Por ndërkohë ne po ecim para, pasi kjo është ajo që duhet të bëjmë për njerëzit tanë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot do të nënshkruhet një marrëveshje tripalëshe në fushën e lehtësimit të lëvizjes së mallrave. “Marrëveshja synon lehtësimin e import-eksporteve, si dhe zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit që është nënshkruar tashmë”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri tha se “sot nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, ushqimit, sigurisë ushqimore dhe asaj fitosanitare në Ballkanin Perëndimor”.

“Marrëveshja përfaqëson një gur kilometrik në drejtim të eksporteve, sigurisë ushqimore dhe krijon mundësi për bizneset dhe prodhuesit tanë bujqësor. Ajo heq në praktikë një pengesë të dëmshme për fermerët e prodhuesit”, tha Rama.

Rama tha se, “Ballkani i Hapur” është aspiratë sa është edhe nismë, ndaj çdo shembull i bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh është një hap para, që e hap Ballkanin dhe e përgatit për integrimin në BE dhe për tregun e përbashkët të BE-së”.

Kryeministri theksoi se “bashkëpunimi ynë tripalësh përplotësohet nga bashkëpunimi i përshpejtuar dypalësh”.

“Ne po nënshkruajmë sot marrëveshje dypalëshe midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe Serbisë për njohjen e ndërsjelltë të operatorëve të autorizuar ekonomik duke shënuar një hap përpara në lehtësimin e procedurave tregtare midis nesh. Ekipet tona kanë bërë një punë të shkëlqyer për të finalizuar protokollet e zbatimit për marrëveshjen kuadër midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve që është nënshkruar qershorin e kaluar”, tha ai.

Në fushën e lirisë së lëvizjes së njerëzve, Kryeministri theksoi se “ne po bëjmë një përparim real sot duke nënshkruar marrëveshjen trepalëshe për heqjen e lejeve të punës, duke minimizuar dhe njehësuar kërkesat tona për qytetarët, që ata të kërkojnë punësim e për pasojë të lejohen të qëndrojnë në vendet tona”.

Kryeminstri theksoi se “duke bërë një gjë të tillë ne flasim për gjëra realisht konkrete dhe po ndërmarrim hapa vërtetë domethenëse përpara për të liberalizuar tregjet tona të punës, për më shumë mundësi për qytetarët tanë, e duke e bërë rajonin më tërheqës për investimet e huaja”.

Ne, tha Rama, duhet ta hapim rajonin përkundrejt lëvizshmërisë së gjithë studentëve, profesionistëve, investuesve dhe të vetëpunësuarëve”.

Nëë fushën e lirisë së lëvizjes së shërbimeve, Rama theksoi se “sot kemi bërë një hap të parë e të rëndësishëm duke përmirësuar ndërlidhjen, që do të thotë hapje e rrugës së ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët tanë”.

Ky hap, vijoi ai, “do të na mundësojë që të zgjerojmë pjesën e shërbimeve që mund të ofrohen elektronikisht për qytetarët tanë, pavarësisht se ku gjenden ata”.

Kryeministri shtoi se “ka ende një gamë të gjerë shërbimesh ku ne mundemi dhe duhet të zgjerojmë bashkëpunimin tonë”.

“Në fushën e turizmit përshembull që është fushë e një rëndësie jetike, sidomos në kontekstin pas pandemisë. Duhet të ecim përpara drejt njohjes së ndërsjelltë të operatorëve turistikë e jo vetëm të ndalemi te bashkimi i këtyre operatorëve turistikë”, tha ai.

Po ashtu, Rama u shpreh se duhet të thellojmë bashkëpunimin në fushën e lirisë së lëvizjes së kapitalit dhe shërbimeve financiare”.

“Të përpiqemi që të tërheqim investues global e europianë drejt rajonit tonë, duke i ofruar atyre një hapësirë tërësisht të re imagjinate dhe zgjerimi. Për ta bërë këtë duhet të bëjmë së pari ndryshime të mëtejshme në çdo mënyrë që mundemi të mendësisë, për të kaluar nga klisehja e konkurencës ose marrjes së një tregu ose një tjetër nga investuesit dhe duke krijuar një treg të përbashkët të rajonit, bazuar në rregulla dhe direktiva të BE-së dhe në bazë të vullentit e autorësisë sonë politike”, shtoi Kryeministri.

Në deklaratën e Samitit të Beogradit, Kryeministri kujtoi se “i kërkuam Bashkimit Europian që të eksplorojë së bashku me ne disa nga fushat kyçe, ku ne mund të kemi qasje graduale në fondet komunitare për të përafruar dhe acquis–të në këtë fushë si novacioni, kërkimi, arsimi i lartë, bujqësia, tregtia dhe shërbimet elektronike”.

“Në përputhje me këtë deklaratë kemi ftuar në samitin në Tiranë rektorë e dekanë të universitetit të bujqësisë së vendeve tona. Kjo është shumë e rëndësishme, që ata të krijojnë lidhje e bashkëpunim pikë së pari përpara se sa të kërkojnë bashkëpunim me homologët europianë. Na duhet t’i bëjmë universitetet tona si qendra të zhvillimit komunitar, gjithashtu dhe qendra të kërkimit për bashkëpunimin rajonal, integrimin europian dhe procese të tjera jetike. Në lidhje me këtë, do të nisim një rrjet të ekspertëve të nivelit të lartë, të monitorojmë zbatimin e  marrëveshjeve të arritura në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe do t’ju kërkoj të gjithë partnerëve rreth kësaj tryeze që ta mbështesni një rrjet të tillë”, tha ai.

Kryeministri Rama theksoi në fjalën e tij se “Ballkani i Hapur” shërben për të injektuar dinamizmin në bashkëpunimin rajonal, teksa zbatimi i shpejtë i 4 lirive të tregut të vetëm, i shërben përgatitjes së vendeve tona që të bashkohen në tregun e përbashkët të BE-së.

“Dua t’ju them se çfarë është në sytë e mi pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme. “Ballkani i Hapur” shërben për të injektuar dinamizmin në bashkëpunimin rajonal, qoftë midis nesh, apo të gjashtëve në kuadër të tregut të përbashkët, CEFTA-s dhe Komunitetit të Transportit. Ne kemi punuar në mënyrë dinamike me Këshillin rajonal, CEFTA-n, dhe Këshillin e Transportit si dhe një sërë institucionesh financiare ndërkombëptare si dhe me Bankën Botërore dhe Digiconect duke modernizuar pikat e kalimit kufitar, me synim për t’i kthyer në sportele të vetme dhe pika të vetme ndalese. Ky bashkëpunim është dypalësh ose tripalësh dhe synimi mbetet i njëjtë, zbatimi i shpejtë i 4 lirive të tregut të vetëm dhe përgatitja e vendeve tona që të bashkohen në tregun e përbashkët të BE-së”, u shpreh ai.

Për kryeministrin Rama, nënshkrimi sot i marrëveshjeve shërben për të përçuar një mesazh mjaft konkret te njerëzit, sidomos te prodhuesit, fermerët eksportuesit, importuesit, të cilët janë tashmë duke punuar në këtë hapësirë të përbashkët.

“Mesazhi është që me këto marrëveshje, 2022-shi do të jetë një epokë e re, fillesa e diçkaje krejt ndryshe për ta, kur vjen fjala e shkuarjes nga pika “A” te pika “B” dhe për të kaluar nëpër kufij të ndryshëm, sepse bazuar në këto marrëveshje dhe ato që do të bëjmë në fillim të vitit të ri, për të plotësuar kuadrin e operacioneve dhe veprimatarive të tyre, ata nuk do të përjetojnë më ato “dhimbje koke” dhe stresin e pritjes në kufij dhe gjithçka do të ecë mirë”, tha kryeministri.

Sipas kryeministrit Rama, përfitues do të jenë jo vetëm ata njerëz apo ndërmarrje që tashmë bashkëpunojnë, por edhe të tjerë.

“Numri i njerëzve, i ndërmarrjve të vogla e mëdha, të cilat tashmë punojmë midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të rritet më tej, sepse kjo ndërlidhje, jo vetëm do të jetë për subjektet që tashmë operojnë, por edhe për të tjerë dhe do ta bëjë të qartë se kjo hapësirë do të bëhet gjithnjë e më tepër dinamike dhe të bërit biznes, qarkullimi i mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve është tashmë një praktikë krejt e re”, deklaroi ai.

 

Fraksion.com