AktualitetKosovaTë fundit

Nënshkruhet marrëveshja: Kosova 300 qeli burgu me qira Danimarkës

300 qeli burgu që Kosova i dha me qira Danimarkës do të mbajnë 300 të dënuar nga Danimarka, që nuk janë të rrezikshmërisë së lartë. Kosova në 10 vitet e ardhshme përfiton 210 milionë euro.

300 qeli burgu të Kosovës i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës, ku të burgosur në këtë shtet do të vuajnë dënimin në Kosovë. Kjo marrëveshje u nënshkrua të hënën (20.12) në Prishtinë nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës Nick Hakkerup dhe ministrja e Drejtësisë  e Kosovës Albulena Haxhiu me anë të një – siҫ u tha – “letër qëllimi”. Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup, tha, se shteti i tij ka kërkuar ndihmë edhe nga vende të tjera për sistemimin e të burgosurve, por Kosova, sipas tij, ishte e para që ka ofruar ndihmë.

Hakkerup: Danimarka do të respektojë të gjitha ligjet për të burgosurit

“Kemi kërkuar ndihmë nga disa vende për ta zgjidhur këtë problem, por Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës sonë dhe është angazhuar pozitivisht më pas në dialog për këtë çështje”, tha Hakkerup duke shtuar se qendrat e paraburgimit që merren me qira nga Kosova do të menaxhohen sipas ligjeve të Danimarkës.

“Menaxhimi do të jetë nën lidershipin e autoriteteve të Danimarkës, por do të ketë trajnim edhe për stafin vendas. Danimarka do të respektojë të gjitha ligjet sa i përket sistemimit dhe trajtimit të të burgosurve”, tha Nick Hakkerup. Sipas tij, Danimarka marrëveshjen e sotme e sheh si një “gurthemel për marrëveshjet e ardhshme”.

“Është një marrëveshje nga e cila do të përfitojmë të dyja palët. Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar. E kemi kontaktuar para një viti qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje do të zgjidhë në një masë të madhe problemet, me të cilat përballemi ne në vendin tonë”, deklaroi Hakkerup. Qeveria daneze pati thënë se projekti synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve që është rritur 19% që nga viti 2015. Numri i të burgosurve në Danimarkë ka arritur në më shumë se katër mijë në fillim të këtij viti.

Haxhiu: Kosova është vlerësuar në aspektin e sundimit të ligjit

Nënshkrimi i marrëveshjes sipas ministres kosovare të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që e quan “letër-qëllim”, është vetëm hapi i parë drejt jetësimit të marrëveshjes finale, e cila për të hyrë në fuqi duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave, sepse kështu kërkohet për marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas saj, “Kosova është vlerësuar në aspektin e sundimit të ligjit”, prandaj ajo thotë se për këtë arsye është përzgjedhur.

“Kjo është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Republikën e Kosovës, sepse paraprakisht është bërë një vlerësim se si shtetet, posaçërisht ato të Ballkanit Perëndimor, i trajtojnë të burgosurit, sa respektohen të drejtat e tyre dhe Kosova ka dalë ndër vendet që më së shumti respekton të drejtat e të burgosurve, sepse natyrisht është barrë e rëndë edhe për Danimarkën që t’i dërgoj në një vend ku nuk respektohen të drejtat e burgosurve”, pati thënë  ministrja Haxhiu dy ditë më parë në një deklaratë.

Por, siҫ shkruan media gjermane “Süddeutsche Zeitung” kjo marrëveshje kritikohet ashpër nga aktivistët për të drejtat e njeriut. Shkak janë kushtet e këqija në burgjet e Kosovës, ku “Komiteti kundër Torturës i Këshillit të Europës, CPT, në vitin 2020 dokumentoi akuza për korrupsion dhe keqtrajtim.

Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit në lindje të Kosovës dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.

Kosova në 10 vitet e ardhshme duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira shtetit të Danimarkës, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh. Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë./DW

 

Fraksion.com