Moderna: Të dhënat paraprake mbi dozat përforcuese, rezultate të mira ndaj Omicron-it
Kompania farmaceutike Moderna njoftoi të hënën se doza përforcuese e vaksinës së saj kundër COVID-19-s duket se ofron mbrojtje kundër variantit Omicron që po përhapet me shpejtësi.
Moderna tha se provat laboratorike tregojnë se gjysma e dozës përforcuese e rrit me 37 herë nivelin e të ashtuquajturve antitrupa neutralizues, të aftë për të luftuar Omicron-in. Një dozë e plotë përforcuese ishte edhe më e fortë, duke shkaktuar një rritje me 83-fish në nivelet e antitrupave, edhe pse me një rritje të efekteve anësore të zakonshme, njoftoi kompania.
Për shumicën e dozave përforcuesve të vaksinës Moderna, po jepen injeksione me gjysmë dozë. Por për personat me sistem imunitar të dobët, rekomandohet një injeksion i tretë, me dozë të plotë.
Moderna i njoftoi të dhënat paraprake laboratorike në një deklaratë për shtyp. Ato nuk i janë nënshtruar ende një shqyrtimi shkencor. Por provat e kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, të publikuara javën e kaluar nga Dr. Anthony Fauci, dalin në një përfundim të ngjashëm.
Kompania Pfizer gjithashtu zbuloi se vaksina e saj kundër COVID-19-s nxit një rritje të ngjashme, të madhe, në nivelin e antitrupave që luftojnë Omicron-in. Vaksinat Pfizer dhe Moderna, të dyja të prodhuara me teknologjinë mRNA, përdoren nga shumë vende në mbarë botën për të luftuar koronavirusin.
Provat e kryera nga këto kompani mbështesin qasjen në rritje të autoriteteve shëndetësore që njerëzit të marrin dozat përforcuese.
Nivelet e antitrupave parashikojnë se sa efikase mund të jetë një vaksinë në parandalimin e infeksionit me koronavirus, por vaksinat janë vetëm një shtresë e mbrojtjes së sistemit imunitar. Studime të tjera sugjerojnë se vaksinat ende mund të sigurojnë një mbrojtje të mirë kundër formave të rënda të sëmundjes nëse njerëzit preken nga një infeksion i ri.
Si Moderna ashtu edhe Pfizer, po punojnë për të prodhuar doza që do t’i përshtateshin më mirë variantit Omicron, në rast se do të nevojiteshin.
Fraksion.com