AktualitetPolitikëTë fundit

“Demokratët e protestës do t’i kem në krahun tim”; Basha: Teksa i shihja në oborr kisha një ndjesi dhimbjeje

Kryetari i PD-së Luzim Basha deklaroi se me Kuvendin e 18 dhjetorit, PD ka vendosur të zgjedhë të ardhmen.

I ftuar në një emision televiziv, Basha shprehet “se të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të shkëputesh nga ajo pjesë e së shkuarës që të mban në vendnumëro, të projektosh në emër të shqiptarëve ëndrrat e tyre më të mira”.

Duke folur për protestën e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, Basha u shpreh se “ata janë njerëz që s’e meritojnë të keqpërdoren. Kam përgjegjësinë për të bërë gjithçka që këta demokratë t’i kem në krah, në një betejë frontale bashkë me pjesën dërrmuese të shoqërisë”.

Basha tha se protestuesit ishin ndarë në dy pjesë, njëra që janë aty për interesa personale, e demokratët e thjeshtë që janë të dëshpëruar. Për këtë kategori, ai tha, se ndjen përgjegjësi.

“Në oborr kishte demokratë, jo thjesht njerëz të interesave të ngushta që e urrejnë dhe e kanë urryer Sali Berishën, e që i janë bashkuar për interesa të ndryshme. Aty kishte demokratë që i kam pasur në krah në beteja. Ti shohësh të keqpërdoren në funksion të interesave personale të një njeriu, qoftë ky Sali Berisha që ka dominuar PD këto vite, t’i shohësh të keqpërdoren ndjesia e parë teksa i shihja është një ndjesi dhimbjeje. Ata janë njerëz që s’e meritojnë të keqpërdoren. Ata po vuajnë gabime. Ata kanë dhënë shpirtin e tyre, jo për të marrë një vend pune, por për demokracinë, triumfin e saj, mbi 8 vite të një qeverisjeje që pak ka të bëjë me demokracinë e Shqipërisë. Ndjesia e parë është keqardhje kur sheh ata demokratë aq sa ishin të përdoren. Kam ndjenjën e përgjegjësisë për të bërë gjithçka që këta demokratë të mos i kesh të pashpresë, por t’i kem në krah, në krahun tim, në një betejë frontale, këtë herë me pjesën dërrmuese të shoqërisë. Me një betejë që s’ka të bëjë me karrierën time dhe hallin tim personal, por fatin e shqiptarëve”, tha Basha.

Basha foli edhe për vendimin e Kryesisë për t’ia propozuar kuvendit kombëtar, që pastaj u miratua, krijimin e Aleancës Qytetare për Demokracinë, si institucion i Partisë Demokratike.

“Dhe këtu ka diçka të re, diçka të re në mënyrë absolute për Shqipërinë, diçka të re për Ballkanin dhe ndoshta dhe më gjerë. Rregulli është i ri, zbatimi pastaj është ajo që na pret, puna që na pret përpara. Për herë të parë një parti politike po fton njerëz që nuk janë anëtarë të partisë, të marrin pjesë në vendimmarrjet e partisë, njerëz të cilët përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë, qoftë kjo nga biznesi i vogël dhe i mesëm, nga sipërmarrja e ndershme, nga intelektualët, akademikët, pedagogët, nga elita kulturore, apo shkencore, apo profesioniste e vendit, nga media”, tha Basha.

 

Fraksion.com