Rama: Pagë deri në 100% për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend, se nisma e re ligjore për statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, që hyn në fuqi nga janari 2022 siguron mbështetje maksimale nga shteti për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës.
Ndërsa u bëri thirrje deputetëve ta votojnë këtë ligj, Rama tha se “kjo nismë reflekton vizion, mishëron një ambicie dhe materializon një qasje të vazhdueshme të kësaj shumice qeverisëse në raport me ata që ndjehen më të dobët, sepse faktikisht u përkasin kategorive më vulnerabël”.
“Me votën e sotme Kuvendi do të përcaktojë një status të ri për të gjithë fëmijët apo personat nën kujdestari të Dëshmorëve të Atdheut, të mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës, të personave që kanë humbur jetën në përpjekje për të mbrojtur pronën publike ose shpëtuar dhe mbrojtur jetën e individëve të tjerë, shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën si pasojë e kryerjes së detyrës në gjendjen e fatkeqësisë natyrore”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “përmes kësaj nisme që sot kthehet në ligj, shteti merr në mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë të gjithë fëmijët e të gjithë këtyre kategorive prindërish, për t’u lehtësuar përballimin e një vijimësie jete në kushtet e humbjes së prindit apo kujdestarit ligjor si dhe për integrimin e tyre shoqëror”.
“Statusi ‘Fëmijë nën kujdesin e Republikës’, përfitohet deri në moshën 18 vjeç, por vijon deri në 25 vjeç nëse ndjek arsimin e lartë. Trajtimi financiar mujor llogaritet në bazë të pagës mujore më të lartë të prindit, në masën 100% kur është një fëmijë, në masën 70% për secilin kur janë dy fëmijë, 50% kur janë tre fëmijë dhe 40% kur në ngarkim të personit ka 4 fëmijë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm përpara në krahasim me trajtimin e derisotëm dhe përbën një mesazh jashtëzakonisht të qartë të mbështetjes së shtetit për këtë kategori”.
“Në një proces qeverisës, në çdo hap të rritjes së mundësive ne shikojmë të rrisim vëmendjen për njerëzit më në nevojë. Ne do të vijojmë të rrisim edhe masën e mbështetjes së tyre. Do të kishte qenë nayrisht shumë mirë sikur çka bëjmë sot ta kishim bërë më parë, por gjithçka varet nga mundësitë. Përpjekja jonë për paga e pensione më të larta vazhdon dhe nuk mund të zëvendësohen kurrësesi nga dëshirat e mira”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “sot shteti u gjendet këtyre fëmijëve në aspektin e mbështetjes materiale, njësoj si të ishte prindi në punë”.
Por sipas tij, “janë edhe një sërë të drejtash të tjera që përfitojnë këta fëmijë, një ndër të cilat, shërbim falas spitalor edhe në institucione jopublike të shërbimit shëndetësor brenda apo jashtë vendit, kur është nevoja”.
Ndërkohë në sistem parauniversitar, Rama tha se “përfitojnë të gjitha bursat apo pagesat pavarësisht faktit se marrin mbështetje maksimale mujore nga shteti”.
“Përfitojnë një përjashtim tërësor nga tarifa vjetore e shkollimit kur ndjekin arsimin e lartë pavarësisht nivelit përkatës të fashës në të cilën gjenden nga pikëpamja e rezultateve. Përfitojnë asistencë profesionale falas në fund të çdo cikli arsimor, mbështetje në trajtim preferencial për punësimin e tyre në përfundim të arsimit të lartë”, tha ai.
Rama shtoi se “Fëmijët nën kujdesin e Republikës” kanë edhe të drejta të natyrës simbolike e morale, përtej këtyre financiare”.
“Të vetëdijshëm për borxhin që u kemi atyre që dhanë jetën, kjo qeveri ofron sot përmes fuqisë edhe të kësaj shumice në sallë dorën e një mbrojtje dhe kujdesi të posaçëm, të panjohur më parë në historinë e shtetit, të gjithë fëmijëve të tyre”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri u ndal te një tjetër nismë sociale. “Duke nisur nga janari, të gjitha nënat me 3 e më shumë fëmijë në skemën e ndihmës ekonomike do të përfitojnë dyfishin e ndihmës, ashtu sikundër të gjitha vajzat dhe gratë e dhunuara apo të trafikuara, nënat me fëmijë me aftësi ndryshe dhe po ashtu edhe jetimët që janë në skemën e ndihmës ekonomike”, tha ai.
Fraksion.com