AktualitetPolitikëTë fundit

Kim: SPAK e BKH guxim për të mbrojtur drejtësinë; Soreca: Kriminelët po përballen me frikën

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, vlerësoi sot punën e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të hetimit, ndërsa shtoi se “në të kaluarën sistemi i drejtësisë ka mbyllur sytë”.

Kim mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e certifikimit të 28 hetuesve të BKH-së.

Duke iu drejtuar atyre, Kim tha se “suksesi në këtë luftë bazohet në punën e rëndësishme që ju bëni çdo ditë, pasi asnjë gjë nuk do të jetë e lehtë apo e shpejtë, por kërkon shumë punë dhe çdo ditë duhet të qëndrosh i fokusuar për të korrigjuar një sistem që në të kaluarën ka mbyllur sytë”.

“Më ka lënë mbresa puna dhe guximi juaj për të mbrojtur drejtësisë dhe për të hetuar këdo që ka nevojë të hetohet, pavarësisht pozicionit. Guximi për të mbrojtur drejtësinë dhe për ta bërë Shqipërinë jo vetën më të pastër, por edhe më të fortë dhe më të pasur”, tha ambasadorja Kim.

Po ashtu, ambasadorja Kim uroi SPAK në 2-vjetorin e krijimit’. “Në këto dy vite që kur SPAK është bërë realitet kemi parë një veprim që ngrihet mbi një veprim tjetër. I gjithë vendi ka qenë në pritje të këtij çasti. Qeveria e SHBA-së përkrah shtetin shqiptar dhe falënderon SPAK për punën e palëkundur”, tha Kim.

Ajo theksoi se partneriteti mes BKH-së dhe SPAK e bën këtë të fundit më të fuqishëm, ndaj ambasadorja nxiti këto dy institucione  të punojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin.

“Viti 2021 ka qenë në të vërtetë pika e kthesës për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BKH hap tani një kapitull të ri. Vitin e ardhshëm do të shohim një klasë tjetër hetuesish. SHBA janë të gatshëm të mbështesin përpjekjet tuaja në çdo mënyrë të mundshme”, tha Kim.

Në këtë 2-vjetorë të ekzistencës së SPAK-ut, Kim tha se “duhet të jemi krenarë se po bëheni tmerri i kriminelëve”. “Ata që kishin menduar se kurrë nuk do të kapeshin për shkak se kishin miq apo para, këtyre ditëve po u vjen fundi. Ju jeni heronjtë e fëmijëve, tmerri i kriminelëve dhe shpresa e vendit. Për këtë ju përgëzoj, ju falënderoj dhe ju nxis”, tha Kim.

Ndërsa kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca u shpreh se “këto kanë qenë 2 vite plot me sfida e vështirësi”.

“Është krijuar një institucion nga zero. BE është angazhuar shumë fortë që të mbështesim krjimin e një SPAK-u të fortë e të pavarur, natyrisht me partnerin tonë, SHBA-në. Jam krenar që sot pas dy vitesh shikojmë rezultatet e para”, tha Soreca.

Ai theksoi se “një bilanc i fortë po ndërtohet dhe frika ka kaluar nga ana tjetër”.

“Frika ishte nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve që ishin në trysninë e kriminelëve, por frika tani ka kaluar në anën tjetër. Ata e kanë kuptuar se duhet të përballen me drejtësinë”, tha ai.

Ambasadori Soreca theksoi se “është thelbësore të ruhet fokusi, sidomos me çështjet e korrupsionit të lartë”.

“Edhe këtu kemi parë hapa inkurajues. SPAK dhe BKH duhet të zhvillojnë një bashkëpunim shumë të mirë dhe po ashtu është thelbësore që SPAK të vijojë bashkëpunimin e fortë me institucionet e tjera të rëndësishme”, tha ai.

Soreca vlerësoi se 28 hetuesit e BKH-së që certifikohen sot kanë kaluar një proces përzgjedhje shumë të vështirë dhe tani janë aktorë shumë të rëndësishëm në këtë fushë.

“Ju siguroj se keni mbështetjen e plotë të BE për të bërë punën tuaj. Do të vijojnë trajnimet për SPAK përmes një projekti të BE-së. Po ashtu, aftësitë e hetimit financiar janë  thelbësore për të trajtuar shumicën e dosjeve penale të nivelit të lartë. Ne do të presim edhe 32 hetuesit e tjerë që do të fillojnë trajnimin vitin e ardhshëm. Suksesi juaj do të jetë suksesi i vetë Shqipërisë”, tha Soreca.

 

Fraksion.com