Garda Revolucionare e Iranit mban stërvitje ushtarake
Garda Revolucionare e Iranit nisi stërvitjet e mëdha pesëditore më 20 dhjetor, në kohën kur tensionet janë të larta për shkak të programit bërthamor të Teheranit.
Divizionet ajrore, trupat tokësore dhe forcat detaje po marrin pjesë në manovrat ushtarake që po mbahen në Ngushticën strategjike të Hormuzit, tha televizioni shtetëror iranian.
Këto stërvitje ushtarake po mbahen disa ditë pasi bisedimet në Vjenë ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore lidhur për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore u pezulluan.
Izraeli vazhdimisht ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime të njëanshme ndaj programit bërthamor të Iranit.
Gholamali Rashid, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare, është zotuar për përgjigje të ashpër nëse Izraeli ndërmerr ndonjë veprim ushtarak ndaj Iranit.
Forcat iraniane do të ndërmerrnin “një sulm të fuqishëm mbi të gjitha bazat, qendrat, rrugët dhe hapësirën që do të përdoret për ta kryer agresionin”, citohet të ketë thënë Rashid për agjencinë e lajmeve Mehr.
“Çdo kërcënim ndaj programit bërthamor të Iranit dhe bazave ushtarake nga regjimi zionist nuk është e mundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Banorët në Bushehr, rreth 700 kilometra në jug të Teheranit, më herët gjatë muajit dhjetor raportuan se kanë parë një dritë në qiell dhe kanë dëgjuar një shpërthim të madh pranë uzinës bërthamore Bushehr.
Një zyrtar i ka thënë agjencisë së lajmeve iraniane, Fars se zhurma e dëgjuar ishte rezultat i stërvitjeve ajrore dhe stërvitjeve për mbrojtje anti-ajrore. Kjo ishte hera e dytë brenda muajit që janë dëgjuar të shtëna pranë një uzine bërthamore të Iranit.
Fraksion.com