AktualitetBota+Të fundit

DW: Emergjenca në shëndetësi do të përkeqësohet

Gjermania ndodhet që sot në një gjendje të emergjencës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në spitale e klinika. Por deri në vitin 2030 ajo do të keqësohet më tej. 

Megjithëse nuk u bë realitet për fat të mirë e shumëpërfolura valë e largimit nga puna të forcave të kujdesit shëndetësor vitin e kaluar gjatë pandemisë, situata e kujdesit shëndetësor në Gjermani mbetet kritike. Sipas raportit të kujdesit shëndetësor të “Barmer”, një nga shoqëritë më të mëdha të sigurimit shëndetësor në Gjermani të publikuar së fundmi, gjendja në këtë sektor mbetet kritike e madje do të përkeqësohet në të ardhmen. Mijëra vende pune të infermierisë e kujdestarisë për të moshuarit mbeten të pazëna që tani. Në maj të këtij viti në këtë sektor mbetën të pazëna 16.673 vende pune, 1000 më shumë se në vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Agjencisë Federale të Punës për 1 fuqi punëtore të papunë në kujdesin shëndetësor kishte 2,2 vende pune bosh. Për kujdestarët shëndetësorë për të moshuarit mbetën 20.000 vende pune të pazëna.

Por në të ardhmen gjendja do të keqësohet më tej. Deri në vitin 2030 Gjermanisë do t’i mungojnë 182.000 vende pune në këtë sektor, sipas llogaritjeve të Barmer. Kjo lidhet me atë që në të ardhmen do të rritet numri i personave që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor nga 4,5 milionë që është sot, në 6 milionë të fund të kësaj dekade.

“Deri më sot mungojnë mijëra forca të kujdesit shëndetësor dhe koncepte solide se nga do të vijnë këta njerëz”, është shprehur kreu i Barmer, Christoph Straub për revistën “Spiegel”. Gjermania ndodhet në rrugën më të mirë të kthehet në një vend me emergjencë kritike për kujdesin shëndetësor. Për të ndalur këtë duhet që qeveria gjermane ta bëjë më tërheqës arsimimin në këtë drejtim. Po ashtu duhet që të rriten një herë kontributet e sigurimit për kujdesin shëndetësor dhe më vonë të përshtaten në mënyrë dinamike rregullisht, sipas Straub.

Largime nga puna, por jo eksod

Federata përpiqet aktualisht me “aksionin e organizuar të kujdesit shëndetësor” të përmirësojë gjendjen me infermierë e kujdestarë shëndetësorë. Megjithatë iniciativa e qeverisë “Programi i menjëhershëm i kujdesit shëndetësor” nuk ka dalë aq me sukses sa mendohej. Shoqata e shoqërive të sigurimit shëndetësor në Gjermani, GKV ka bërë të ditur, se masat që mori nga ministri i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar gjermane, Jens Spahn nuk dhanë efekt. Me programin e posaçëm duhej të financoheshin 13.000 vende pune në kujdesin shëndetësor për të moshuarit, por në dy vitet e fundit janë zënë vetëm 3000 vende pune.

Në kohën e pandemisë infermierët dhe forcat e kujdesit shëndetësor u duartrokitën dhe u lëvduan, u fol për bonuse financiare. Qeveria e re planifikon të japë një bonus të mirë për këtë kategori, por mbingarkesa e punës së kësaj fuqie punëtore ka mbetur e pandryshuar edhe gati dy vjet pas pandemisë. Shumë kujdestare e kujdestarë shëndetësore janë larguar nga puna, nga prilli deri në korrik 2020 rreth 9000 forca pune të kujdesit shëndetësor u larguan nga puna. Megjithatë eksodi i madh për të cilin flitej nuk u bë realitet. Agjencia Federale e Punës ka konstatuar për këtë vjeshtë vetëm një rënie sezonale të forcave të punës në këtë sektor, që lidhet edhe me mbarimin e marrëdhënies së shkollimit dhe praktikës. Nevoja e mbështetjes finaciare në këtë sektor do të rritet në 59 miliardë deri në vitin 2030.

 

Fraksion.com