Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, 5 kandidatë në garë nga Gjykata e Lartë
Gjykata e Lartë ka bërë sot publike emrat e kandidatëve për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, i krijuar pas largimit të Gani Dizdarit (mandati i plotë 9-vjeçar) e që duhet plotësuar nga Gjykata e Lartë.
Në njoftimin e Gjykatës së Lartë thuhet se “Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 125 pika 1 të Kushtetutës si dhe nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në datë 15.11.2021 ka bërë shpalljen publike për plotësimin e 1 vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese të krijuar pas largimit të Gani Dizdarit (mandati i plotë 9-vjeçar) që duhet plotësuar nga Gjykata e Lartë”.
Po ashtu, Gjykata e Lartë publikoi emrat e 5 kandidatëve për të plotësuar 1 vend vakant në Gjykatë Kushtetuese.
“Pas përfundimit të afatit 30 ditor të pranimit të kërkesave të kandidatëve, kanë paraqitur kërkesë për të konkurruar në këtë vend vakant, këta kandidatë: Brunilda Kadi, Ilir Toska, Holta Zaçaj, Manjola Xhaxho, Tartar Bazaj.
Bazuar në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, (të ndryshuar) lista e kandidatëve, si edhe dokumentacioni i paraqitur prej tyre, i janë dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si organi kompetent për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
Fraksion.com