Kancelari Scholz duhet të ketë qëndrime më të qarta
Nga Barbara Wesel
Çdo fillim është i vështirë: Olaf Scholz duhet të jetojë me hijen e madhe të ish-kancelares Angela Merkel. Por paraqitja e tij e parë në BE ishte e zbehtë. Kancelari duhet të jetë më dinamik dhe më i guximshëm.
Partnerët e BE-së janë mësuar me faktin që Gjermania përfaqësohet nga politikanë pa pretendime të mëdha retorike. Ndërsa politikanët nga vendet më të vogla fqinje, ose presidenti francez Macron, prezantojnë me elokuencë parimet dhe dëshirat e tyre, përfaqësuesit nga Berlini dalin me formula të përgatitura pa ndonjë fuqi domethënëse.
Retorika e dobët – politika jo unike?
Për Angela Merkelin formula e paqartë e fjalimeve ishte një mjet politik. E Olaf Scholz ka premtuar vazhdimësi – por a duhet vërtet që deklaratat e tij të jenë pa asnjë kontur? Ai duhet të çlirohet nga kjo trashëgimi e paraardhëses dhe të tregojë pak më shumë qartësi verbale.
Por duket se pas formulimeve të paqarta fshihet edhe një politikë e pavendosur. Nuk është çudi që politikani lituanez Linus Linkevicius foli hapur për një “dialog mistik” me Rusinë, me të cilin Putini po përpiqet të vërë në pikëpyetje unitetin dhe vendosmërinë e evropianëve.
Olaf Scholz duhet të përballet me barrën e dekadave të fundit të politikës socialdemokratike, në të cilën një ish-kancelar (Gerhard Schröder) u bë lobist rus i gazit dhe në këtë mënyrë simpatizantët e Putinit e përcaktuan prej kohësh linjën e partisë socialdemokrate. Por a nuk premtoi kancelari i ri modernizime në deklaratën e tij qeveritare në Bundestag? Kjo duhet të vlejë edhe për ata nostalgjikë për Rusinë që nuk duan të pranojnë ndryshimin e hidhur të kohërave dhe politikën e Kremlinit.
A ka diçka tjetër në tavolinë!
E njëjta gjë vlen edhe për Nord Stream 2: projekti i kushtoi Gjermanisë më shumë në politikën e jashtme se çdo projekt tjetër në historinë e fundit. Olaf Scholz tani është me fat që autoriteti licencues është pranë tij dhe për momentin nuk po ofron asnjë perspektivë për një leje operimi për këtë gazsjellës. Pra, problemi nuk duket aq i mprehtë. Por kjo çështje ka një fuqi shpërthyese dhe kancelari Scholz përpëlitet kur pyetet nëse ndalimi i futjes në përdorim të këtij gazsjellësi është në listën e sanksioneve të Perëndimit ndaj Putinit, nëse ai futet në konflikt me Ukrainën.
Është gjithsesi e qartë se përgjigja këtu duhet të jetë “po”, sepse në këto rrethana Gjermania nuk mund të zbatonte kurrë një marrëveshje që u arrit në kushte krejt të tjera politike. Pra, pse të mos dilet me një deklaratë të qartë paraprakisht dhe me vendosmëri të thuhet se Nord Stream është në listën e projekteve që janë bërë të papranueshme me kalimin e viteve? Kjo kushton para, por nuk është ndonjë turp dhe do të ishte një gjest i rëndësishëm.
Kërkohet pak më shumë fuqi drejtuese
Sigurisht që në Evropë ka gjithmonë rezerva ndaj përshtypjes se Gjermania po flet me tone të larta dhe po ushtron një lloj supremacie. Por kur – si në këtë samit – në fund të ditës Gjermania dhe Franca dalin para shtypit së bashku, kjo tregon vullnetin e nevojshëm për të punuar së bashku. Edhe pse kjo shihet me dyshim nga disa vende të BE, miti se BE-je marshon në ritmin e Berlinit dhe Parisit nuk mund të zhduket.
Megjithatë, një kancelar gjerman duhet t’u japë nismave të tij politike në Evropë pak më shumë dinamikë. Duhet pranuar, se mërzitja e njerëzve aq shumë me fjalime, sa të humbasin vullnetin për të jetuar, madje edhe energjinë për të kundërshtuar, mund të jetë edhe një mjet politik. Por edhe në karakterin tradicionalisht të përmbajtur gjermano-verior ka hapësirë për më shumë ekspresivitet. E të mos harrojmë se gjithmonë është thënë që pas fjalive të paqarta ka mundësi që të fshihet diçka që folësi nuk do ta thotë.
Natyrisht që paraqitja e parë e Olaf Scholzit nuk do të thotë se kështu do të jetë gjithmonë. Ai mund të ndryshojë formën dhe të mprehë profilin e tij. Por kjo do të thotë se ai nuk duhet të fshihet pas detajeve teknike, që janë pjesë e biznesit të një ministri të financave. Kancelari është njeriu që duhet të merret me çështje të mëdha, i cili duhet t’u shpjegojë kolegëve dhe qytetarëve atë që qeveria e konsideron të drejtë dhe të nevojshme. E këtu do të ishte mirë për të gjithë sikur të kishte qëndrime më të qarta./DW
Fraksion.com