AktualitetPolitikëTë fundit

“Basha nuk ka kuorum për Kuvendin”; Luan Baçi: Edhe në korrik nuk e kishte, gënjyem të gjithë, bashkë me mua

Pak orë na ndajnë nga Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha, por deputeti i PD-së, Luan Baçi, mbështetës i Berishës, thotë në Report Tv se kryedemokrati nuk e ka plotësuar kuorumin e nevojshëm, por sipas tij ka vetëm 900 delegatë. Në lidhje live në emisionin ‘Pa Protokoll’ të gazetares Anduela Ndreu, deputeti demokrat thotë se anëtarëve të partisë po iu dërgohet një mesazh nga PD-ja zyrtare që t’i bashkohen Kuvendit Kombëtar.

“I nderuar anëtar i kuvendit nesër je i ftuar, dhe i thotë por unë nuk jam delegat pse duhet të jem aty. Janë me qindra që marrin këtë mesazh. Nuk e keni idenë si funksionon Gaz Bardhi. Del Ina Zhupa dhe lexon emra të çuditshëm që s’kanë lidhje me delegatët”, tha Baçi në Report Tv.

Baçi i ngre këto dyshime, nisur edhe nga fakti se në Pallatin e Kongreseve nuk zë më shumë se 2000 mijë persona, ndërkohë që për të nisur punimet e Kuvendit duhet të jenë të pranishëm 3801 delegatë. Referuar kësaj situate, Baçi deklaroi hapur se në Kuvendin e 17 dhjetorit kanë qenë të pranishëm vetëm 1700 delegatë, por të gjithë demokratët gënjyen, madje edhe kanë miratuar ndryshmet në statut pa pasur kuorumin e nevojshëm.

“Një fakt, nesër do mblidheni në Pallat Kongresesh, nuk ka më shumë se 2200 vende për tu ulur, duhet 3801 delegatë për të plotësuar kuorumin, ku do ulet pjesa tjetër. Nuk kanë më tepër se 800-900 delegatë nesër. Në 17 korrik s’ka pas më shumë se 1700 delegatë, të tërë gënjyem, edhe unë bashkë”, u shpreh Baçi.

Sipas tij, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi dhe deputetja Ina Zhupa kanë lexuar emra që i pasqyruan si delegatë, por në të vërtetë nuk mbajnë atë post.

“Emrat që s’kanë lidhje fare me strukturat e PD-në në Fier. Atje do shikoj unë të gjithë kryetarët e grup seksioneve, nuk di jenë më shumë se 4-5, kështu është në të gjithë rrethet. Nuk janë delegatë, janë anëtarë dhe nuk kanë të drejtë të votojnë”, vijoi ai.

Deputeti Flamur Hoxha hodhi poshtë pretendimet e Baçit, duke thënë se të gjithë delegatët do të regjistrohen ditën e nesërme, ndërsa janë të pajisur me kartën e anëtarësisë për delegatët.

“E njëjta procedurë, e njëjta do ndiqet dhe kësaj here, janë shpërndarë kartat e anëtarësisë për të gjithë delegatët në çdo degë. në këtë rast kryetarët e degës janë angazhuar për të qenë nesër pjesë. Të gjithë do regjistrohen emër mbiemër”, tha Hoxha.

Ndërkohë, nesër do të mbahet edhe referendumi i thirrur nga Sali Berisha, ku anëtarët do të votojnë për shkarkimin e Bashës, teksa Baçi thotë se do të ketë një pjesëmarrje të madhe.

“Nesër demokratët janë në votim për referendumin që do të mbahet nesër. Unë kam vite që merrem me organizmin dhe si këtë herë nuk kam parë një angazhim të tillë. Mendoj se do jetë një nga pjesëmarrjet më të mëdha që ka pasur ndonjëherë, pak raste ka pasur kur ka votuar anëtarësia”, u shpreh ai.

 

Fraksion.com