AktualitetPolitikëTë fundit

“Kyçen dyert e selive të PD-së në rrethe”; Referendumi për Bashën, Berisha: S’ka dryn që na ndal

Dy ditë nga mbajtja e referendumit të Sali Berishës për shkarkimin e Lulzim Bashës, janë kyçur me dry portat kryesore të degëve të Partisë Demokratike në Shkodër dhe Elbasan, pas asaj në Sarandë të mërkurën.

Sot, demokratët që mbështesin Berishën i bënë thirrje kryetarit të degës së PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli të “distancohet nga kjo lajthitje” e Bashës, pasi dega nuk është pronë private.

Edhe Luçiano Boci thotë se në Elbasan urdhri ka ardhur nga lart pasi kanë frikë nga anëtarësia.

I pyetur nga Report Tv, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Akil Kraja tha se të gjendur para kësaj situate, do të merren ambiente të reja për mbajtjen e referendumit që kërkon të ratifikojë shkarkimin e Bashës nga delegatët në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Megjithatë zyrtarë të degëve në këto rrethe që janë në detyrë dhe nuk janë shkarkuar nga Basha si ata që mbështetën hapur Kuvendin e Berishën, thonë se portat hyrëse në degë nuk janë mbyllur prej tyre.

Luftë bravash’ në PD, Berisha publikon fletën e referendumit: Nuk ka vulë, bravë apo dryn që na pengon

Kur kanë mbetur edhe 2 ditë nga 18 dhjetori, palët në PD kanë intensifikuar ‘luftën’. Nga rrethet raportohet se janë kyçur me dry portat kryesore të degëve të Partisë Demokratike në Shkodër dhe Elbasan, pas asaj në Sarandë të mërkurën, teksa Berisha ka paralajmëruar referendum ditën e shtunë.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Sali Berisha i cili ka postuar edhe fletën e votimit të referendumit.

‘Nuk ka vulë, bravë apo dryn që mund të pengojë vullnetin dhe votën e lirë të demokratëve!’, shkruan Berisha në Facebook.

Fleta e referendumit e publikuar nga Sali Barisha

Pas Shkodrës, edhe selisë së PD në Elbasan i ndërrohet brava, Luçiano Boçi: Urdhri ka ardhur nga lart, kanë frikë nga anëtarësia

Pasi selisë së PD në Shkodër iu vu kyçi, asaj në Elbasan i është ndryshuar brava. Kt fakt është denoncuar edhe nga deputeti demokrat, Luçiano Boçi, i cili është mbështetës i Sali Berishës. Me një postim në Facebook, Boçi thotë se urdhri për mbyljen e derës ka ardhur ‘nga lart’, teksa shton se  anëtarësia do ta shprehë vullnetin e saj në referendumin e 18 dhjetorit.

“Të kesh frikë nga anëtarësia. Edhe në Elbasan PD ndërron bravat e dyerve!!!??? Me urdhër nga lart kuptohet. Ndonëse po vrapojnë për të zyrtarizuar përçarjen, janë në panik nga……anëtarësia dhe verdikti i saj. E tmerrshme se si mund të përfundojnë në këtë derexhe. Po vota nuk është thjesht një letër që hidhet në një kuti. Vota është shpirt e mendje! Votën anëtarësia e ka shprehur e ka dhënë çdo ditë kudo, në familje, në klub, në biseda me njëri-tjetrin. Po ne sa e sa herë i kemi ftuar i kemi thirrur të votojnë, duke rrahur gjoksin e duke thënë: sa shumë janë njërëzit tanë? Tani ju i përzeni, ju i refuzoni, i mbyllni derën e shtëpisë së vet?! Ju qofshi në marrëzinë tuaj! Dyert dhe mund t’i mbyllni po e vërteta e vullnetit të tyre nuk mund të kyçet. Anëtarësia do ta shprehë vullnetin e saj në referendum.  Mos keni iluzione se i ndaloni dot duke futur në xhep bravat! E shtunë dt 18 nga ora 08-17.00. PD i takon anëtarëve të saj”, shkruan Boçi.

Degës së PD në Shkodër i vendoset dryni! Anëtari i kryesisë denoncon: Kjo është përçarja më e madhe që po bën ish-kryetari Basha! Turp!

Me kangjellat e mbyllura dhe e kyçur me zinxhir, kjo është pamja e selisë së PD në Shkodër këtë të enjte.

Kjo situatë është denoncuar nga një nga anëtarët e kryesisë së PD, Ervin Gjini, i cili i ka bërë thirrje kryetarit të degës së PD-së në Shkodër,  Xhevdet Amuli të “distancohet nga kjo lajthitje” pasi dega nuk është pronë private.

Ai e cilësoi këtë veprim si përcarjen më të madhe që po induktohet nga ish-kryetari i dhe deputeti Lulzim Basha, siuc e quajti ai.

Nuk dihet nëse selia është mbyllur për të mos lejuar referendumin e 18 Dhjetorit që është paralajmëruar nga mbështetësit e Sali Berishes

“Dëshpërimi që ka kapluar pseudotolerantat dhe gjithëpërfshirësit Bashistë shprehet mirë në aksionin e mbylljes me zinxhirë të degës së PD-së Shkodër. I bëj thirrje kryetarit të degës z. Xhevdet Amuli të distancohet nga kjo lajthitje pasi dega nuk është pronë private. Kjo është përçarja më e madhe që po induktohet nga ish kryetari dhe deputeti Lulzim Basha. Turp!”, shkruan Gjini.

 

Fraksion.com