AktualitetPolitikëTë fundit

Kompleksi i ri i dijes në kryeqytet, hapësirë fantastike arsimimi dhe edukimi

Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” dhe shkolla e mesme “Kristo Frashëri, janë shkollat më të reja të kryeqytetit, pjesë e një kompleksi modern të projektuar nga arkitekti i mirënjohur italian Stefano Boeri, i cili ofron një hapësirë fantastike arsimimi dhe edukimi për më shumë se 1350 fëmijë të njësive 9 dhe 11 në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në ceremoninë e përurimit të kompleksit të ri të dijes, të cilin e vlerësoi për risitë arkitekturore që sjell, duke theksuar që sfida mbetet transformimi i hapësirave të tilla në pika të reja referimi, kulturore dhe sociale për komunitetin përreth.

“Sot është një ditë e bukur për arsimin në Tiranë, sepse ky kompleks për hir të së vërtetës ka qenë një nga arsyet për tallje dhe sulme kritike, duke na thënë se këto janë manipulime kompjuterike, 3 D, fantazira, kurrë nuk do të bëhen realitet. Sot është një realitet edhe më i bukur se në paraqitjen e projektit. Tani sfida është jo thjesht të mbetemi vetëm me kënaqësinë që të jep një arkitekturë e tillë, një punë e bërë me shumë seriozitet edhe nga ata që e kanë realizuar, por të shkojmë më tutje, për t’i transformuar këto në hapësira që krijojnë mundësi të reja për nxënësit dhe mësuesit si një komunitet më vete që ka nevojë të ndërveprojë përtej orëve të mësimit dhe për komunitetin rreth e rrotull shkollës, i cili mund të gjejë një pikë të vërtetë referimi kulturore dhe sociale”, theksoi Rama.

Ne, vijoi Rama, po hyjmë në një fazë të re me arsimin parauniversitar, pikërisht për të mbushur cilësisht kohën midis orëve të mësimit dhe shtëpisë, që është një kohë që nga mënyra si shfrytëzohet mund të krijojë probleme për fëmijët dhe shoqërinë, ose mund të fuqizojë të ardhmen e fëmijëve dhe shoqërisë, duke u dhënë atyre mjete të reja për të transformuar kohën në një investim në dije, në një investim shpirtëror përmes aktiviteteve kulturore dhe artistike dhe patjetër dhe një investim në shëndet përmes aktivitetit fizik.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se, “kemi disa elementë të rinj që do të bëhen pjesë e punës sonë me shkollat nga viti i ardhshëm, sepse kemi dhe një buxhet tanimë të vendosur për këtë punë, duke filluar nga programi i arteve dhe zjeve, që do të krijojë mundësi për shkollat, nxënësit, mësuesit, që të formësojnë në mënyrë të strukturuar rrethet e tyre artistike, të teatrit, të muzikës, të pikturës apo të punës me dorë, e kështu me radhë, gjë që do ta bëjmë në dy nivele. Një nivel do të jetë niveli i përgjithshëm, e një nivel tjetër do të jetë niveli, le të themi, më i sofistikuar për ata që janë më të talentuarit, duke krijuar në të gjithë hapësirat e qyteteve, pika ku ata të mund të marrin mësim të kualifikuar për talentet e tyre e për shembull kjo shkollë, është vendi ideal ku mund të ndërtohet një pikë e tillë ku rrethet e vizatimit, rrethet e muzikës, rrethet e teatrit, e kështu me radhë, të jenë, jo vetëm për nxënësit apo të nxënësve të kësaj shkolle, por dhe të një zone të tërë rreth e rrotull”.

Projekti tjetër, shtoi Rama, është projekti që ka të bëjë me teknologjinë.

“Ne po punojmë për një sistem të ri të dhënies së mësimit të informatikës nëpër shkolla, të vetëdijshëm që nuk mjafton të ndërtojmë hapësira laboratorësh të informatikës. Është absolutisht e pamjaftueshme që t’i furnizojmë ato me kompjutera, sepse në radhë të parë duhet të garantojmë që mësimdhënia e informatikës është e cilësisë më të lartë. E këtu sfida është tek burimet njerëzore, tek burimet e kualifikuara njerëzore. E dimë shumë mirë që në shumë shkolla mësimi i informatikës bëhet nga mësues që janë të lëndëve të tjera, të fizikës, të matematikës, natyrisht të shkencave ekzakte, por që nuk janë të diplomuar drejtpërdrejtë në informatikë, e këtë ne duam ta ndryshojmë. Ashtu sikundër duam të ndryshojmë cilësinë e laboratorëve të informatikës, e të gjithë laboratorëve të tjerë në fakt sepse jemi të gjithë të vetëdijshëm që laboratorët sot në shkollat tona janë shumë më mirë se sa ishin dje, sepse dje nuk kishte fare, por nuk janë laboratorë cilësorë që të stimulojnë dëshirën e nxënësve për të eksperimentuar në orë laboratorike e pastaj për t’u thelluar falë kënaqësisë dhe falë dhe interesit që krijojnë eksperimentet”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë vuri në dukje se projekti tjetër është programi i sportit.

“Ne do fillojmë që nga viti i ardhshëm, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar, të cilit do t’i dedikohet një buxhet i veçantë, organizimin e lëvizjes sportive në shkolla, duke iu dhënë mundësi të gjithë vajzave e djemve që kanë dëshirë të organizohen në këtë lëvizje që të krijojnë skuadrat e tyre e çdo shkollë të ketë skuadrat e veta, e pastaj çdo bashki të ketë kampionatin e vet dhe pastaj të ketë edhe kampionatet kombëtare të nxënësve dhe të studentëve. Do ta fillojmë vitin e ardhshëm, e jam i bindur që brenda këtij mandati, në të gjithë këto aspekte, do të kemi ndryshime tejet të rëndësishme”, tha Rama.

Rama tha se “elementi i fundit që nuk është program më vete, por që është pjesë e kësaj qasjeje të re ndaj shkollës është ajo që preku pak dhe kryetari i bashkisë, mbase dhe Stefano e tha këtu, por të paktën e biseduam përpara se të vinim këtu, ndërtimi i parcelave bujqësore në shkolla”.

“Gjithë këto hapësira rreth e rrotull dhe brenda në këtë rast mureve të brendshëm të këtij kompleksi, nuk mund të jenë thjesht hapësira me bar. Bari është i bukur, por kërkon edhe mund të madh për mirëmbajtje të vazhdueshme, ndërkohë që po të jenë një pjesë e tyre, këtu, në këtë rast ka vend dhe për hapësira të tjera sportive jashtë, por një pjesë e tyre hapësirë për kultivimin e perimeve, për dhënien mundësi të nxënësve që të kenë një kontakt, të kenë një marrëdhënie, të kenë një dijeni fillestare për tokën, për vlerat e saj, për çka mund të dalë nga toka e pastaj pak nga pak të krijojnë edhe modestish sipërmarrjen bujqësore të shkollës, me ato produkte që do të nxjerrin në këto parcela, ku kjo të vlejë natyrisht, jo për të bërë biznes, sepse bëhet fjalë për sasi të vogla, por për të mësuar edhe këtë pjesë të tregtimit të produkteve. Do të ishte një laborator natyror fantastik dhe do ishte edhe dhënia mundësi fëmijëve, që përveç jetesës intensive me ato mrrokllat në dorë me iphone e me kompjuterë, të kenë edhe kontaktin e drejtpërdrejtë me natyrën dhe me tokën”, tha Rama.

Duke falënderuar ambasadorin e Italisë, Fabrizio Bucci, Rama tha se “ne vërtetë jemi dy shtete të ndryshme, por me thënë të drejtën, jemi e njëjta racë, pavarësisht se historia na ka ndarë me një det dhe pastaj këtyre u ka dhënë bekimin me Leonardon, Mikelanxhelon e nuk e di, qindra e mijëra të tjerë e kështu me radhë. Në kohën që ne merreshim me çështje të një natyre tjetër, – por sot jemi vërtetë gjithmonë e më shumë të vetëdijshëm për bekimin që kemi që të jemi si të thuash porta e pasme e asaj shtëpie përrallore që është Italia në kopshtin e Europës. E çka e bën këtë edhe më të ndjeshme është fakti që Italia është gjithmonë e më e vëmendshme, gjithmonë e më e gatshme, gjithmonë e më e përfshirë në sfidat tona sepse tanimë të gjithë shqiptarët që janë në Itali e kanë konfirmuar plotësisht që janë një vlerë e shtuar për Italinë e nuk janë ai problemi i madh që dukej në fillim fare kur u shfaqën në brigjet e Italisë”.

 

Fraksion.com