Rama viziton Spitalin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, qendra më e re ekselencës për shërbimin shëndetësor kombëtar
Kompleksi i ri spitalor “Zoja e Këshillit të Mirë” i cili do të hapë dyert për publikun pranverën e vitit të ardhshëm, u vizitua nga Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë vlerësoi investimin e Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, duke theksuar se bashkëpunimi me strukturat shtetërore është i rëndësishëm për një funksionim sa më të mirë në dobi të qytetarëve.
“Kur bëhet fjalë për funksionimin, sepse dëgjova në fjalën tuaj që ky spital është një lloj testamenti i misionit të Nënë Terezës, spital për ata që janë më në nevojë, të shihnim nëse do të mund të bënim një bashkëpunim, së bashku me ministrinë, për të parë se si mund të kombinojmë, nga pikëpamja e qëndrueshmërisë financiare, dhe të shohim se si të mos e lëmë këtë strukturë të shndërrohet tërësisht në një spital privat.”, -u shpreh kryeministri, ndërsa theksoi se qeveria do të hartojë programe me paketa mbështetjeje financiare për strukturat jopublike.
“Kjo ka një vlerë të veçantë për ne, në kushtet kur jemi futur në një fazë të re në politikën tonë për arsimin e lartë, pikërisht për të mbështetur sa më shumë ndërkombëtarizimin e universiteteve tona publike dhe për të krijuar sa më shumë hapësira të ngjashme me këtë, ku t’u jepet mundësi nxënësve shqiptarë që pa qenë të detyruar të largohen, për të kërkuar dyert e një universiteti më cilësor, sesa çfarë mund t’u ofrojë sistemi ynë universitar sot, të qëndrojë në Shqipëri dhe të mund që, në universitetet tona, të gjejnë programe të përbashkëta me universitetet e nivelit më të lartë në Europë dhe në botë, deri dhe në diploma të njehsuara që t’iu vlejnë si mundësi që nesër të mund të kthejnë investimin e tyre në dije, në një rrugë të sigurt karriere këtu apo kudoqoftë në botë – tha kryeministri Rama.
Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. Bruno Giardina bëri të ditur se Universiteti Katolik ZKM po planifikon iniciativa të tjera për ta bërë procesin e ndërkombëtarizimit më efektiv, ndërsa ndau për të pranishmit një lajm të rëndësishëm. “Shfrytëzoj rastin të njoftoj se takimi i radhës i FUCE, Asamblesë së Përgjithshme të të gjitha Universiteteve Katolike Evropiane do të mbahet në Tiranë nga data 20 deri më 22 tetor 2022. Kjo është gjithashtu një njohje prestigjioze për realitetin tonë.”- tha Prof. Giardina. Përmes një bashkëbisedimi me kreun e qeverisë, studentët patën mundësi të rrëfejnë mbi jetën e tyre universitare në UKZKM, një realitet europian brenda Shqipërisë.
Fraksion.com