AktualitetPolitikëTë fundit

Tensionet në PD; Gjashtë ambasadorë takim me Bashën

Pas situatave të djeshme të ndodhura në selinë e PD-së, 5 ambasadorë kanë shkuar në selinë blu ku janë takuar me Lulzim Bashën.

Grupi i ambasadorëve është kryesuar nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ai i BE-së, Luigi Soreca, ai italian Fabrizio Buci, gjermani Peter Zingraf dhe ambasadori francez dhe britanik.

Fokusi kryesor i diskutimeve janë zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ku një ditë më parë Sali Berisha hyri në selinë blu si anëtar i Komisionit të rithemelimit të PD-së, që u krijua në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Berisha deklaroi se me zyrën e Bashës nuk ka askush punë, duke theksuar se “ vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit”.

“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër. Në zyrën e Bashës nuk kemi punë. Sot vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit. Ne nuk kemi punë në zyrën e Bashës. I ka marrë të gjitha karriget në zyrën e tij se nuk i mjafton karrigia e vet”, tha Berisha më pas për mediat.

Sa ai përket kallëzimit në SPAK, ai u shpreh se është një firmë turpi, duke e quajtur deputet Bashën.

“Një tjetër firmë turpi e deputetit Basha që padit në prokurorinë e tij e të Ramës kolegët e vet. S’ka akt më të padenjë”, tha Berisha.

Pas futjes në ambientet e shtëpisë së PD-së, nuk munguan as akuzat për Bashën.

“Çmenduria e Bashës, ka marrë të gjitha karriget”, u shpreh ish-kryeministri i Shqipërisë.

Ky i fundit theksoi se vendimet që do të merren pas mbledhjes do të bëhen publike edhe për mediat.

Një ditë më parë në katin e dytë të ndërtesës së PD-së u zhvilluan dy mbledhje paralele. Në mbledhjen e Bashës të pranishëm ishin Gazmend Bardhi, Alfred Rushaj, Jonila Godole, Jemin Gjana dhe Fitim Zekthi.

Sipas një njoftimi të PD-së, u zhvillua një takim për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në FRPD.

Nga ana tjetër, Berisha dhe 28 anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit u vendosën në sallën e mbledhjes së grupit parlamentar.

Për disa orë brenda dhe jashtë selisë u krijuan momente tensione, e ndërsa pak orë më pas Lulzim Basha në konferencën për mediat lëshoi  akuza shumë të rënda përkundrejt Sali Berishës.

Kujtojmë se 2 ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.

 

Fraksion.com