SPAK kërkon ekstradimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nga Italia
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dorëzuar dokumentacionin Ministrisë së Drejtësisë për ekstradimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla nga Italia në Shqipëri.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mori njoftim nga Zyra Qendrore e Interpol Tirana, se me datë 10.12.2021 autoritetet policore italiane kanë arrestuar me qëllim ekstradimi në vendin tonë Adriatik Llallën. Sot me datë 14.12.2021 Prokuroria e Posaçme i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e shtetasit Adriatik Llalla nga Italia në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar më 8 tetor nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-kryeprokurori u arrestua më 10 dhjetor në Romë, Itali.
Gjykata e Posaçme e dënoi në muajin maj me 2 vite burg, si dhe 5 vjet heqje funksionesh publike, ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Që prej asaj kohe, ai ishte në kërkim.
Po ashtu, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.
Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA, atij dhe familjarëve.
Fraksion.com