Rama thotë se rruga e re drejt Lurës do zbulojë tjetër mrekulli të fshehur të Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka nisur puna për projektin e rrugës nga Perlati në Fushë Lurë e deri në Arras, një nga destinacionet më të bukura turistike.
Rama theksoi se rruga do të zbulojë një tjetër mrekulli të fshehur të Shqipërisë.
“Mirëmëngjes dhe me projektin e punës së nisur për 64 km të reja rrugë turistike, nga Perlati në Fushë Lurë e deri në Arras, e cila do të zbulojë një tjetër mrekulli të fshehur të Shqipërisë siç është zona e magjishme e Lurës, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Lura është një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Dibër me kullat dhe oborret e rrethuara me furde prej druri që janë tradita alpine. Kullat janë unike për sa i përket ndërtimit me frëngji në katet e dyta dhe pika vrojtimi si kështjella në miniaturë.
Parku Kombëtar i Lurës ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 12.8 km 2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurorës së Lurës.
Fraksion.com