Truss takohet me ministrat e Jashtëm të Ballkanit mes frikës separatiste në rajon
Sekretarja e Jashtme e britanike, Liz Truss do të takohet me ministrat e Jashtëm të Ballkanit, ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar kërkon të bindë aleatët ndërkombëtarë të mbrojnë paqen e fituar me vështirësi, në një rajon ku tensionet separatiste janë rritur gjithnjë e më shumë.
Pas kryesimit të një takimi të ministrave të Jashtëm të G7-s në Liverpool, Truss do të diskutojë sot me homologët nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Diskutimet vijnë pasi përfaqësuesi kryesor ndërkombëtar në Bosnje, diplomati gjerman Christian Schmidt, paralajmëroi se Marrëveshja e Paqes e vitit 1995 që ndaloi luftën e përgjakshme civile të vendit mund të shpërbëhej.
Kërcënimet separatiste serbe të Bosnjës kanë nxitur tensionet në rajon, me shqetësime të theksuara edhe për përfshirjen ruse.
Schmidt ka thënë se kombi ballkanik mund të shpërbëhet nëse komuniteti ndërkombëtar nuk frenon veprimet e kërcënuara përçarëse nga udhëheqësi serb boshnjak dhe anëtari i presidencës Milorad Dodik, i cili ka mbështetje të heshtur nga Rusia dhe Serbia.
Duke folur përpara takimeve të sotme, Truss tha se “Britania e Madhe është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon”.
“Ndërsa bashkoj ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të rajonit në Londër, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, tensionet janë të larta dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të mbrojtur paqen e fituar me vështirësi”.
“Rritja e lidhjeve ekonomike me rajonin është një mënyrë jetike për të krijuar vende pune dhe pasuri, për të siguruar stabilitet dhe për të mbështetur lirinë”, theksoi ajo.
Në takimin e tri viteve më parë, krerët e gjashtë vendeve morën zotime në një seri deklaratash të përbashkëta mbi bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, krimet e luftës dhe personat e zhdukur në territorin e ish-Jugosllavisë.
Zyrtarët thanë se bisedimet e së hënës do të synojnë të riafirmojnë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Procesit të Berlinit, me Truss që pritet të nxisë liderët politikë në rajon të refuzojnë gjuhën e urrejtjes, të dënojnë glorifikimin e autorëve të gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe të respektojnë verdiktet ndërkombëtare.
Fraksion.com