Presidenti i Afrikës së Jugut infektohet me COVID-19
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, u diagnostikua me koronavirus. Zyra e tij njoftoi të hënën se presidenti është duke u trajtuar për simptoma të lehta.
Ramaphosa filloi të mos ndjehej mirë të dielën e 12 dhjetorit, pasi mori pjesë në funeralin e ish-presidentit jugafrikan, FW de Klerk.
Përgjegjësitë e Ramaphosas si president tani i kaluan zëvendësit të tij, David Mabuza, së paku për një javë.
Ramaphosa është plotësisht i vaksinuar ndërkaq pas infektimit u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“Vaksinimi mbetet mbrojtja më e mirë kundër sëmundjes së rëndë dhe hospitalizimit”, tha ai.
Vendi i tij është epiqendër e variantit të ri të koronavirusit, i njohur si Omicron, i cili është zbuluar për herë të parë muajin e kaluar.
Që atëherë, ai është përhapur në dhjetëra vende të botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar si shqetësues këtë variant.
Fraksion.com