AktualitetPolitikëTë fundit

Shkarkimi i Bashës në Kuvend, Berisha: Do shkojmë në seli në momentin e parë që do vendosim

Lideri historik i PD-së, Sali Berisha ka komunikuar për mediat, pas daljes së rezultatit të shkarkimit të kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha.

Ai tha se do të shkojnë në seli në momentin e parë që do vendosin, pasi sipas Berishës nuk është seli e pengjeve, e rrethuar me blinda dhe banda siç e ka kthyer Basha.

“Dua të përshëndes demokratët  për këtë ngjarje, më e veçanta më e jashtëzakonshmja në historinë e lirisë së shqiptarëve në kuptimin që ky kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të PD. Firmosën, vendosën firmat e tyre në këtë monument madhështor të vendosjes së pluralizmit politik, të themelimit të PD si forcë vigane opozitare, në këtë moment të revolucionit demokratik paqësor i cili është në misione të mëdha. Mirënjohje të madhe të pakufishme që mbushën foltoren dhe ndriçuan zemrat e shqiptarëve dhe erdhën. Ky është kuvendi i parë që mbahet në një arenë kombëtare dhe sot u zhvillua ndeshja mes lirisë dhe të ardhmen. Peng basha nuk do të doja që të flisja fare për të sot. I  rrethuar me bataljonin e policisë së Edi Ramës, çfarë mund të flasësh për atë aman, është vetëm një kufomë politike. Selia është një dhe vetëm një, ajo që ndodhet aty dhe do shkojmë në momentin më të parë që do të vendosim. Nuk është seli e pengjeve, e rrethuar me blinda dhe banda. I them hiq dorë nga çdo lloj përpjekje për ti garantuar mbijetesë pengut tënd se revolucioni do të kthehet tek ti”, tha Berisha për mediat.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ngjit sot në podiumin e Kuvendit Kombëtar të thirrur prej tij, duke e cilësuar atë si një monument madhështor të rithemelimit të forcës më të madhe politike në vend.

Nga piedestali i ngritur në stadium, ai deklaroi se de jure, rithemelimi i PD-së u bë realitet. Berisha theksoi se qëllimi i vërtetë i Kuvendit është shndërrimi i PD-së në partinë e idealeve më fisnike të shqiptarëve.

Kuvendi shkarkoi me votim të fshehtë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me propozimin e 7 deputetëve dhe 15 për qind të delegatëve. Ai u shkarkua për thyerje të rënda të statutit dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj. Por, jo vetëm. Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, i mbledhur nga njëra palë ka shkarkuar gjithë kupolën drejtuese të partisë dhe ka zhveshur nga funksionet edhe Kryesinë e saj me argumentin se nuk janë zgjedhur në konform statutit.

Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës do të kalojë për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar.

Me ndryshimet në statut, servirur vetëm të shtunën delegatëve, Kuvendi ka shfuqizuar edhe vendimin e Lulzim Bashës për të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën.

 

Fraksion.com