‘Shkarkimi’ i Bashës; Lubonja: Nuk ka nënshtrim nga pala tjetër ndaj këtij realiteti! Lider të tretë nga kjo situatë nuk shikoj
Analisti Fatos Lubonja në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ u shpreh se amerikanët, nëse vërtet do të ishin të interesuar për të bërë drejtësi apo për të goditur korrupsionin në vend duhet të merreshin me sistemin dhe qeverinë, më shumë se sa janë marrë me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Gjithashtu gjatë bisedës në studio, teksa foli për Kuvendin e Berishës, Lubonja tha se me këtë Kuvend, ish-kryeministri ka akumuluar rreth vetes një pjesë njerëzish që vërtet kanë nevojë për opozitarizëm në vend, pasi tashme janë lodhur me kryeministrin Edi Rama.
Ndërsa komentoi vendimin e Kuvendit të Berishës ku 4446 delegatë votuan pro shkarkimit të Bashës nga posti i kryetarit të PD, Lubonja tha se duket se kjo situatë nuk do të kalojë lehtë, pasi nga krahu tjetër shihet se nuk ka një nënshtrim ndaj këtij realiteti dhe se pritet manovra për të mos e njohur këtë rezultat.
“Është një lloj certifikimi i këtij votimi. Ne që jemi jashtë na ka përfshirë debati sa të vërtetë janë delegatët dhe se si do të sqarohet kjo situatë. Kush do të jetë arbitri që do të vendosë? Duhet të kishte pasur një marrëveshje shumë më herët , të zgjidheshin njerëz të besuar dhe të bëhej një Kuvend i vetëm. Të mos harrojmë që shumica e deputetëve që përfaqësojnë PD në Parlament janë njerëz të Bashës…Tani krijohen 1 mijë probleme. Duket se krahu tjetër nuk i nënshtrohet këtij realiteti dhe do të bëjë manovrat që të mos e njohë. Por besoj se kjo punë nuk mbyllet kaq thjeshtë. Pra mendoj që duhet të respektohet shumica…
A ka zgjidhje për PD përtej Berishës dhe Bashës?
Lubonja: Për momentin nuk shoh se ky është problemi. Edhe Basha i cili mendon se është ndryshe nga Berisha ka shkaktuar këtë… Kjo që ka bërë Berisha është pozitive se në njëfarë mënyrë shqiptarëve i kthen njëfarë dinjiteti dhe tregon se prit se ky vend nuk është aq ushtar sa të nënshtrohet. Lider të tretë në këtë situatë nuk shikoj. Allashqiptarçe do kemi ndarje, por ajo që duhet të ndodhte është që këta të tretët të dilnin dhe të ishin bashkues. Njëfarë roli këtu e ka luajtur më herët Edi Paloka…
Mbështetje dhe mesazhe të qarta për personat non-grata nga SHBA?
Lubonja: I mjafton për të qëndruar në rolin e fasadës së Ramës dhe jo për të bërë opozitë. Dhe këtu lind pyetja përse shpallën Berishën non-grata. Cili ishte qëllimi i amerikanëve? Sali Berisha nëse ka bërë korrupsion nuk e ka bërë vetëm, por të gjitha ata të cilët Edi Rama i ka rreshtuar si oligarkë që bashkëpunonin me Berishën dhe sot janë me Ramën. Dhe këtu pyetja është cili është problemi i amerikanëve. Nëse kanë hallin e korrupsionit atëherë ato duhet të shohin se çfarë ndodh në Shqipëri. Pak ditë më parë dëgjova një studim që tregonte se numri i shqiptarëve të arrestuar për trafik kokaine në perëndim ishte mbi 260…Ky numër ka rëndësi sepse ishim parësor dhe vendi i dytë ishte Brazili , ndjekur nga Kolumbia. Pra Brazili ka 212 milionë banorë, dmthn ne prodhojmë kriminelë 100 më shumë se Brazili për banorë. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës dhe përpara kësaj më vjen Escobar dhe më flet për shpallje non-grata…Kjo nuk ka lidhje…e nuk ka të bëjë me korrupsionin…
A e shihni më në krye të PD-së Berishën?
Lubonja: Atë nuk e di, Amerikanët kanë bërë gjëra edhe më të mëdha.
A mund të kishte vendim të kthyer pas për Berishën nga ana amerikane?
Lubonja: Nuk besoj, por mendoj që ata duhet të merreshin më shumë me qeverinë se me Berishën.
Fraksion.com