Kuvendi i Berishës, ‘shkarkon’ Bashën, miraton statutin e ri. Ja çfarë planifikohet më 18 dhjetor. Ish-kryeministri: DASH të rishohë vendimin për ‘non grata’
Ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi këtë të shtunë Kuvendin e thirrur prej tij. Data e zgjedhur, përbën një simbolikë të fortë, sepse përkon me ditën e themelimit të Partisë Demokratike.
Delegatët dhe mbështetësit u futën në stadiumin ‘Air Albania’ duke treguar bexhën dhe një barkod unik, i cili skanohej në hyrje nga vetë organizatorët e kuvendit.
Të gjitha pamjet nga brenda stadiumit iu servirën mediave me regji qëndrore të siguruar nga stafi i Berishës ndërsa gazetarët nuk u lejuan të hynin apo të merrnin pjesë në verifikimin e delegatëve.
Kuvendi ishte parashikuar të fillonte në orën 10:00, por hyrja dhe qëndrimi i të gjithë pjesëmarrësve për pak kohë në hyrje për verifikim, bëri që ai të fillojë rreth një orë me vonesë. Pak minuta para orës 11:00, kur me sa duket u informua se gjithcka ishte gati, edhe Sali Berisha doli nga shtëpia.
Gjithashtu në Kuvend merrnin pjesë figura të njohura në PD të cilët i janë bashkuar lëvizjes së Berishës. Të pranishëm ishin ish-presidenti Bujar Nishani, deputeti Agron Shehaj, Aleksandër Biberaj, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani, Luciano Boci etj.
Kuvendi i kësaj të shtune nuk njihet nga drejtuesit aktualë të Partisë Demokratike. Sipas tyre, lëvizja e ndërmarrë nga ish kryeministri nuk ka asnjë lidhje me demokratët dhe hallet e tyre, por vetëm me hallin personal të Sali Berishes. Lulzim Basha ka thirrur të shtunën e ardhshme më 18 Dhjetor, atë që e cilëson “Kuvendin legjitim” të Partisë Demokratike.
Ora 18:18 – “Sot u zhvillua ndeshja mes lirisë dhe të ardhmes”; Berisha pas përfundimit të Kuvendit: Revolucionit s’i reziston askush. PD nuk është parti e pengjeve
Ish-kryeministri Sali Berisha pas përfundimit të punimeve të Kuvendit ka mbajtur një deklaratë për mediat. Berisha u shpreh se ky është një nga Kuvendet më të veçanta jo vetëm këtu, por në Europë dhe në botë.
“Dua të përshëndes sot demokratët dhe qytetarët shqiptarë për këtë ngjarje më e veçanta, më e jashtëzakonshmja në historinë e lirisë së shqiptarëve. Ky Kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të Partisë Demokratike, i pari i këtij lloji në Europë e në botë. Një momument madhështor i rithemelimit të PD-së i cili është me misione të mëdha, misionin e rivendosjes së të drejtës së shqiptarëve të votës së lirë pa opozitë kukull. Ky është Kuvendi i parë që zhvillohet në një arenë sportive futbolli. Sot u zhvillua ndeshja mes lirisë dhe të ardhmes”- tha ai. Sa i takon mbledhjes së kryesisë së PD, gjatë pasdites nga kreu i PD, Berisha foli ashpër ndaj tij ndërsa tha se sot tregoi se është vetëm një kufomë politike.
“Peng Basha nuk do të doja të flisja për të sot. i rrethuar me batalionin e policisë së Ramës. C’mund të flasës për të sot. Tregoi se është një kufomë politike, asgjë më shumë.”- u shpreh Berisha ndërsa theksoi se do të shkojë në seli në momentin më të parë që do vendoset.
“Selia është një dhe vetëm një, do shkojmë në momentin më të parë që do vendosim. Ajo nuk është seli e pengjeve, nuk është seli e rrethuar, me bandat e Ramës. Ramës i them hiq dorë nga cdo lloj përpjekje për t’i garantuar mbijetësë pengut tënd. Sepse hoqe apo s’hoqe dorë ky revolucion do kthehet te ti.”- tha Berisha.
Rezistencë nga Basha?
Berisha: Revolucionit si reziston dot kush, mos bëni shaka.
Ora 18:07 – Kuvendi i Berishës ‘shkarkon’ Lulzim Bashën, ja sa delegatë kanë votuar pro
Ka përfunduar numërimi i votave për ‘shkarkimin’ e Lulzim Bashës. Nga 4934 delegate , 4491 kanë marrë pjesë në votim dhe 4446 prej tyre kanë votuar pro shkarkimit të Bashës nga posti i kryetarit të PD.
Rezultati është bërë i ditur nga deputeti Belind Këllëçi ku 36 kanë votuar kundër dhe 9 vota të delegatëve kanë rezultuar të pavlefshme.
Ora 16:05 – Përfundon votimi për ‘shkarkimin’ e Bashës, nis numërimi i votave
Ka përfunduar votimi për shkarkimin e kreut e PD, Lulzim Basha. Procesi nisi rreth në mesditë, në Kuvendin e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha, ndërsa më 18 dhjetor është parashikuar një referendum në çdo degë të Partisë Demokratike, lidhur me këtë vendim.
Ora 14:01 Shpalljen ‘non grata’; Berisha: Pres provat, por nuk kanë! Ftoj zyrtarët e DASH të rishikojnë vendimin! Vijoj i i palëkundur misionin tim
Në fjalën e tij nga Kuvendi i 11 dhjetor, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi edhe një herë vendimin e DASH për ta shpallur atë ‘non grata’. Berisha tha se ishte i gatshëm për cdo vendim nëse do të paraqitej qoftë edhe një provë e vetme, ndërsa theksoi se do të vijojë i pathyeshëm betejën e tij.
“Presidenti i SHBA në dekretin e tij dekreton në këtë vend një ambasadore përfaqësuese të vlerave, kombit të tij të madh, interesit të vlerave e demokracisë, por cfarë ndodh? E paimagjinueshme. Në kulmin e mbulimit me drogë të Shqipërisë me pjesëmarrjen e policisë, përfaqësuesi i vendit të madh të lirisë, përgëzon policinë në luftën e suksesshme.
Në kulmin e korrupsionit dhe shndërrimit të Shqipërisë në protektorat të krimit të organizuar, përfaqësuesi ligjërata në mbështetje të narkoqeverisë, e sulmon opozitën me qëndrimet e saj.
Një trafikant me pushtet dërgohet në shtëpinë e bardhë, dhe procesi i këtij trafikanti shpallet si i sukesshwm. A nuk janë këto standardet më të dyfishta. A vijnë këto nga vendi i lirisë? Absolutisht JO, vijnë fund e krye nga mafia e Xhorxh Sorosit.
Miqtë e mi, edhe më keq akoma, një ditë, në maj të këtij viti DASH shpall non grata Sali Berishën, 8 vite pasi kish dhënë dorëheqjen nga cdo rol. Njeriun e lavdëruar më shumë se kushdo tjetër nga SHBA në luftën ndaj korrupsionit. Shpall non grata njeriun që gjatë jetës së tij nuk kishte patur kurrë një akuzë të ngritur, ndaj tij apo familjarëve të tij për korrupsion, një njeri i cili kishte bërë gjithçka në luftën ndaj korrupsionit, një njeri që 31 vite më parë në drejtim të kësaj partie, kishte përmbysur në Shqipëri diktaturën më staliniste të europës, hodhi bazat e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor, transformimet më të mëdha në histori, kishte realizuar marrëdhëniet më miqësore në vendin e madh të lirisë, kishte shënuar projekte të mëdha të shekullit në energji e fusha të tjera. E kishte mbështetur pa kushte në të gjitha rastet në cdo forum qëndrimet e SHBA në fushën e sigurisë e të paqes dhe së fundi njeriun që për të gjitha këto ishte votuar nga shqiptarët një komb i vogël ishte votuar aq shumë sa zyrtarët e burokratët në fjalë as në ëndërr nuk e kanë parë. Cfarë do bëja unë në këtë rast? Në 2013, shumë nga ju kërkuan të mos jepja dorëheqjen, po dinjiteti im e kërkon të jap dorëheqjen, kjo ishte përgjigjja ime. Dhe unë ju thash ju të vërtetn. 32 vjet të shkuara në një natë të zezë dimri kisha marrë një vendim të përballesha me diktaturën. Ishte vendimi më i rëndësishëm i jetës time.
Ndaj edhe unë nisa betejën time po aq i vendosur, si 32 vjet më parë të bëj gjithçka për dinjitetin tim dhe kam muaj e muaj që pres asnjë fakt asnjë dokument asnjë provë për faktin e vetëm se nuk ekziston. U bëj thirrje zyrtarëve të DASH të cojnë në Paris cdo fakt e dokument, ju siguroj para jush se marr cdo vendim ndaj vetes sime. Ftoj këto mbi tokë që ka mbi tokë, të paraqesë një provë, në të kundërt i përlurur pafundësisht para të vërtetës do vazhdoj pathyeshëm misionin tim.
Ftoj zyrtarët e DASH të rishikojnë vendimin e tyre, sepse arroganca e gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë. Ju garantoj ju se do vazhdoj i palëkundur misionin për të përmbysur narkoshtetin.” u shpreh Berisha.
Ora 13:45 – Berisha: Ambasadorja amerikane Yuri Kim sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik në Tiranë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar ashpër ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim.
Ai tha nga Air Albania, atje ku po mbahrt edhe Kuvendin, se diplomatja Kim sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik ne Tiranë.
“Miqtë e mi, foltorja ishte uragani që kaloi nga qyteti në qytet, nga salla në sallë dhe që pushtoi mendjen dhe zemrat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Presheve dhe Diasporë, kudo ju janë shqiptarët. Kurrë ndonjëherë shqiptarë nga vitet ’90 e deri më sot nuk kanë ndjekur më me pasion, më me interes, më me dashuri siç kanë ndjekur foltoren e demokratëve shqiptarë. Foltorja ishte vendi ku ju debatuat dhe morët përgjegjësi dhe kërkuat që PD të rithemelohej. Të rithemelohet mbi vlerat dhe parimet dhe statutin e saj. Foltorja faktikisht rithemeloi partinë e lirive tona, e lirisë së tregut, e vlerave konservatore, e dinjitetit njerëzor. Ndaj dhe sot unë dua të përulem me nderim të madh para atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që me guxim mbushën sallat para atyre mijëra delegatëve që me firmën e tyre bënë të mundur mbledhjen e Kuvendit sot. Miqtë e mi, ne jemi dhe mbetemi parti e vokacionit perëndimor të popullit shqiptar, e parashikuar kjo në mënyrë gjeniale. E duke i shtuar këto nga zemrat e rinisë studentore te brohoritjet “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Ora 13:16 – Berisha i emocionuar: Kuvendi më madhështor në historinë e pluralizmit shqiptar në 30 vite, monument i rithemelimit të PD-së
Si në hyrje të tij në stadiumin “Air Albania”, ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar podiumit në “Air Albania” duke u shoqëruar me këngën e famshme “The final countdown”.
Duke përshëndetur me dy gishta të pranishmit në stadium, Berisha i falënderoi ata për pjesëmarrjen, ndërsa këta të fundit e përshëndetën me duartrokitje dhe brohërima. Berisha e cilësoi këtë event të demokratëve si Kuvendi më i bukur në historinë e pluralizmit shqiptar.
“Të dashur delegatë dhe delegate të Kuvendit më madhështor, më të bukur, më triumfues, më mahnitës, në historinë e pluralizmit shqiptar në këto 30 vite. Kuvendi që mblidhet si monument i lirisë shqiptare, Kuvendit që mblidhet si monument i rithemelim të PD. Kuvendit që mblidhet si monument madhështor i rithemelimit të PD-së. Kuvendit të parë në histori të kultit të anëtarit të PD, të kultit të lirisë, të anëtarit të lirë. Qytetarë shqiptarë ju përshëndet sot nga kjo platformë me të cilën ne vendosim që të rithemelojmë forcën e madhe politike të PD.”, tha Berisha.
Ora 13:10 – Vokshi në Kuvendin e thirrur nga Berisha: Mbështesim zgjidhjen e ngërçit në PD nëpërmjet votës së lirë! Qëndrimet e Bashës cënuan demokracinë
Pjesëmarrëse në Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, Albana Vokshi u shpreh se mbështetja e Kuvendit synon zgjidhjen ngërçit në PD nëpërmjet votës së lirë.
Më tej Vokshi u shpreh se qëndrimet e kreut të PD-së, Lulzim Basha kanë cënuar demokracinë.
“PD ka njohur brenda saj një lëvizje të gjerë iniciuar nga Sali Berisha në qytetet kryesore. Lidhja demokratike e Gruas dhe Forumi Rinor janë organizata partnere dhe kanë për detyrë përmirësimin e veprimtarisë së PD. Jemi të ndërgjegjshëm për rrezikun që përbën shtypja e mendimit të lirë. Mbështetja që u bë ndaj Kuvendit është bërë me synimin që zgjidhja e ngërçit të bëhej nëpërmjet votës së lirë. Vendimet e marra në mënyrë personale nga kreu i PD-së kanë cënuar demokracinë”, tha Vokshi.
Ora 12:53 – Kuvendi Kombëtar miraton Komisionin e Rithemelimit të PD-së, shkarkohen nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe Kryesia, votim i fshehtë për shkarkimin e Bashës
Komisioni i Organizimit te Kuvendit shkarkon nënkryetarët e PD, sekretarin e përgjithshëm, dhe kryesinë e PD-së, me arsyen se nuk janë zgjedhur sipas statutit.
Në Kuvendin Kombëtar është zgjedhur Komisioni i Rithemelimit me 27 anëtarë.
Gjatë fjalës së tij Këlliçi njoftoi se Kuvendi vendosi të votojë me votim të fshehtë për shkarkimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për dëmtim të rëndë të interesave politike.
Ndërkohë më 22 Mars, mblidhet përsëri Kuvendi për të zgjedhur strukturat e reja te PD-së.
Ora 12:37 – Kuvendi i Berishës ndryshon vulën dhe siglën e partisë, miratohet nen për nen statuti i ri i Partisë Demokratike; Këlliçi: Ta gëzoni
Është miratuar nen për nen statusi i ri i Partisë Demokratike. Në këtë Kuvend të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, delegatët kanë votuar 67 nenet e statutit të ri.
Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e organizuar në stadiumin ‘Air Albania’, Bellind Këlliçi u shpreh se transparenca është në fokus të këtij takimi dhe se askush nuk i trembet transparencës.
Me propozimin e një grupi anëtarësh dhe mbështetjen e të paktën 15 % të delegatëve, Kuvendi vendosi:
-Miratimin në parim të statutit të PD-së
-Miratimin nen për nen të statutit të PD-së.
-Vula e PD-së dhe simboli i saj rikthehet tek vula origjinale kur u themelua PD.
-Miratohet neni për primarët, Referendumi
-Miratohet neni për fraksionet në PD
Neni Basha, kryetari shkarkohet pas humbjes
Delegatët kanë votuar 67 nenet e statutit të ri.
Ora 12:21 – “Sot japim provën se demokracia brenda partisë nuk është burokraci”, Bylykbashi: Basha ktheu organet e partisë në vula noteriale e shtabe ushtarake
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi i pranishëm në Kuvendin e PD, e thërritur nga Sali Berisha u shpreh në fjalën e tij se kjo ditë po hynë në historinë e pluralizmit shqiptar.
“Është nder për mua t ju drejtohem në këtë përvjetor. 31 vite më parë PD e themeluan anëtarë të thjeshtë të saj, sot 31 vite më pas, për herë të parë nga themelimi i saj, Kuvendin e thërrët anëtarsia. Po hyn në historinë e pluralizmit shqiptar, duke krijuar një precedent të jashtëzakonshëm.
Sot po japim provën se demokracia brenda partisë nuk është burokraci, por ideale e kontribut. Vlerat e PD gjatë këtyre viteteve në opozitë janë asfiksuar. Ndryshimet në statut në 2018 e 2021, në vend të çlironin energji, centralizuan pushtetin në duart e kryetarit, duke ia marrë pushtetin organeve kolegjiale. Organet u kthyen në vula noterie, shtabe ushtarake. Demokracia vjen nga ndarja e balancimi në organet e zgjedhura. Sot propozojmë ndryshime që kanë për qëllim të fuqizojmë anëtarët e PD, dhe organet e zgjedhura prej tyre në qendër e në bazë. Sot synojmë të projektojmë një PD, ku energjitë e anëtarëve rriten nga gara e nuk shtypen nga urdhri i eprorëve. PD është parti që mbron vleron konservatore demokratike e euroatlantike.
Disa nga propozimet në statut:
Parimi një anëtar, një votë, për zgjedhjene organeve në qendër por edhe për ato lokale.
Votimet primare, për të zbhërë praktinën negative, që konsolidoi Basha në këto vite.
Ora 12:17 Këlliçi: Kuvendi është legjitim, ja roli që merr Oerd Bylykbashi
Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur zyrtarisht punimet.
Kryetari i këtij komisioni, Belind Këlliçi pohoi se demokrati Oerd Bylybashi do të marrë një rol, që ka të bëjë me paraqitjen e ndryshimeve statutore të PD.
Mes te tjerash Kellici tha se ky Kuvend eshte legjitim, pasi ka firmat e delegateve.
Ora 12:13 – “This is a miracle of fredoom”/ Nga takimet e Berishës me Presidentin Amerikan, te anëtarësimin në NATO, liberalizimi i vizave, ‘non grata’ e ‘ Foltorja”… 31 vite rrugëtim i PD
“This is a miracle of fredoom”. Padyshim që kjo ngelet një nga frazat më të njohura të Sali Berishës gjatë kohës kur ishte në krye të qeverisë shqiptare, kur Shqipëria u anëtarësua në NATO.
Në 7 prill të 2009-ës, Berisha, nga Samiti i NATO-s dhe në krah të presidentit të aso kohe të SHBA-ve George W Bush tha fjalinë në fjalë.
Në stadiumin ‘Air Albania’ para demokratëve u publikuar një dokumentar me momentet më pikante të rrugëtimi të PD-së në këto 31 vite.
Rrugëtimi flet edhe për një tjetër moment kyç për Shqipërinë, liberalizimin e vizave, deri te shpallja non-grata nga SHBA e Berishës, apo foltorja dhe përplasja me Bashën.
Ora 11:56 – FOTO; Komisioni i rithemelimit, ja ndryshimet që kërkohen në statutin e Partisë Demokratike
Statusi i Partisë Demokratike të Shqipërisë përmban disa ndryshime statutore.
Në Kuvendin e sotëm të thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha do të kërkohen ndryshimet e paralajmëruara.
Pika më kryesore është ajo e krijimit të një Komisioni Tranzitor, rithemelimi me 15 anëtarë do të ushtroje të gjitha kompetencat që i takojnë organeve të PD-së, me përjashtime të atyre që i takojnë Kuvendit Kombëtar. Kryetari zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”.
Ndërsa, çdo akt i organeve të partisë i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të statutit.
Ora 11:46 – Këlliçi: Kryefjala e këtij Kuvendi do të jetë transparenca, i bindur që nga dita e sotme do të forcojmë institucionet
Në 31 vjetorin e Partisë Demokratike është mbajtur në stadiumin ‘Air Albania’ Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij Belind Këlliçi u shpreh se ky Kuvend është Kuvendi i demokracisë dhe se nga dita e sotme do të hapen të gjitha dyert për të rinjtë.
Po ashtu ai u shpreh se 72 përfaqësues të PD-së do të bëjnë verifikimin e delegatëve.
“E keni bërë këtë Kuvend më të jashtëzakonshëm. Para se të nisim punimet dua t’ju falënderoj përzemërsisht për këtë pjesëmarrje që mishëron më së miri demokracinë. Jam i bindur që nga dita e sotme do të forcojmë institucionet. PD nga sot e tutje do t’i hapë të katra dyert për të rinjtë për t’i dhënë mundësi për të bërë karrierë. Do të verifikojmë numrin e kërkesave që janë drejtuar për të thirru Kuvendin Kombëtar. Ky Komision do të ngarkojë 72 përfaqësues për të gjitha degët e PD për të verifikuar secilat firma. Kjo trupë në këtë moment në zbatim të statutit do të bëjë verifikimin e prezencës së delegatëve. Sekretariati teknik ngarkohet të kryejë të gjitha verifikimet përkatëse. Verifikimi do të bëhet nëpërmjet teknologjisë që mundëson në kohë reale pjesëmarrjen. Kryefjala e këtij Kuvendi do të jetë transparenca. Askush nuk i trembet të vërtetës. Në këtë Kuvend prevalon vetëm e vërteta”, tha Këlliçi.
Ora 11:38 – Zbardhen emrat, nga anëtarët te drejtuesi i Komisionit që do të drejtojë punimet e Kuvendit të Berishës
Zbardhen emrat e propozuar për komisionin që do të drejtojnë punimet e Kuvendit të PD-së të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ka qenë Paloka ai që ka bërë të ditura propozimet, të cilët janë miratuar mes breshërimave nga të pranishmit.
“Po ju paraqes për miratim emrat e komisionit që do të drejtojnë punimet e Kuvendi. Ervin Minarolli, sekretar organizativ i PD, Ivi Kaso sekretar zgjedhor i PD, Edmond Spaho, ish-nënkryetar, Belind Kellici kreu i FRPD, drejtues i Komisionit. Për sekretariatin propozohen Minushe Nazaj , nade daullja dhe ledio Nuraj. Ti miratojmë këto propozime me dorë, se kush është pro. Kundër nuk ka. Ftojmë sekretarinë që të zëjë vend në podium. Suksese të gjithëve vëllezër.”, tha Paloka.
Ora 11:30 – “Kryetari aktual u pozicionua krah regjimit”, Paloka çel Kuvendin: Ne jemi demokratët e rrebeshit, të tjerët të shkojnë te shampanja
Ish-nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ka celur punimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, në stadiumin Air Albania.
Ndërsa e konsideroi këtë një ditë historike për demokratët, Paloka ironizoi eventin e thirrur nga kryedemokrati Basha në selinë e PD, ku u shpreh se demokratët në stadium, janë demokratët e rrebeshit, të tjerët tha ai të shkojnë te shampanja.
“Mirësëkeni ardhur në Kuvendin e demokratëve të lirë. Prania juaj në një ditë si kjo, ne jemi demokratët e rrebeshit, jemi ata që kemi qëndruar në rrebeshe, të tjerët të shkojnë te shampanja. Kjo ditë do hyjë në histori, jo thjesht se për herë të parë mblidhet një kuvend me kërkesën e delegatëve, as thjesht për numrin e pazakontë të pjesëmarrësve por për faktin se pas 31 vitesh mblidhemi për ta rithemeluar partinë, mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritëm dhe për ta vendosur në shinat e konservatorizmit. Unë e kam konsideruar veten me fat, që në dhjetor të 1990, u bëra pjesë e lëvizjes studentore, sot e pas kësaj dite të gjithë do kemi të drejtën të themi me krenari isha aty ditën kur u rithemelua PD.
Ora 11:01 – Stadiumi në këmbë, Sali Berisha mbërrin në ‘Air Albania’, gati të nisë Kuvendi i 11 dhjetorit
Ish kryeministri Sali Berisha ka mbërritur me një orë vonesë, në stadiumin ‘Air Albania’, ku mbahet Kuvendi i demokratëve i thirrur prej tij. Delegatë e simpatizantë u ngritën në këmbë ndërsa në sfond ish kryeministrin e shoqëronte kënga ‘The final Count down’.
Ora 11:03 Berisha drejt ‘Air Albania’: Ditë e jashtëzakonshme. Lulzim Basha është i ftuar në Kuvend
Ish- kryeministri Berisha është ndaluar në një komunikim për mediat, para se t’i drejtohet stadiumit ‘Air Albania’, ku pritet të mbahet Kuvendi i demokratëve i thirrur prej tij. Ndërsa doli nga banesa e tij, Berisha e konsideroi ditën e sotme një ditë të jashtëzakonshme
Ky Kuvend mblidhet për herë të parë me kërkesën e delegatëve të tij. Sot numri i firmëtarëve është shumë më i lartë. Kriza e paprecedentë ku gjendemi sot, si pasojë e dështime për të përmbysur një regjim armik të demokracisë, pozicioni që kryetari aktual i bëri PD pas 25 prillit jo përballë regjimit, por cdo ditë e më shumë në krah të tij duke e kthyer PD në një opozitë fasadë është arsyeja pse jemi mbledhur këtu për të kuvenduar. Jemi mbledhur për të kthyer shpresën e besimin, te shqiptarët që kërkojnë besim, opozita e vërtetë nuk ka vdekur, nuk hyn në pazare me ramën po është më e gatshme se kurrë të përballet me regjimin ashtu sic ai e meriton. Ka nga ata që na pyesin, apo thonë pse tani, më 25 prill të gjithë e konsideruam masakër zgjedhore, por e dinim se me Ramën s’prisnim gjë tjetër, ndaj të gjithë ne mbajmë përgjegjësi që nuk arritëm të përkthejmë në fitore sakrificën e demokratëve, duke pranuar këto përgjegjës, kreu i parë i PD i premtuam demokratëve se do fillonim betejën më të ashpër ndaj regjimit, për të rikthyer pluralizmin.
Po cfarë ndodhi në vend të betejës me Ramën, na dhanë luftën me njëri tjetrin. Një ditë para betejës, basha në kundërshtim me statutin dhe jashtë cdo morali largoi liderin e saj historic. Akti u justifikua me shpalljen non grata, kjo nuk e pengoi Bashën të merrte një mandate tjetër si kryetar të PD. Akti i 9 shtatorit krijoi një përcarje që nxitet e provokohet përditë nga zyrat e PD, ku sot drejtojnë personazhe që nuk shqetësohen edhe nëse PD shkatërrohet, gjë që s’kanë guxuar ta thonë edhe kundërshtarë më të egër të PD. Personazhe të tilla s’mund të përfaqësojnë demokratët. Ne s’mund të pranojmë shkatërrimin e PD se 5-6 vetë kërkojnë të mbajnë një karrige dhe të kapardisen në parlament që sot ngjan me sallon mode. Jemi mbledhur sot këtu që t’ju kthejmë shqiptarëve opozitën e vërtetë, të kthejmë PD te fitorja. Ju uroj të gjithëve Gëzuar përvjetorin e themelimit të PD, dhe ditën e parë të rithemelimit të PD. Për një PD më të fortë e më të bashkuar.” u shpreh Paloka.
Ora 10:37 – Prapaskenat e Kuvendit të thirrur nga Berisha, Paloka i pari që do të marrë fjalën para demokratëve
I pari që do të mbajë fjalën hapëse në çelje të këtij Kuvendi të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha nga do të jetë deputeti i PD-së, Edi Paloka.
Gazetari Osman Stafa pohoi në një lidhje live për ‘News24’ nga jashtë ambienteve të “Air Albania”, raportoi se do të ketë rreth 20 persona që do të flasin në këtë Kuvend, ku padyshim momenti më i veçantë do të jetë fjalimi i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit prej 3 muajsh nisi aksionin e tij kundër Lulzim Bashës përmes Foltores, për rithemelimin e PD dhe për shkarkimin nga drejtimi i kësaj partie të kryetarit.
Ora 10:24 “Korrupsioni minon demokracinë”, Ambasada Amerikane mesazh në prag të nisjes së Kuvendit të Sali Berishës
Në prag të nisjes së Kuvendit të PD, thirrur nga ish kryeministri Berisha, ambasada amerikane në Tiranë, ka publikuar në faqen e saj në facebook, mesazhe të lëshuara në samitin për demokracinë, mbajtur në SHBA.
Ambasada e vendos theksin te shtyllat e demokracisë, të cilat sipas saj, nëse në shumë vende janë nën sulm nga qeveri autoritare ose aktorë të korruptuar që përpiqen të dobësojnë institucionet demokratike. Kujtojmë se ish kryeministri Berisha është shpallur ‘non ngata’ nga SHBA, për korrupsion.
“ Në shumë vende, shtyllat e demokracisë – liria për t’u mbledhur, liria e shprehjes, dhe liria për t’u organizuar – janë nën sulm nga qeveri autoritare ose aktorë të korruptuar që përpiqen të dobësojnë institucionet demokratike, të minojnë proceset demokratike dhe të gërryejnë besimin në parimet demokratike.
Demokracia i ka themelet në premisën se ajo mbështetet nga populli dhe për popullin, prandaj pjesëmarrja qytetare në Samitin për Demokracinë është kaq e rëndësishme”- shkruan ambasada.
Ora 10:01 – Delegatët në radhë te “Air Albania’ për të hyrë në Kuvend: Berisha, burrë legjendar, do sjell PD në pushtet
Delegatë të Partisë Demokratike, që do të marrin pjesë në Kuvendin e thirrur sot nga ish-kryeministri Sali Berisha janë shprehur pro shkarkimit nga detyra e kryetarit të Lulzim Bashës. Për mikrofonin e mediet disa prej këtyre delegatëve thanë se Berisha do të sjellë në pushtet PD-në.
“Do votojmë shkarkimin e Bashës. duhet me ik Basha në shtëpi, na e ka prurë në majë të hundës. U bë bashkë me atë palaçon.”, -tha një prej delegatëve për gazetarin.
Ndërkohë një tjetër tha se ka firmosur për këtë Kuvend sot dhe jo për atë të thirrur nga Basha më 18 dhjetor. “Kryesorja është që të fitojë Berisha. Është burrë legjendar. Do kthejë në pushtet PD-në. Jam delegat dega një në Tiranë. Kam firmosur për 11 dhjetorin.”, pohoi ai, ndërsa pret në radhë për të hyrë në stadiumin ‘Air Albania’.
Hyrja në stadium po bëhet nga disa porta, ku delegatët po futen nga dy dyer, ndërsa të ftuarit nga një tjetër hyrje. Ata po kontrollohen, ndërsa duhet të tregojnë edhe një mjet identifikimit që është një bezhë e dhënë nga organizatorët.
Ora 10:07 – VIDEO/ Ekran i madhqë numëron delegatët, skena e vendosur në mesfushë dhe muzikë, brenda stadiumit ‘Air Albania’, ku do mbahet Kuvendi i Berishës
Një ekran i madh që njofton numrin e delegatëve që kanë hyrë në stadiumin Air Albania, podiumi i ngritur në mes të fushës.
Në stadium janë vendosur gjithashtu banderolat me sloganin e njoftuar më parë, nga z.Berisha: Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, më të bashkuar më të fortë më të hapur.