Vullin për Masakrën e Reçakut: Gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Alleksandar Vullin, ka deklaruar se “masakra e supozuar” ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, në fshatin Reçak, që ishte një moment kyç për nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe më 1999, është “gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.
Vullini më 10 dhjetor, pas një vizite të një lokacioni afër Nishit ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak në janar 1999, tha se “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, citohet të ketë thënë Vullin sipas Ministrisë së Brendshme.
Ai shtoi se serbët “nuk do të lejojmë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta”.
“Nuk do të lejojmë më kurrë që të tjerët të shpikin të vërteta për ne sepse e vërteta është në anën e popullit serb”, tha Vullin.
Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes. Kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, që vizitoi vendin ku ndodhi masakra, kishte deklaruar se aty kishte ndodhur “krim kundër njerëzimit”.
Ky krim tërhoqi edhe vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ndërmori hapa për të ndaluar shkeljen masive të të drejtave të njeriut në Kosovë. Më 24 mars 1999 nisën edhe bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, fushatë që zgjati 78 ditë.
Kjo nuk është hera e parë që Vullini mohon Masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti, Alleksandar Vuçiq, këtë masakrën e quajnë “krim të fabrikuar”.
Masakra e Reçakut ishte dhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë. Megjithatë, gjyqi u ndërpre pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk u dënuan për krimet e kryera në Reçak.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001./rel
Fraksion.com