SHBA sanksione ndaj një grupi serbësh në veriun e Kosovës
BE përshëndet vendimin e SHBA-së që vendosi sanksione ndaj një grupi serbësh të veriut të Kosovës. Ky grup është angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi.
Përveç Veselinoviqit në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, anëtarë të grupit Zheljko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radoiçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq dhe Milivoje Vuloviq.
Ky grup sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit SHBA-së, akuzohet pos të tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta. E në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve “kontratat më të mira për infrastrukturë dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre”.
Skemë ryshfeti në shkallë të gjerë
Njëri nga anëtarët e grupit Milan Radojçiç, është pjesë e strukturave udhëheqëse politike të Listës “Srpska”, që është pjesë e kuvendit të Kosovës subjekt ky politik që përfaqësohet me 10 deputetë.
Në njoftimin e Departamentit të Thesarit, thuhet mes tjerash se Zvonko Veselinoviç, dhe grupi i tij, “janë angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi, për të lehtësuar trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Në listën e sanksioneve përfshihen edhe shumë kompani në Serbi dhe Kosovë, që janë të lidhura me pjesëtarët e grupit. Në njoftim po ashtu thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe grupi i tij u akuzuan nën dyshimet për përfshirjen në vrasjen e politikanit lokal serb të veriut, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, pas vendosjes së sanksioneve ndaj krerëve të krimit të organizuar në veri të Kosovës, Zvonko Veselinoviq e Milan Radoiçiq, si dhe anëtarëve të grupit të tyre, tha se “sanksionet janë në pajtim me objektivat e Samitit për Demokracinë” që mbahet këtë javë nën organizimin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe ku merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas sekretarit Blinken, “bandat që veprojnë përtej kufijve janë destabilizuese dhe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë qeveritarë”. “Ne e dimë gjithashtu se krimi i organizuar i mbështetur nga aktorë të korruptuar mund të destabilizojë sundimin e ligjit, të gërryejë besimin në institucionet publike dhe të dobësojë qeverisjen demokratike”, thuhet në deklaratën e sekretarit Blinken.
Synim i përbashkët
Vendosja e sanksioneve amerikane ndaj një grupi të serbëve në veri të Kosovës, u përshëndet edhe nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, i cili tha se ky “është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor”.
“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, shkroi Josep Borrell në twitter.
Vendosja e sanksioneve amerikane ndaj një grupi të serbëve në veri të Kosovës, u përshëndet edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. “Institucionet e Kosovës janë plotësisht të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe do të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë për grupe të tilla kriminale”, shkroi presidentja Osmani.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara. “Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mirë se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve. Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, shkroi kryeministri i Kosovës Kurti./DW
Fraksion.com