AktualitetPolitikëTë fundit

Rindërtohet shkolla në Kombinat; Rama: Projektet e financuara nga donatorët janë administruar nga vetë ata

Kryeministri Edi Rama siguroi sot se po punohet pa orar për të garantuar se shtëpitë dhe të gjitha njësitë e tjera që do të ndërtohen, të bëhen realitet një orë e më parë në Kombinat.

Kryeministri Rama mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e inaugurimit të shkollës dhe kopshtit “Lasgush Poradeci”, në Kombinat, të transformuara tërësisht pas dëmtimeve nga tërmeti.

Ndërsa falënderoi partnerët ndërkombëtarë të angazhuar me programin e Rindërtimit, Rama theksoi se ata na u gjetën pranë në një moment të vështirë, ku praktikisht bota u përmbys për mijëra familje që humbën shtëpinë e mbetën pa çati dhe mijëra nxënës që humbën shkollën dhe u detyruan të lëvizin në destinacione të tjera.

“Shumica dërrmuese e atyre që u goditën më fort nga tragjedia e tërmetit as që e besonin që shumë shpejt gjërat do të ndryshonin dhe se familjet do të ktheheshin në shtëpi shumë më të bukura dhe më të forta dhe nxënësit në shkolla që nuk kanë të krahasuar me atë që ishin para asaj goditje”, tha Rama.

Duke folur për rindërtimin në Kombinat, Rama tha se “Kombinati është një nga zonat më të prekura nga tërmeti dhe numri i familjeve të goditura, më i konsiderueshëm se në zonat e tjera të Tiranës”.

“Kjo është zona ku po ndërtohet një nga projektet më të mëdha të Rindërtimit. Familjet duhet të bëjnë edhe pak durim pikërisht pse është një nga projektet më të mëdha, në mos më i madhi dhe duhet pak më shumë kohë se sa për ndërtimin e shtëpive individuale apo lagjeve më të vogla”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se “lagjja e re do të jetë njësoj si kjo shkollë për nga impakti transformues i jetëve të atyre familjeve që u goditën por edhe i të gjithë jetës së komunitetit”.

“Dua t’i garantoj të gjithë se jo vetëm nuk kemi lënë asnjë ditë të shkojë kot, por punojmë pa orar bashkë me bashkinë e Tiranës për të garantuar se shtëpitë dhe të gjitha njësitë e tjera që do të ndërtohen, të bëhen realitet një orë e më parë në Kombinat”, tha Rama.

Shkolla e re “Lasgush Poradeci” ka një kapacitet prej 1200 nxënësish, shumë herë më e bukur, me auditorë, laboratorë modernë, si dhe me fusha sportive, që do i shërbejë jo vetëm nxënësve, por gjithë komunitetit të zonës.

Kryebashkiaku tha se për këtë shkollë do xhelozohet e gjithë Shqipëria, duke shtuar se është një xhelozi e mirë që rrit standardin në vend.

“Komenti më popullor ose më i përdorur kur ne postuam pamjet e shkollës ishte: ‘Mjaft bëtë reklama me shkolla private’, – sepse askujt nuk ja kishte pritur mendja që një shkollë publike në zemër të Kombinatit do ishte shkolla më e madhe, më e bukur, më e fortë në Republikën e Shqipërisë, edhe më e mirë se shkollat private”, u shpreh Veliaj.

Më tej kryebashkiaku theksoi se shkolla e re do të shërbejë, jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë banorët e zonës.

“Kjo shkollë për 1200 nxënës, është dy herë më e madhe, më e fortë dhe sigurisht më e bukur, siç kemi bërë në çdo shkollë, kemi përfshirë gjithmonë një auditor. Sot kemi auditorë tek Liceu, “Tonin Arapi”, auditor “Avni Mula”, tek shkolla “Servete Maçi”, auditori te shkolla “Kosova”, ky auditor këtu është edhe për aktivitetet e komunitetit, duke filluar nga festa e Abetares deri tek një koncert, një recital, një vallëzim, festat e nëntorit, të fundvitit”, vijoi Veliaj.

Kryeministri Rama tha se siç është kjo shkollë e re me këtë standard dhe këtë shkëlqim, kështu do jetë dhe lagja e re e Kombinatit.

“Lagjja e re që do të ndërtohet këtu do të jetë njësoj si kjo shkollë për nga impakti transformues i jetëve të atyre familjeve që u goditën, por edhe i të gjithë jetës së komunitetit. I garantoj të gjithë se jo vetëm që nuk kemi lënë asnjë ditë të shkojë kot, por është vazhdojmë të punojmë pa orar së bashku me Bashkinë e Tiranës, për të garantuar që shtëpitë dhe të gjitha njësitë e tjera që do të ndërtohen, që nga ato tregtaret e deri tek ato sociale dhe administrative në zonën e Kombinatit, të bëhen realitet një orë e më parë”, nënvizoi Rama.

Shkolla e re “Lasgush Poradeci”, u rindërtua me ndihmën e Fondit të Zhvillimit të Katarit.

 

Fraksion.com