Përmbyset kamioni, vdesin 53 emigrantë
Të paktën 53 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar, pasi kamioni me të cilin po udhëtonin, u aksidentuar në jug të Meksikës, njoftuan autoritetet.
Mbi 100 persona, që thuhet se janë migrantë nga Amerika Qendrore, ishin në rimorkion e kamionit, kur ai u rrokullis në shtetin Chiapas.
Ky është një prej aksidenteve më të rënda të këtij lloji në Meksikë. Kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Luis Manuel Garcia, tha se të paktën 58 persona janë lënduar, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Ai njoftoi se në mesin e viktimave ka burra, gra dhe fëmijë.
Kombësia e viktimave nuk është konfirmuar ende, por zyrtarët lokalë thanë se shumica e personave që po udhëtonin me këtë kamionë transportues, ishin nga Hondurasi dhe Guatemala.
Kamioni raportohet se ishte duke ecur me shpejtësi të madhe kur shoferi bëri një kthesë të mprehtë, duke goditur një urë për këmbësor në Tuxla Guiterrez në shtetin Chiapas.
Shteti meksikan Chiapas, që gjendet në afërsi të Guatemalës, është pika e transitit për migrantët.
Qindra mijëra migrantë, që ikin për shkak të varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore, çdo vit tentojnë që të kalojnë nëpër Meksikë, me qëllim që të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.
Shumica paguajnë kontrabandistë, të cilët më as i transportojnë ata me kamionë të mbushur plotë me migrantë.
Fraksion.com