Lufta kundër kultivimit të kanabisit, Guardia di Finanza, 70 misione fluturimi gjatë 2021
Guardia di Finanza ka kryer 70 misione fluturimi gjatë vitit 2021, duke identifikuar 1119 parcela të kultivuara me kanabis dhe ka asgjësuar 92428 bimë narkotike.
Gjenerali i Guardia di Finanza-s, Giuseppe Arbore, në fjalën e tij në Konferencën e sotme me Policinë shqiptare për luftën kundër kultivimit të kanabisit, theksoi se, “kjo veprimtari e mbikëqyrjes ka filluar që në vitin 2012. Megjithatë ne kemi nënshkruar me Shqipërinë që në vitin 1997, një marrëveshje dypalëshe, pikërisht për t’i ofruar mbështetje dhe bashkëpunim, miqve dhe kolegëve shqiptarë. Dhe vitin e ardhshëm ne do të përurojmë pikërisht 25 vjetorin e kësaj marrëdhënieje bashkëpunimi”.
“Marrëveshja u përditësua dhe u nënshkrua në Romë në 16 shkurt të vitit 2021. Një marrëveshje që parashikon jo vetëm angazhimin e mjeteve ajrore, por edhe të një helikopteri. Kjo në mënyrë që të mund të hyjmë në ato zona që janë më të vështira për t’u arritur në territorin shqiptar. Janë mjete të fjalës së fundit të teknologjisë dhe janë të pajisura me sisteme të përparuara të tele-rilevimit të të gjithë territorit”, tha ai.
“Të dhënat që mblidhen në kuadër të kësaj veprimtarie tele-rilevimi, i nënshtrohen më pas edhe një veprimtarie hulumtimi”, theksoi Arbore.
“Tashmë kanë kaluar 10 vite që ne kryejmë këtë veprimtari të mbikëqyrjes nga ajri dhe kjo veprimtari është përsosur nga viti në vit. Si përsa i përket përpjekjes për të gjetur, apo zbuluar, zona më të fshehura, apo që janë më pak të arritshme nga avionët, por edhe përsa i përket synimit për ta përsosur më tej veprimtarinë e analizës dhe të hulumtimit”, tha ai.
Arbore theksoi se, “në vitin 2021është monitoruar dhe tele-rilevuar, pra e mbikëqyrur nga ajri, 22.6% e gjithë territorit kombëtar shqiptar. Por kjo përqindje realisht është shumë më e lartë nëse këtu përjashtojmë të gjitha ato zona të banuara, të gjitha ato territore apo zona, të cilët normalisht mbillen me kultura tradicionale. Pra pjesa më e madhe e territorit shqiptar potencialisht që mund të përdoret për këto plantacione është kaluar në skaner, është kontrolluar”.
Sa i përket fazës së analizimit dhe hulumtimit të të dhënave, Arbore tha se, “është transferuar laboratori i kryerjes së këtyre hulumtimeve dhe analizave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Kjo që prej vitit 2017. Fakti që ne e vendosim këtu këtë laborator analize bën të mundur që të kemi ndërveprim më të drejtpërdrejt ëme kolegët e policisë shqiptare”.
“Në 2012 sigurisht që numri i misioneve të fluturimit të mbikëqyrjes nga ajri u rrit për të pasur një rritje të mëtejshme dhe në 2013. Ndërsa këtë vit ne regjistrojmë 70 fluturime mbikëqyrje nga ajri. Pas fluturimeve të kryera në 2012, 2016-a ka qenë një vit rekord sa i përket rezultateve operative. Ishte e pashmangshme sepse ne i kemi kapur në flagrancë apo i kemi gjetur të papërgatitur organizatat kriminale dhe kemi kapur 2086 plantacione dhe gjithsej 753468 bimë të shkatërruara. Në vitin 2017 ne kemi pasur 58 misione, ku janë gjetur 90 plantacione të mbjella me kanabis dhe bimët e shkatërruara kanë qenë 5331. Ndërsa në 2018-ën u konfirmua ky trend negativ i hasur në 2017. Kemi një rritje në 19% të misioneve, por kemi gjetur vetëm 27 plantacione me 675 bimë të asgjësuara. Në 2019-ën ne kemi njohur një përmbysje të trendit, sepse kemi patur një 19% të rritjes së fluturimeve, por gjetëm 1109 parcela me një total prej 25719 bimë të asgjësuara. Fushata e mbikëqyrjes nga ajri në vitin 2020, sigurisht që u shënua nga vështirësitë si pasojë e emergjencës epidemiologjike të COVID. Pra në një farë mënyre ishim të detyruar që ta ulnim numrin e fluturimeve apo të mbikëqyrjes nga ajri me 18%, megjithatë arrijmë të gjejmë 1964 parcela, me 58423 bimë narkotike të asgjësuara. Në vitin 2021, zgjeruam veprimtarinë tonë, që prej periudhës 1 maj deri në 31 tetor dhe kryem 70 misione mbikëqyrje nga ajri, kundrejt 67 misioneve apo fluturimeve të kryera vitin e kaluar dhe kemi identifikuar 1119 plantacione dhe kemi asgjësuar 92428 bimë narkotike”, tha Arbore.
Ndërsa Drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë pranë Ministrisë së Brendshme, Gjeneral Brigade i Karabinierisë, Fabio Cairo, në fjalën e tij tha se, “shërbimi i mbikëqyrjes ajrore zhvillohet në bazë të një protokolli specifik të nënshkruar mes dy vendeve”
“Edicioni i vitit 2021, I cili filloi më 1 maj dhe përfundoi më 31 tetor, bëri të mundur që të mbulohej jo vetëm periudha që përfshin të gjitha fazat fenomenologjike të kultivimit që është rritja, lulëzimi dhe korrja, por edhe për të planifikuar misione fluturimi në zona tashmë të monitoruara dhe të prekura nga aktivitetet e zhdukjes nga Policia e Shtetit shqiptar, për shkak të fenomenit të hasur ndonjëherë të ri mbjelljes”, tha Cairo.
“Historia e bashkëpunimit italo-shqiptar për çështjet e sigurisë ka origjinë të largët dhe karakterizohet nga marrëveshje e suksese të shumta operacionale, duke filluar me marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në vitin 1991 për trafikun e paligjshëm të drogës, krimin e organizuar dhe terrorizmin”, tha ai.
“Me kalimin e viteve janë 20 instrumente dypalëshe që kanë shenjtëruar një marrëdhënie bashkëpunimi, e cilësuar e shkëlqyer dhe falë pranisë në zyrën ndërlidhëse Inter Force që vepron në Shqipëri që nga viti 1997”, tha ai.
Fraksion.com