AktualitetTë fundit

Breshëri plumbash; Atentat në Laç: Vritet brenda makinës së tij biznesmeni 55-vjeçar

55-vjeçari Rakip Rroli, i njohur ndryshe si Pilot Rroli, u vra mëngjesin e sotëm në një atentat në Sanxhak të Laçit.

Rroli u qëllua nga persona ende të paidentifikuar teksa lëvizte me makinën e tij.

Emri i tij rezulton i njohur për policinë, pasi në vitin 2011 është përfshirë në plagosjen me sende të forta të një 20-vjeçari.

Vrasja ka alarmuar policinë e Laçit që ka ngritur disa pika kontrolli për kapjen e autorëve.

Ndërkohë që në ndihmë të policisë vendore janë nisur edhe dy grupe të FNSH dhe një grup me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale.

Mësohet se për ngjarjen po hetohet dhe për konfliktet e mundshme të tre djemve të tij, të cilët po ashtu rezultojnë me precedentë penalë.

Si ndodhi vrasja

Autorët e këtij atentati kanë qenë 2, të cilët kanë qenë duke lëvizur me këmbë në momentin e vrasjes.

Mësohet se makina e viktimës ka ecur dhe për disa metra pas breshërisë së plumbave, dhe ka përplasur dy mjete të tjera.

Mësohet se Rroli ishte biznesmen në fushën e materialeve të ndërtimit. Burime bëjnë me dije se viktima ka ndërruar identitetin e tij, pasi më parë ka pasur emrin Rakip Roli, dhe ka qenë i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur 10 vite më parë.

Rroli ka qenë i arrestuar për dhunimin e një të riu, dhe ka bërë disa vite burg për këtë. Rroli po ashtu ka disa mjete transporti ndërqytetas. Konflikte të hapura ka pasur edhe djali i viktimës.

Shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën, por deri më tani nuk kanë rënë në gjurmët e autorit/autorëve.

 

Fraksion.com