Rama flet në Samitin e organizuar nga Biden: Mbështetja e SHBA jetike për avancimin e aspiratave demokratike
Kryeministri Rama iu adresua sot “Samitit për demokracinë” një samit virtual, ku po marrin pjesë liderët e mbi 100 shteteve, mes të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova.
Samiti i organizuar është nismë e presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe bëri bashkë udhëheqësit botërorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, me qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen kundër autoritarizmit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Kryeministri Rama iu adresua Samitit me një fjalë në të cilën u shpreh se paqja e qëndrueshme ka nevojë për demokraci të forta dhe se vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal ne mund t’u kundërvihemi konflikteve dhe të mund të sjellim paqen.
“Është nder dhe privilegj i veçantë të përfaqësosh Shqipërinë në këtë Forum të demokracive të botës. Për të qenë pjesë e komunitetit të demokracive vendit tim iu desh një rrugëtim mjaft i gjatë dhe gjithë “dredha” nga izolimi total. Por, ja ku jemi sot, një demokraci ende shumë e re, megjithatë, një anëtar krenar i OKB-së dhe NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, një anëtar kandidat për Bashkimin Evropian, një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i disa prej demokracive më të konsoliduara të botës dhe një anëtar i ardhshëm jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit”, u shpreh Rama.
Sipas Kryeministrit Rama, në këtë rrugëtim, miqësia dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë jetike për avancimin e aspiratave demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona.
“Katër vite më parë, qeveria shqiptare nisi një nga reformat më të thella dhe gjithëpërfshirëse krahasuar me të gjithë vendet postkomuniste, pikërisht reformën në drejtësi. Në këtë proces dhe në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe shtetet anëtare evropiane, ne po pastrojmë sistemin gjyqësor nga mbi 70 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tij dhe tani jemi në procesin e rindërtimit të institucioneve të drejtësisë sipas modelit të demokracive të konsoliduara”, deklaroi ai.
Ai theksoi se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar për të garantuar vazhdimin e suksesshëm të reformës në drejtësi, në mënyrë që sipas tij, “një sistem i ri drejtësie, i paanshëm dhe i pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ të bëhet plotësisht funksional dhe t’i shërbejë popullit”.
“Në të njëjtën kohë, ne jemi të përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet. Duke u mbështetur në sukseset ekzistuese në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike, ne po investojmë në shërbimet elektronike për të mbyllur boshllëqet ende të pambrojtura ndaj korrupsionit dhe për të garantuar qeverisje të mirë dhe transparencë për të gjitha proceset qeverisëse,” tha Rama më tej.
Me qëllim që të angazhojmë qytetarët në reformat që po ndërmerren, Kryeministri informoi se po ndërmerret partneriteti për Qeverisje të Hapur, si një forum me shumë palë, që do të sigurojë dialog publik kuptimplotë me të gjithë sektorët e shoqërisë.
“Por, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se, pavarësisht sukseseve, historia jonë e fundit ka treguar se reformat nuk janë të pakthyeshme. Ato duhet të mbështeten nga përpjekjet e përditshme të një morie aktorësh dhe nga angazhimi i shtuar dhe integrimi në strukturat dhe institucionet euroatlantike”, shtoi Kryeministri.
Sipas tij, kjo është arsyeja që negociatat e anëtarësimit në BE do të ndihmojnë në konsolidimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe përparimin e shtetit të së drejtës.
“Së fundi, ashtu si demokracia ka nevojë për demokratë, paqja e qëndrueshme ka nevojë për demokraci të forta. Vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal ne mund t’u kundërvihemi konflikteve dhe të mund të sjellim paqen. Multilateralizmi i fortë i Shqipërisë u demonstrua gjatë krizës së COVID-19, dhe së fundmi, gjatë krizës afgane, kur ne u shprehëm të parët që ishim të gatshëm dhe që vendosëm të strehonim mijëra të evakuuar. Duke vepruar kështu, ne nderuam zotimin tonë si aleat i NATO-s dhe si forcë e së mirës midis kombeve”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se, “ndërkohë që Shqipëria do të zërë vendin e anëtares jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përgjatë viteve 2022-2023, ne mbështetemi në angazhimin tuaj ndaj multilateralizmit për ta bërë OKB-në të funksionojë më mirë dhe për të gjetur zgjidhje praktike, por të qëndrueshme për paqen”.
Fraksion.com