AktualitetPolitikëTë fundit

Pak orë para Kuvendit të 11 Dhjetorit kërkohet dorëheqja e Bashës; Flet si ish-kryetar i PD, Tritan Shehu

Ish-kreu i PD-së, Tritan Shehu i ftuar në emisionin “Top Talk “ në Top Channel ka kërkuar hapur dorëheqjen e kryedemokratit, Lulzim Basha nga posti që mban në parti, pak orë para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të 11 Dhjetorit.

Ai theksoi se Basha pas dorëheqjes mund të kandidonte sërish për postin e kryetarit të PD-së.

Shehu gjithashtu e ka ftuar Bashën që të jetë pjesë e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe të diskutojë e të japë mendimet e tij.

“Partia është në krizë dhe duhej të diskutohej dhe në momentin që u mblodhën firmat  në mënyrën më qesharake të mundshme më anti statuore deklaron një kongres që nuk është kongres por antikongres. Në politikë ka një konsekuencë. Unë sot kërkoj hapur qartë dorëheqjen e zotit Basha bazuar në tre kolona kryesore dhe pika të tjera. Unë kërkroj nga zoti Basha që të vijë në kongresin e datës 11. Ai po të dojë të kandidojë prap nga e para pasi ka dhënë dorëheqjen. Berisha ka thënë që nuk përjashtoj të jem një nga konkurrentët për kryetar. Çdo gjë do të vendoset në kuvendin e 11 për të marrë të gjitha vendimet”, tha Shehu.

Kujtojmë se demokratët vazhdojnë të jenë në një krizë politike të brendshme, ku ish-lideri historik Sali Berisha kërkon që të rikthejë PD-në në nivelet e mëparshme duke thirrur Kuvendin Kombëtar me 11 dhjetor ndërsa nga ana tjetër kryedemokrati e quan të paligjshëm këtë kuvend dhe ka thirrur Kuvendin e PD-së më 18 dhjetor.

Këtë të enjte, pak orë nga mbajtja e kuvendit të Berishës, vendi ynë u vizitua nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas një takimi 60 minutësh në zyrën e Lulzim Bashës, i dërguari i SHBA-së dha dy mesazhe shkurt për mediat; institucionet shqiptare duhet të jenë ato që luftojnë korrupsionin dhe se kreun e PD-së e pret në SHBA.

Kujtojmë se ish-lideri i PD-së, Sali Berisha është shpallur ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërsa presidenti demokrat i SHBA-ve, Joe Biden ka theksuar vazhdimisht se nga sanksionet e tyre synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, në korrupsion dhe që minojnë demokracinë.

 

Fraksion.com