AktualitetEkonomiTë fundit

Çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël nuk ndryshon

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se pavarësisht krizës energjetike, çmimi i energjisë do të mbetet i pandryshuar për familjarët dhe biznesin e vogël.

Për të siguruar furnizimin me energji të këtyre dy kategorive, ministrja Balluku informoi se qeveria ka miratuar një projektvendim, i cili i vendos në dispozicion Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare mekanizmat ligjorë që i japin të drejtë të marrë me qira asete gjeneruese termike të energjisë, të shkëmbejë dhe depozitojë apo kryejë transaksione të shitblerjes së energjisë në tregun e lirë.

“Nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël. Kemi miratuar ndryshimet ligjore të cilat mirëkordinojnë veprimtarinë midis KESH-it, që është prodhuesi shtetëror i energjisë elektrike dhe OSHEE-së me të gjitha ndërmarrjet bija që ka krijuar në bazë të kërkesave të BE për rregullimin e sektorit”, tha ministrja.

Sipas saj, në bazë të ndryshimeve ligjore, KESH ka detyrimin e furnizimit publik dhe duhet të furnizojë FSHU-në, me të gjithë sasinë e nevojshme për qëllime të plotësimit të kërkesës së plotë të tregut të rregulluar, që është grupi i abonentëve familjar dhe biznesi i vogël, sipas çmimit të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e shoqërisë.

“KESH detyrohet të prodhojë e dorëzojë pranë shpërndarësit sasinë e energjisë prej 4.6 Terravat (TW), aq sa është sasia mesatare vjetore që kërkohet për mbulimin e nevojës për abonentët familjarë dhe atij të biznesit të vogël. Pra detyrimi i këtij shërbimi i kalon KESH-it”, u shpreh Balluku.

Balluku theksoi më tej se për të përmbushur këtë detyrim nevojitet marrja e masave shtesë nga KESH-I, të cilat do të ndihmojnë në plotësimin e kësaj sasie të nevojshme në rast të pamundësisë së prodhimit nga Kaskada e Drinit që është gjeneruesi kryesor i kapaciteteve të KESH.

“Në ditët në vijim kapacitet do të shtohen nga Parku Fotovoltaik i ndërtuar në digën e HEC-it të Vaut të Dejës. Po ashtu qeveria ka miratuar një projektvendim, i cili i vendos në dispozicion Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare mekanizmat ligjorë që i japin të drejtë të marrë me qira asete gjeneruese termike të energjisë, të shkëmbejë dhe depozitojë apo kryejë transaksione të shitblerjes së energjisë në tregun e lirë“, tha Balluku.

Po ashtu, ministrja tha se u miratua edhe një tjetër vendim përmes së cilit ndryshohen indikatorët e vendosur në planin financiar të konsolidimit të sektorit elektroenergjetik të miratuara në vitin 2019 të OSHEE-së.

”Janë rishikuar indikatorët bazuar në situatën në këtë sektor që prej prillit të 2019-ës që kanë të bëjnë me tërmetin, pandeminë dhe energjinë. Këto situata kanë sjellë një rritje të konsumit, ashtu sikundër ulje edhe të nivelit të arkëtimeve. Të gjithë këto kanë bërë që ne të rishikojmë indikatorë duke i vënë në parametra realistë“, tha Balluku.

Sipas saj, indikatorët e rinj të ndikuar nga tërmeti i 26 nëntorit, situata e pandemisë dhe kriza energjetike do të jenë në fuqi deri në vitin 2026.

Ministrja Balluku teksa tha se në tre ditët e ardhshme parashikohet të ketë reshje në të gjithë Shqipërinë, u bëri apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes dhe të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

 

Fraksion.com