Vetëpunësimi i reziston krizës pandemike, treguesi arrin në 32.4% të totalit në 3-mujorin e dytë 2021
Të vetë punësuarit zunë 32.2 për qind te totalit të punësuarve në tremujorin e dytë të vitit 2021, me një ulje të konsiderueshme me tremujorin e katërt 2020 ku vetëpunësimi zuri 35% të totalit.
Treguesi qëndroi i stabilizuar në mesataren e 10 viteve të fundit dhe vijon të jetë në përqindje të larta në krahasim me vendet e Europës dhe rajonit.
Vetëpunësimi përfaqëson atë të pjesën e personave fizikë që punojnë në dyqane të vogla në shërbime dhe tregti.
Të dhënat mbi vetëpunësimin që u gjeneruan nga Anketa e Forcave të punës tregojnë se vetëpunësimi shënoi nivelin më të lartë në katër mujorin e fundit të vitit 2017 me 35.9% të totalit.
Përqindja e vetëpunësimit në totalin e të punësuarve pësoi rritje pas vitit 2017 pas një aksioni të gjatë ndaj informalitetit që u ndërmor kryesisht në njësitë e vogla e biznesit. Një pjesë e konsiderueshme e të vete punësuarve që më parë ushtronin aktivitet në të zezë u regjistruan në tatime.
Klima e biznesit për të vetë punësuarit është rënduar vitet e fundit si rezultat i aksioneve anti-informalitet dhe konkurrencës që vjen nga njësitë e mëdha tregtare.
Përhapja e shpejtë e supermarketeve, qendrave tregtare dhe njësive, te specializuara të bareve po rrisin falimentin e të vetë punësuarve.
Nga ana tjetër, një faktor që ka nxitur vetëpunësimin vitet e fundit është niveli i lartë i tatimit për pagat e larta, që arrin në 23%. Të punësuarit me paga të larta kanë dalë nga skema e punësimit dhe janë regjistruar si të vetëpunësuar në mënyrë që të shmangin tatimin e lartë.
Shqipëria ka nivelet më të larta të vetëpunësimit në Europë. Të dhënat e fundit nga Eurostat bëjnë të ditur se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të vetëpunësimit në Europë dhe mëse dyfish në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian prej 13.3% në fund të 2020-s.
Në vend të dytë në Europë është Greqia, me 28.4% të totalit të punonjësve që janë të vetëpunësuar, e ndjekur nga Italia me 20.1% dhe Turqia me 19.3%.
Nga rajoni, përqindja më e lartë e vetëpunësimit është në Serbi, me 19.2% dhe më pas Mali i Zi me 17.2%. Më e ulëta është në Maqedoninë e Veriut me 17.2% (të dhënat për Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën mungojnë).
Pjesa më e madhe e të vetë punësuarve në vend janë me arsim të ulët. Sipas INSTAT, gati 41% e të punësuarve më arsim 8/9 vjeçar e fitojnë jetesën përmes vetëpunësimit.
Edhe ata me arsim të mesëm tentojnë që të hapin bizneset e tyre, me vetëpunësimin që zë 34% të kësaj kategorie.
Ndryshe është për personat që kanë arsim të lartë, që duket se e kanë më të lehtë që të gjejnë një punë në biznese që nuk i kanë hapur vetë. Vetëm 12% e të punësuarve me arsim të lartë janë të vetëpunësuar./monitor
Fraksion.com