Topalli: “De facto” Basha është i shkarkuar, “de jure” do të ndodhë më 11 dhjetor
Në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, Jozefina Topalli, ish-nënkryetare e Partisë Demokratike, foli ndër të tjerë për pritshmërinë në partinë më të madhe opozitare pas kuvendit kombëtar të 11 dhjetorit.
“Data 11 do të ketë legalizimin e ndryshimeve brenda statutit dhe vendosjen e mekanizmave të sigurisë që fenomeni i fillimit të lindjes së autoritarizmit brenda kësaj force politike të mos përsëritet më të ardhmen.
Unë besoj se pas kësaj, një opsion mund të jetë krijimi i një grupi pune për fillimin e një procesi për atë që quhet hapja, bashkimi, forcimi dhe zgjerimi i konsensusit, jo vetëm brenda PD, por përtej. Nuk mbyllet çdo gjë në kuvendin e datës 11, aty nis gjithçka. Do të jetë një proces që do të reformojë jo vetëm të djathtën shqiptare”, u shpreh Topalli.
Por, a mund të shkarkohet Lulzim Basha nga kuvendi kombëtar i PD më 11 dhjetor? “Nëse verifikohen, edhe pse nuk kam dyshim, mazhoranca që merr vendim për kushtetutën, ku një nga nenet është se nëse humb zgjedhjet mbaron mandati i kryetarit, Lulzim Basha është i larguar. Një kryetar qëndron në drejtimin e një force politike apo të një institucioni për sa kohë ai ka mazhorancën.
Kjo mazhorancë, të cilën e shohim çdo ditë, por që juridikisht do të verifikohet në datën 11 dhjetor, është kundër fenomenit të Lulzim Bashës. Kështu që de facto, Basha është i shkarkuar, de jure do të ndodhë më 11 dhjetor”, u shpreh Topalli.
fraksion.com