AktualitetBota+Të fundit

Porositë për fabrikat gjermane ranë në tetor

Porositë për fabrikat gjermane ranë ndjeshëm për shkak të kërkesës më të ulët nga prodhuesit, veçanërisht nga vendet jashtë eurozonës.

Kërkesat për mallrat kapitale si makineritë e rënda përjetuan një rënie të theksuar. Të hënën, Destatis, zyra federale e statistikave të Gjermanisë, njoftoi se porositë industriale ranë 6.9% në tetor në krahasim me shtatorin.

Kjo ishte rënia e dytë e ndjeshme në tre muaj, pasi porositë ranë me 8.8% në gusht dhe u rritën me 1.8% në shtator.

Çfarë do të thotë kjo ?

Kërkesa për prodhuesit gjermanë shihet si një tregues i rëndësishëm për ekonominë më të madhe të Evropës. Rënia e kërkesës u atribuohet pengesave të vazhdueshme në zinxhirin e furnizimit dhe ringjalljes së pandemisë COVID-19.

Ministria e Ekonomisë e Gjermanisë tha se rënia e dytë e fortë e porosive në tre muajt e fundit është një zvarritje e mëtejshme në perspektivën ekonomike.

Megjithatë, ministria paralajmëroi që të mos teprohet me vëmendjen mbi këto rezultate. Rezultatet “nuk duhet të mbiinterpretohen”, tha ai, duke theksuar se tregu ishte veçanërisht i paqëndrueshëm në këtë moment. Duke përjashtuar porositë me shumicë, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm shifrat mujore, rënia ishte vetëm 1.8%, vuri në dukje ministria. Ekonomistët kishin parashikuar një rënie të moderuar mujore prej 0.5%.

Një vështrim më nga afër

Ndërsa porositë e brendshme u rritën me 3.4%, porositë nga vendet e tjera ranë me 13.1% në tetor. Porositë nga partnerët e eurozonës gjermane ranë vetëm 3.2%, por kërkesa e jashtme ra me 18.1%, duke shkaktuar rënie të performancës së përgjithshme.

Ministria gjermane e Ekonomisë tha se kërkesa për mallra kapitale si makineritë e fabrikave, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të tregut të eksportit të Gjermanisë, ra 10.7 për qind në tetor.

Krahasuar me një vit më parë, porositë për fabrikat ranë me 1% në tetor, pasi u rritën me 10.3% nga viti në vit një muaj më parë.

Ndërkohë, të dhënat treguan se qarkullimi i industrisë përpunuese në fakt u rrit me 3.6% në muaj, pas një rënieje të rishikuar prej 0.1% në shtator. Krahasuar me tetorin 2020, shitjet u ulën me 2.6% në bazë të përshtatjes kalendarike sezonale./DW

 

Fraksion.com