Kryeministri i Malit të Zi thotë se ky është viti i parë i lirisë
Një vit pas formimit të qeverisë se re dhe rrëzimit pas 30 vitesh të pushtetit të Millo Gjukanoviqit kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, e cilëson si vitin e parë të lirisë.
Për Krivokapiqin parakusht për një Mal të Zi të fortë mbetet individi ekonomikisht i fuqishëm. Prandaj si arritje të qeverisë së tij ai vlerëson katër programet reformuese: ”Evropa tani”, “Mali i Zi – urgjentisht”, “Evropa këtu”, dhe “Mali i Zi punon”. Ne jemi përcaktuar për ndryshime e jo për persona të privilegjuar, monopole, korrupsion, kriminalitet dhe statistika të fabrikuara, shkruan kryeministri Kivokapiq në njëvjetorin e themelimit të qeverisë së re të Malit të Zi.
Opozita kërkon votim mosbesimi ndaj qeverisë
Opozita dorëzoi në parlamentin e Malit të Zi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në propozim thuhet se “Mali i Zi nën udhëheqjen e qeverisë aktuale është vënë nën krizën më të madhe politike dhe institucionale që nga vendosja e pluralizmit. Opozita kërkon shkarkimin e qeverisë së Kryeministrit Krivokapiq dhe ofron platformën e saj.
Për votimin e votëbesimit është e nevojshme që të votojnë 41 deputetë nga 81 sa ka parlamenti i Malit të Zi. Opozita ka dërguar 40 nënshkrime, por thotë se ka numrin e mjaftueshëm për shkarkimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiq. Seanca ku do të debatohet për këtë çështje është caktuar më 13 dhjetor.
SHBA: Qeveria ka ende shumë punë për të bërë
Me rastin e njëvjetorit të punës së Qeverisë të Malit të Zi, Ambasada e SHBA-së në Podgoricë thotë se gjatë këtij viti kanë munguar rezultatet konkrete dhe se ka ende shumë punë për të bërë, sidomos kur është fjala për avancimin e integrimeve evropiane.
SHBA pret që Qeveria e Malit të Zi të përmbushë premtimet e dhëna para një viti, që Mali i Zi mbetet në kursin euro-atlantik, dhe do t’u japë prioritet reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deri tani edhe pse vërehen angazhime, këto rezultate konkrete mungojnë, tha Ambasada e SHBA-së. Pavarësisht kësaj mbetet të pritet se cili do të jetë rezultati i votëbesimit më 13 dhjetor ndaj qeverisë së eksperteve të kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Si e tillë ajo nuk përkrahet jo vetëm nga opozita, por as edhe nga pjesa më e madhe e koalicionit qeveritar./DW
Fraksion.com