AktualitetTë fundit

Sulmet kibernetike, qeveria do të subvencionojë studimet në këtë fushë

Siguria kibernetike po bëhet çdo ditë e më shumë një fushë që kërkon fuqi punëtore të specializuar.

Ndaj ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, si drejtues i institucionit që shumë shpejt do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike përshëndeti pjesëmarrësit në aktivitetin inovativ “Cyber Camp Albania”, ku ftoi të rinjtë të orientojnë karrierën e tyre drejt kësaj fushe.

Ministri Peleshi vuri në dukje rrezikun që u kanoset shpesh institucioneve shtetërore dhe joshtetërore nga sulmet kibernetike, jo vetëm në Shqipëri, por në SHBA, ku siç tha ai në çdo 39 sekonda ka një sulm të tillë. Shembuj ka edhe për ndërhyrjen përmes këtyre sulmeve në procese elektorale apo në infrastrukturën kritike të shteteve.

Duke sjellë edhe përvojën e Izraelit, ku ministri Peleshi ishte për vizitë zyrtare pak ditë më parë u shpreh: “Kjo do të thotë që ka nevojë për talente, ka nevojë për fuqi punëtore, për njerëz të kualifikuar. Sot në botë ka miliona vende pune bosh në fushën e zhvillimit të softëareve dhe aq më tepër në fushën e mbrojtjes kibernetike. Unë isha para disa ditësh në Izrael, e vetëm në Tel-Aviv kishte 17 mijë vende pune, të cilat nuk mbusheshin dot, sepse nuk i gjenin dot në treg. Janë miliona vende pune në botë të cilat presin talente dhe për këtë arsye këto fusha janë nga fushat më të paguara, profesionet më të paguara”.

Peleshi tha se, “Ministria e Mbrojtjes do të punojë bashkë me Agjencinë e Certifikimit Elektronik të Mbrojtjes Kibernetike për të bërë politikat e mbrojtjes kibernetike, standardet, rregullat e zbatueshme nga të gjitha ato institucione të cilat janë pjesë e infrastrukturës kritike që domosdomërisht duhet të kenë të zhvilluara kapacitet e mbrojtjes kibernetike”.  Ai tha se gjithçka fillon nga edukimi dhe sot janë 16 studentë që fillojnë masterin e mbrojtjes kibernetike pranë Akademisë së FA, ndërsa po punohet për të shtuar mundësitë e kualifikimeve, trajnimeve në këtë fushë”.

“Kështu që krahas bachelorit në sistemin e arsimit privat apo shtetëror do të shtojmë dhe do të mbështesim, do të subvencionojmë me një program të posaçëm qeveritar edukimin dhe trajnimin e shpejtë në fushat, për të cilat po flasim pra kodim, programim, mbrojtje kibernetike. Mundësitë janë të jashtëzakonshme. Ne kemi një  fond për mbështetjen e 1 mijë apo 2 mijë koduesve ose të rinjve që duan të kualifikohen dhe të bëhen kodues apo të punojnë në të gjitha fushat e IT, këto si subvencion pra për të paguar bursat e tyre. Kemi disa kompani shumë të mira që janë në kontakt me qeverinë dhe do të jenë aplikues të këtij fondi”, u shpreh Peleshi.

Ministri i Mbrojtjes u shpreh se Kryeministri ka dhënë dritën jeshile për të shtuar pagesën me bonuse për specialistët e kësaj fushe në administratën shtetërore, duke i barazuar këto paga me tregun privat.

Aktiviteti inovativ “Cyber Camp Albania” është konceptuar si një aktivitet vjetor, i cili do të organizohet me dy edicione (dhjetor dhe maj) të çdo viti akademik, për të theksuar rëndësinë e edukimit dhe orientimit drejt profileve të sigurisë kibernetike të të rinjve në fazat e hershme të studimit në njërën anë dhe ngritja e kapaciteteve të profesionistëve që punojnë në fushën e sigurisë kibernetike dhe krimit kibernetik në nivel kombëtar në anën tjetër.

 

Fraksion.com