Publikohet botimi i dytë i monografisë kushtuar aktorit Bekim Fehmiu
Publicisti dhe gazetari, Fahri Musliu, e ka botuar të plotësuar monografinë për aktorin shqiptar, Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës. Në botimin e dytë, zoti Musliu ka përfshirë edhe 20 tekste të reja të publikuara nga shtypi Italian.
Zoti Musliu, i cili për një kohë të gjatë ka raportuar nga Beogradi edhe për Zërin e Amerikës thotë se e ka ndjerë detyrim profesional e moral që të botojë monografinë për aktorin Bekim Fehmiu.
“Një vlerë e tillë fare ka qenë Bekimi me përmasa ndërkombëtare do të ishte keq të mos ishte i pranishëm dhe me te të mos njihen sidomos gjeneratat e reja sepse gjeneratat e vjetra e njohin Bekimin mirë. Bekimi në Kosovë, tek të rinjtë dhe hapësirën shqiptare nuk është shumë i njohur për arsye se është injoruar nga të gjitha pushtetet e mëhershme dhe institucionet kulturore por edhe pas vdekjes, fatkeqësisht vazhdon një injorim të tillë në nivel lokal, këtë rast po flas për Prizrenin”, tha ai.
Bekim Fehmiu, u lind më 1 qershor 1936 në Sarajevë, kurse fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Prizren. Fakultetin e Artit Dramatik e mbaroi në Beograd, ku edhe ka jetuar pjesën më të madhe të jetës. Një nga aktorët më të njohur të ish Jugosllavisë, Bekim Fehmiu ka luajtur në role kryesore në më shumë se 50 filma, në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Afrikë e Azi.
“Bekimi duke u nisur nga Prizreni në rrugën e aktrimit të vet dhe arriti deri në Hollyëood dhe është aktori i parë dhe i vetmi shqiptar që ka arrit atë sukses në atë kohë, nuk e di ndoshta do të ketë ndonjë aktor tjetër që do të vazhdoj rrugën e Bekimit por kam frikë se kjo nuk do të ndodh sepse vlerat fatkeqësisht sidomos në Kosovë dhe hapësirat ballkanike janë duke u zhdukur dhe po mbizotërojnë mbivlerat pra ky është problem kryesorë jo vetëm me Bekimin por me të gjitha figurat e kulturës, letërsisë, artit dhe gjithandej”, tha ai.
Zoti Musliu thotë se është për keqardhje mosnjohja e mjaftueshme e Bekim Fehmiut në Kosovë
“E them me keqardhje se Bekimi më së tepërmi vlerësohet në Serbi, vlerësohet në Kroaci dhe në republikat tjera se sa në Kosovë. Për Bekimin atje edhe rinia dinë mjaft krahasim me rininë e Kosovës. Dikush do të thoshte se Bekimi ka jetuar në Beograd dhe për atë qëllim, jo nuk është kjo sepse Bekimi konsiderohet aktor shqiptar, në të vërtetë jugosllavë me prejardhje shqiptare mirëpo Bekimi kurrë nuk ka pranuar të thuhet aktor serb, aktor kroat apo aktor boshnjak sepse ai ka thënë se jam aktor shqiptar, kam punuar për produksione jugosllave dhe jam aktor botërorë pra vlerësimet janë të mëdha në hapësirën e ish Jugosllavisë dhe në Itali sidomos”, tha zoti Musliu.
Bekim Fehmiu i dha fund lojës në skenën jugosllave në vitin 1987, në shenjë proteste ndaj qasjes së pushtetit të atëhershëm ndaj shqiptarëve.
“Rreth Kosovës, ai ka vuajtur jashtëzakonisht prej viteve 80-ta kur edhe braktisi teatrin dhe profesionin e vet në moshën më të re, më kulmore për punë, shkaku i Kosovës, shkaku i dhunës serbe mbi shqiptarët viteve 1988-1989 dhe pastaj e ka përjetuar keq edhe shkatërrimin e Jugosllavisë sepse ai në atë hapësirë ka jetuar, vepruar dhe ka arrit kulmin, por për Kosovën ka vuajtur shkaku i vuajtjeve të shqiptarëve dhe represionit serb mbi Kosovën”, tha zoti Musliu.
Zoti Musliu thotë se Bekim Fehmiu gjatë viteve 90-ta ka lobuar në Shtetet e Bashkuara për Kosovën duke përdorur lidhjet e tij kulturore. Ai thotë se kur është shkatërruar Jugosllavia, Bekim Fehmiu është angazhuar për pavarësinë e Kosovës por sipas tij, ka qenë i pakënaqur me mënyrën e drejtimit të institucioneve të saj.
”Dhe shpesh në këtë aspekt kemi biseduar se për keqpërdorimet e mëdha dhe ai është habitur vet, ka pasur një pasqyrim tjetër një mendim tjerët për shqiptarët, për kosovarët që kanë vuajtur se do të silleshin më ndryshe, do të silleshin me një vetëdije dhe ndërgjegje më të lartë, do ta ndërtonin shtetin, do të investonin në shtet dhe jo ta shkatërronin dhe kjo ka qenë elementarja. Bie fjala shpallja e pavarësisë së Kosovës ai e ka pritur me një entuziazëm të veçantë por prapë një frikë e tij se gjërat nuk po shkojnë si duhet”, tha ai.
Aktori shqiptar, Bekim Fehmiu ka ndërruar jetë më 16 qershor të vitit 2010 ndërsa ai u bë i njohur me filmat “Edukimi i Posaçëm”, “Skuadra Partizane”, ndërsa famën më të madhe në ish Jugosllavi e arriti me filmin “Mbledhësit e Puplave”.
Fraksion.com