AktualitetPolitikëTë fundit

Nikolla: Bob Dole, mbrojtës i përkushtuar i lirisë së Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Senatorit Bob Dole.

Nikolla vlerëson kontributin e Senatorit Bob Dole si hero i luftës së Dytë Botërore, si patriot i SHBA-së dhe si kontributor i jashtëzakonshëm për shqiptarët dhe lirinë e Kosovës

“Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre, Shqipëria dhe Kosova humbën një njeri të madh, një mbrojtës të përkushtuar të lirisë e të paqes. Bob Dole ishte një nga njerëzit më të shquar të kohës. Hero  i Luftës së Dytë Botërore, legjislator model dhe qytetar i angazhuar,  patriot i madh për vendin e vet,  mbrojtës i spikatur i lirisë së kombeve të tjerë, sidomos kombeve të rrezikuar, Bob Dole ishte një kontributor i jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës, për të cilën ka mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, në Shqipëri, Kosovë e Diasporë”,  shprehet Nikolla.

Bob Dole,  miku i madh i shqiptarëve,    heroi i Luftës së Dytë Botërore dhe ish-kandidati republikan për president, ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole, ndërsa në muajin shkurt ai kishte njoftuar se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Një ish-udhëheqës i shumicës së Senatit dhe kandidati republikan për president i vitit 1996, me origjinë nga Russell, Kansas, mbrojti gjithçka, nga reformimi i programit federal të pullave ushqimore deri te ndërgjegjësimi për aftësitë e kufizuara.

Dole u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Për nder të tij, në Prishtinë është ngritur busti i tij.

Presidenti Ilir Meta përmes një mesazhi ngushëllimi e ka cilësuar senatorin Dole një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre.

“Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole. Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre”, shprehet Meta.
“Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës”, tha Meta.
“Jam pranë familjes së Tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar! Do të na mungojë shumë të gjithëve”, përfundon mesazhin e tij Meta.
Gjithashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Bob Dole.
“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bob Dole, mik i madh i shqiptarëve, që na ka qëndruar pranë në çastet më vendimtare dhe hapat më të rëndësishëm të kombit tonë.
Senatori Bob Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, tek sprovat e rrugës Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës, mbështetja e tij ishte një bekim i pazëvendësueshëm për kombin tonë”, shprehet Basha.
“Kam akoma të freskët bisedën e fundit me Senatorin Dole, javë përpara zgjedhjeve, këshillat, urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Mirënjohje të përjetshme për këtë kolos të demokracisë amerikane! Lutjet dhe mendimet e mija shkojnë për familjen e Senatorit Dole, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij dhe kombin mik amerikan! U prehtë në paqe!”, tha Basha.
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas lajmit për vdekjen e senatorit Bob Dole.

“Bob Dole ishte një patriot i vërtetë amerikan. Duke kapërcyer plagët e rënda të marra gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u bë një luftëtar i fuqishëm për kauzën e lirisë. Jeta e tij në shërbimin publik do të mbahet mend jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë. U preftë në paqe”, shprehet Kim.

 

Fraksion.com