AktualitetBota+Të fundit

Kina kërcënon me kundërmasa nëse SHBA-ja bojkoton Lojërat Olimpike

Më 6 dhjetor Kina paralajmëroi se do të ndërmarrë “masa” nëse është vlerëson të nevojshme, nëse politikanët amerikanë nuk ndalin thirrjet për bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore. Ministria e Jashtme kineze tha se thirrje të tilla dëmtojnë raportet me Kinën.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden pritet që gjatë kësaj jave të njoftojë se zyrtarët qeveritarë amerikanë nuk do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Pekin më 2022, raportoi CNN më 5 dhjetor.

Këto thirrje për bojkot janë “të ekzagjeruara” dhe duhet të ndalen “në mënyrë që të mos ndikojnë në dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në fusha të rëndësishme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian.

“Nëse SHBA-ja do të këmbëngulë që të mbajë këtë qëndrim, Kina do të ndërmarrë kundërmasa”, tha ai në një konferencë për media.

Presidenti amerikan, Joe Biden muajin e kaluar deklaroi se po e shqyrton mundësinë e bojkotit diplomatik të Lojërave Dimërore, për të protestuar ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut që bën Kina, përfshirë edhe për atë që Uashingtoni e cilëson gjenocid kundër minoritetit mysliman në Kinë.

Administrata e Bidenit po përballet me presion nga aktivistët dhe anëtarët e Kongresit amerikan që të bojkotojë Lojërat Olimpike Dimërore.

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të komentojë mbi raportimet e CNN-it për bojkotimin diplomatik. Ky televizion amerikan ka raportuar se bojkoti diplomatik nuk do të ndalojë atletët që të garojnë në Lojërat Dimërore.

 

Fraksion.com